Pritshmëritë nga vizita e Escobar

Nga Gjergji Koja

Gabriel Escobar, zv.ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, do të vizitojë Shqipërinë më 9 dhjetor, që nga OKB është shpallur edhe si dita ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Vizita e Escobar në Shqipëri është pjesë e një turi ballkanik, ku sot zyrtari i DASH ndodhej në Maqedoninë e Veriut, nga ku shprehu mbështetjen e SHBA për integrimin në Bashkimin Europian.

Të njëjtin mesazh zyrtari i DASH pritet ta përsërisë edhe në Tiranë, ashtu sikundër paraardhësit e tij në këtë detyrë kanë bërë me vite me rradhë, duke shprehur suportin për integrimin e Shqipërisë në BE.

Gjithsesi vizita në Tiranë, po tentohet të lidhet me një zhvillim në rradhët e opozitës, ku prej së dielës pasdite u hodhën insinuatat e para se ajo po i paraprin 11 dhjetorit, ditë kur ish-Kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” , me mbështetjen zyrtare të 4200 delegatëve, ka thirrur Kuvendin Kombëtar të PD.

Pastaj u raportua se Escobar do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke e lidhur takimin me këtë të fundit si një mbështetje që po i vjen në një moment ndoshta të vështirë për të.

Nëse i referohesh lajmeve që po interpretohen, i bie që zyrtari i DASH ka programuar një tur në rajon, që më pas të vijë në Shqipëri dhe të mbështesë Bashën, meqë në 11 dhjetor do të mblidhet Kuvendi i thirrur nga Berisha.

Rruga më e thjeshtë për ti dhënë mbështetjen Bashës ishte që ai mund të thirrej në Uashington javë më parë dhe ti organizoheshin disa takime, përfshi këtu edhe zyrtarë të DASH dhe ndoshta kjo mund të sfumonte deri diku “Foltoren” apo çdo lëvizje tjetër që mund të rrezikonte karrigen e kreut demokrat.

Përtej çdo interpretimi, besoj se zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit do ti mëshojë idesë së thellimit të proceseve demokratike, apo demokratizimit të mëtejshëm të vendit, që mbetet shtylla kryesore për çdo zhvillim tjetër.

Sikundër do të ishte mirë që Escobar jo vetëm të jepte disa mesazhe anti-korrupsion, por në Tiranë të kishte me vete edhe një listë me emrat e personave që shpalleshin jo vetëm non grata, por edhe të njoftonte sanksionet ekonomike, deri në bllokimin e llogarive, sikundër është paralajmëruar nga administrata Biden.

Në këtë vend të vogël ka plot zyrtarë dhe ish-zyrtarë që e meritojnë një gjë të tillë, qofshin në qeveri apo opozitë, të mbrojtur pas imunitetit qeveritar apo atij të deputetit, qofshin biznesmenë me resorte apo vila ku pushojnë edhe diplomatë, apo të tjerë që me apo pa dijeninë e tyre janë kthyer në lavatriçe pastrimi parash.

LEXO EDHE  Masat e reja – Për të hyrë në Kosovë kërkohet certifikata e vaksinimit me tri doza

Kjo do të ishte ndihma më e madhe që do i jepej një populli që në 30 vjet tranzicion ka ëndërr Europën dhe SHBA, që është cilësuar si më proamerikani jo vetëm në Rajon, por edhe në Botë, dhe që sot shpreson që shpëtimi t´i vijë prej tyre.

Sikundër do të ishte një ndihmë e madhe që sot kur janë mbushur plot 5 vjet nga reforma në Drejtësi, dhe kur SPAK po shkon drejt vitit të 3-të, të bëhen disa bilance lidhur misionin e këtij institucioni, që njihet si Prokuroria
Speciale.

Përtej goditjeve penale në fushën e krimit të organizuar, që sërisht mund të ketë diskutime, sot SPAK ka zero zyrtarë apo ish-zyrtarë të nivelit të lartë, përfshi këtu edhe Kryebashkiakë të kategorisë së parë, që të jenë hetuar dhe dosjet të jenë çuar për gjykim. Dhe pyetja që lind është: a e ka justifikuar Prokuroria Speciale gjithë atë suport, jo shqiptar, por amerikan, deri më sot?

Por jo vetëm SPAK, cili nga institucionet e reja që u ngritën si themelet e drejtësisë së re, e ka merituar dhe justifikuar suportin që ka marrë, luksin po të doni që i është krijuar, edhe pse mbi gjysma e tyre nuk do të kalonin as vettingun, në asnjë prej kritereve, nëse do t´i nënshtroheshin para dhe gjatë marrjes së detyrës?

Këtë gjë e dinë edhe diplomatët që janë në Tiranë, ndoshta e kanë përcjellë përmes “kabllogrameve” edhe në vendet e tyre, ndërsa publikut i flitet për përparime dhe suksese, të cilat më pas përkthehen si një punë e mirë, por që në realitet asgjë nuk lëviz.

Shqipëria është një vend ku është deformuar demokracia, që në lindje të saj, ku vota peshon sa një pako ushqime, ku drejtësia e mohuar është kthyer në një gjë krejt normale, ku peshqit e mëdhenj vënë në rrjesht ata që duhet ti hetojnë, ku secili që ndodhet në tavën e pushteteve është peng i veprimeve ose mosveprimeve të tij, të shkuarës apo të tashmes.

Një ekuacion me shumë të panjohura, ku çdo ditë që kalon, jo muaj dhe vite, krijon terrenin për të shtuar zullumin, për të shtuar të panjohurat dhe për të zvarritur, jo më zgjidhjen, por fatin e mijëra njerëzve, të cilëve ose u ka mbetur të ikin nga sytë këmbët, ose ti nënshtrohen llumit, që herë suportohet nga diplomatë dhe herë lidh aleanca të brendshme, për të mbajtur në këmbë mekanizmin që i mbron.