Rithemelimi i PD, mundësia e fundit për t’i shpëtuar modelit autokrat

Nga Gjergji Koja

Për herë të parë në 31 vitet e ekzistencës së saj, Partia Demokratike është përfshirë në një proces, që mund t´i japë fund autokracisë, me të cilën kjo parti është drejtuar për 3 dekada.

Disa muaj më parë ishte e vështirë të besoje se mund të vinte një moment kur përballë të ishin dy modele sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme, mes atij të Sali Berishës, si lider historik, dhe Lulzim Bashës, si Kryetar i PD.

Berisha mbajti nën kontroll me dorë të hekurt PD nga momenti i themelimit deri në 2013, kur, pas humbjes së zgjedhjeve, u dorëhoq, por duke paracaktuar pasardhësin politik, Lulzim Bashën. Ky i fundit të paktën për 8 vite arriti të krijonte në publik staturën e një kryetari, ku vendimet e rëndësishme i merrte bashkë me paraardhësin e tij, Berishën, edhe pse ish-Kryeministri në muajt e fundit flet për të kundërtën.

Nuk dihet nëse Basha në 8 vitet e drejtimit të PD luajti rolin e një super aktori, aq sa të bindte shqiptarë e ndërkombëtarë se vendimet i merr Sali Berisha, apo thjesht ai përfitoi nga “pakti” që ish-Kryeministri kishte vendosur të mos fliste publikisht mbi çdo vendim që në publik e artikulonte Lulzim Basha.

Historia në PD që nga 1992 ka treguar se çdo Kryetar, që nga Eduart Selami dhe më pas Tritan Shehu, thjesht ishin figurantë, ndërsa vendimet e mëdha dirigjoheshin nga Berisha. Pasi dorëzoi Presidencën në 1997, zyrtarisht Berisha mori drejtimin e PD-së, duke mos pasur më nevojë as për kryetarë formal dhe as për të qëndruar në prapaskenë. Dhe për 16 vite drejtoi PD-në, 8 vite në opozitë dhe 8 të tjera në pushtet, herë duke larguar dhe herë duke afruar figura të ndryshme.

Në 2005, ishte po Berisha që ofroi ata që më parë i kishte shpallur si kundërshtarë, madje duke i bërë bashkëpunëtorët më të afërt, ç´ka u interpretua si një mea culpa.

Ndoshta ky ishte bashkimi i parë që lideri historik i PD bënte nga 1992, kohë kur u shpallën grupet e para armiqësore, për të vijuar më pas me figura të veçanta, që çuditërisht nuk e gjenin veten në partinë që kishin themeluar.

Në 2013, pas humbjes së zgjedhjeve, Berisha mori mbi supe përgjegjësinë dhe artikuloi dorëheqjen si Kryetar, vendim që shkaktoi lot te militantët demokratë.

Pas tij, erdhi Lulzim Basha, në një garë që mund të ishte e para në PD, por që u deformua njëlloj si të gjitha garat e mëparshme, nga 1992 e në vijim. U deformua me apo pa qëllim sot është e vështirë t´a thuash kur dëgjon deklaratat e Berishës, por në 2013 ishte vështirë të mos e besoje se rezultati ishte i paracaktuar, madje edhe me përqindje.

Nga ky moment, nisi ajo që mund të ishte epoka Basha në Partinë Demokratike, edhe pse ai nuk arriti të merrte rolin e një lideri. Thjesht ai aplikoi të njëjtët skenarë që ishin të njohur në PD, largime të disa figurave, prania e të cilëve mund të zhvillonte debatin e brendshëm.

LEXO EDHE  Komisioni i Rithemelimit merr selinë e Korçës, detaje të reja

Por, Basha dha sinjale që i druhej debateve, që kishte frikë nga ata që mund ta rivalizonin në gara, sikundër humbi shansin për t´iu larguar modelit të një autoritaristi.

Pak a shumë, Basha nisi të aplikonte skemën e Rilindjes së PD, e përdorur më parë nga Edi Rama në PS, ndërsa e pagëzoi me emrin “Republika e re”, pak para zgjedhjeve të 2017-ës.

Me një model pothuajse të ngjashëm, Basha zhvlerësoi forumet e partisë, duke shkuar pak më larg edhe se Berisha, i cili të paktën deri diku mund të kishte përplasje kur diskutohej lista e Shkodrës, Korçës apo Tiranës.

Basha i ktheu forumet në struktura që duhej të çertifikonin deklaratat publike të Kryetarit.
Kjo ndodhi me listat e kandidatëve për deputet, me djegien e mandateve, me bojkotin e reformës territoriale, me ligjet e reformës në drejtësi, me bojkotin e zgjedhjeve vendore të 2019, e ndoshta me plot çështje të tjera, për të cilat Partia Demokratike pagoi haraçin duke arshivuar humbje, ndoshta jo të merituara, por që çertifikoheshin si fitore të palës tjetër nga ndërkombëtarët.

Kryetari që qeshte, që shfaqej i qetë, me një stil të butë, dalëngadalë instaloi një autokraci, ku vendimet e Njëshit ishin për t´u zbatuar dhe jo diskutuar.

Në dallim esencial nga paraardhësi, Basha nuk kishte karizmën dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që mbeti një kryetar autokrat, dhe jo një lider, edhe pse në 9 shtator të 2021, tentoi të bëhet i tillë, duke përjashtuar Berishën.

Por sërisht, vendimin e mori jo si lider, por duke u fshehur pas vendimit të “non grata”.

Dhe ky ishte momenti kur përballë u vendosën Basha dhe Berisha, secili me avantazhet dhe disavantazhet e tij.

Përtej asaj që mund të sjellë dhjetori, përballja mes tyre, është kthyer në shansin e fundit për të shpëtuar PD nga autokratët dhe për të demokratizuar këtë parti, mbi rregulla të qarta.

Sot PD ka një mundësi për të ndërtuar modele jo të panjohura, por jo të aplikuara në politikën shqiptare, të ngjashme me atë të partive simotra në Europë, apo Republikanëve amerikanë, megjithëse ka një sistem krejt tjetër organizimi me këta të fundit.

Dhe për ta bërë të mundur këtë s´ka nevojë për të bërë gjëra të mëdha, thjesht duhet lënë një garë e hapur me rregulla loje të gjithëpranuara, me një regjistër anëtarësie real, me platforma dhe duke i dhënë fund teorive: fituesi i merr të gjitha dhe humbësi del matanë gardhit.

Ky është momenti që PD mund ti jepet një frymëmarrje, edhe pse duket pak e çuditshme që kjo po i vjen nga përplasja e dy figurave që e kishin në dorë të zgjidhnin çdo lloj modeli, përveç atij autokrat.