“Standartet” e gjyqtarit Besnik Hoxha, 4 vjet burg për 80 gr hashash, liri për armëmbajtje pa leje

Nga BoldNews.al

Gjyqtari i Tiranës, Besnik Hoxha, duket se është shumë tolerant, kur policia arreston qytetarë që “shëtisin” me armë luftarake rrugëve, duke qenë persona me potencial të lartë për krime të rënda.

Por, i njëjti gjyqtar “nuk fal”, kur të rinj, përdorues narkotikësh, kapen me disa gramë hashash në xhepa.

Këto standarte, në dukje aspak normale, lexohen në vendime të gjyqtarit Hoxha, të marra së fundmi.

“Boldnews.al” ka shqyrtuar dy vendime të togës së zezë të Tiranës, njëri për “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe tjetri për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Armëmbajtje pa leje

Ligjvënësi e konsideron mbajtjen pa leje të armëve luftarake një vepër serioze penale, pasi mund të shndërrohet në një mjet që cënon jetën dhe shëndetin e personave të tjerë në rast përdorimi.

Por, nuk e konsideron të tillë gjyqtari Besnik Hoxha.

Në 19 Tetor të vitit 2021, ai ka liruar nga salla e gjyqit shtetasin K.H, i cili ishte kapur nga policia me një pistoletë tip “Smith&Wasson”, kalibri 9 milimetra.

I riu K.H u arrestua nga Policia në shtator të vitit 2020, në mjetin e një mikut të tij, pasi mbante me vete armën tip pistoletë.

Para hetuesve, K.H. deklaroi se armën e kishte gjetur në një gropër pranë banesës së tij dhe ishte nisur ta dorëzonte në komisariatin më të afërt të policisë.

LEXO EDHE  Kryebashkiaku i akuzuar për trafik droge i jep me qira 5 ha pronë publike anëtarit të dosjes "Viluni"?!

Por, sipas tij, i kishin dalë disa punë dhe e kishte shtyrë për në një moment të dytë dorëzimin e armës. Ky “justifikim” është konsideruar i pranueshëm nga gjyqtari Besnik Hoxha.

Prokuroria, në përfundim të gjykimit, kërkoi për të pandehurin dënimin me 5 vjet. Kërkesa e prokurorit u pranua “formalisht”.

Gjyqtari Besnik Hoxha vendosi dënimin e K.H. me 5 vjet burgim dhe, për shkak të gjykimit të shkurtuar, vendosi përfundimisht 3 vjet e 4 muaj.

Por, nuk përfundoi këtu. Gjyqtari Hoxha u tregua “mirëkuptues” me të pandehurin, duke e pezulluar tërësisht vendimin dhe lirimin e tij.

Në foto: Vendimi i gjyqtarit të Tiranës, Besnik Hoxha, për “armëmbajtje pa leje”

Mbajtje narkotikësh

Në një zhvillim tjetër, Policia, në 10 Dhjetor 2020, arreston shtetasin E.T., pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën rreth 80 gram kanabis sativa.

I arrestuari tha para Policisë Gjyqësore se është përdorues i lëndëve narkotike prej 16 vitesh dhe se droga e kapur në banesë është për përdorim vetjak.

Por, gjyqtari Hoxha në këtë rast është treguar shumë i rreptë. Ai vendos dënimin e të pandehurit me 6 vjet burgim, i cili zbret në 4 vjet për shkak të “gjykimit të shkurtuar”.

Në dispozitivin e vendimit të datës 1 Nëntor 2021, gjyqtari Hoxha urdhëron organet ligjzbatuese që të shoqërojë shtetasin E.T. në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në foto: Vendimi i gjyqtarit Besnik Hoxha për 80 gr hashash

Pra, në këtë rast, gjyqtari Hoxha nuk ka vendosur “pezullimin e dënimit”. Këtë “lehtësi”, mesa duket, Besnik Hoxha e rezervon vetëm për ata që qarkullojnë me armë pa leje.