Pamje shkatërrimi masiv vijojnë të vijnë nga Venezuela, e goditur nga dy tërmete të fuqishme me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë të shkallës Rihter, që konsiderohen si më të fortët që kanë goditur vendin në më shumë se një shekull.
Sipas autoriteteve venezueliane, bilanci i viktimave është rritur në 920 persona, ndërsa mbi 3,360 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Lajmi u konfirmua nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili paralajmëroi se numri i viktimave pritet të rritet, pasi qindra persona rezultojnë ende të bllokuar nën rrënoja.
Ndërkohë, ankthi për fatin e të zhdukurve mbetet i madh. Sipas raportimeve në platformat e qytetarëve dhe rrjetet jozyrtare, janë regjistruar mbi 51 mijë persona të raportuar si të zhdukur. Një nga zonat më të goditura është qyteti bregdetar i La Guaira, ku imazhet satelitore tregojnë shkatërrim të gjerë. Kompleksi i banimit “Chavez”, i njohur si “Suma”, është shembur pothuajse tërësisht, ndërsa disa pallate shumëkatëshe janë rrëzuar brenda pak sekondash.
Dëme të mëdha janë raportuar edhe në zonat industriale, ku depo dhe objekte të shumta janë shkatërruar plotësisht. Aeroporti ndërkombëtar i vendit ka pësuar dëme serioze dhe është mbyllur, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në Brazil, ku autoritetet urdhëruan evakuimin e disa ndërtesave. Në zonat e goditura, të mbijetuarit po përpiqen të shpëtojnë familjarët dhe fqinjët duke gërmuar me mjete rrethanore, madje edhe me duar, për shkak të mungesës së pajisjeve dhe ekipeve të mjaftueshme të shpëtimit.
Raportimet flasin për zemërim në rritje ndaj reagimit të autoriteteve, të cilat po përballen me vështirësi për të menaxhuar përmasat e katastrofës. Në disa zona janë regjistruar edhe raste plaçkitjesh. Komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për t’i ardhur në ndihmë Venezuelës. Mbretëria e Bashkuar ka dërguar një avion ushtarak me 68 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe qen të trajnuar, si edhe ka premtuar një fond prej 2 milionë paundësh për emergjencën. Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara, Meksika, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera kanë nisur dërgimin e ekipeve të specializuara, ndihmave mjekësore dhe furnizimeve humanitare për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit dhe popullsinë e prekur nga katastrofa.
Creo que es el video más impactante que he visto justo cuando empieza el terremoto en Caracas en la zona de los palos grandes y cae el edif.
Es espeluznante #Venezuela #Sismo
Video de @jeremiasloscher pic.twitter.com/SmXDfLb7HW— Ťŏny ️ ↬ (@tony_vet) June 25, 2026














