Seanca në KLGJ, Metani kërkon ulje të pagës deri në 40 % për gjyqtarin e Matit/ Detajet

Në KLGJ po zhvillohet seanca dëgjimore për procedimin penal të kërkuar nga ILD për magjistratin R.K.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka kërkuar si masë “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 %, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për magjistratin R.K.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, i nisur me iniciativë ndaj magjistratit R.K., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, pas një ankese të qytetarit N.P., që pretendonte se vendimi gjyqësor ishte arsyetuar dhe zbardhur nga magjistrati në tejkalim të të gjitha afateve procedurale, duke mos i dhënë mundësi atij si paditës, që të ushtronte të drejtën e ankimit në gjykatat më të larta. Qytetari kishte paditur bashkinë Mat për zgjidhje të padrejtë të marrëdhënies së punës.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:

– Magjistrati R.K. ka një vonesë prej 5 muaj e një ditë të arsyetimit të vendimit, referuar nga qytetari ankues, (Rrëzim i padisë së N.P. si i pabazuar në prova e ligj), në kapërcim të afatit 20 ditor, të parashikuar në nenin 308, paragrafi i dytë i K.Pr.Civile, afat i cili është tejkaluar plot 6 herë, me një vonesë prej 131 ditë nga shpallja e vendimit përfundimtar, si dhe të afatit 15 ditor të parashikuar nga neni 443, paragrafi i parë i K.Pr.Civile për ushtrimin e të drejtës së ankimit nga palët në proces.

LEXO EDHE  Celibashi merr anë, pranon përfaqësuesit e Bashës në KQZ

– Nga të gjitha provat e marra gjatë hetimit disiplinor edhe për vendime të tjera të magjistratit, rezulton se mosarsyetimet në kohë të vendimeve gjyqësore janë jo vetëm janë të përsëritura dhe vazhduese, por rezultojnë të jenë gjithashtu dhe të pajustifikuar.

– Nga ana e magjistratit janë ndërmarrë veprime që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të afateve procedurale civile të arsyetimit të vendimit gjyqësor, duke tejkaluar afatet tej çdo llogjike, pavarësisht çështjeve me vështirësi të një niveli mesatar.

– Veprimet e magjistratit R.K. janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhence e ardhur edhe si pasojë e ngarkesës, e përsëritur në rastet e analizuara gjatë hetimit. Nuk u provua që këto vonesa të jenë kryer më dashje, me qëllim krijimin e vonesave për palët për të ushtruar ankim ndaj vendimarrjeve të gjyqtarit apo qëllime të tjera.

– Veprimet e magjistratit kanë sjellë si rrezik evident vonesën në ushtrimin e të drejtës së ankimit dhe mundësinë e një drejtësie të mohuar.

– Si pasojë e shkeljes disiplinore të kryer nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor është cënuar prestigji i figurës së gjyqtarit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia.