Aksidenti në Bullgari, mesazhe ngushëllimi nga politika shqiptare

Foto - Reuters

Drejtues të politikës shqiptare kanë shprehur ngushëllime për aksidentin e ndodhur në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona, mes tyre 12 fëmijë nga Maqedonia e Veriut.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, në një postim në FB, thotë se 45 nga viktimat ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Dhimbje e madh për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë”, u shpreh ajo.

“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët… Dhimbje”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Mesazhe ngushëllimi u dhanë dhe nga Presidenti Ilir Meta e kryetari i PD-së Lulzim Basha.

LEXO EDHE  Bylybashi i përgjigjet Bashës: Kërkon të bëhet lider përmes humbjes, kulti komunist që duhet rrëzuar

“Hidhërim i madh dhe trishtim i thellë për humbjen aksidentale tragjike të jetës të bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut. Në këto çaste të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe  autoriteteve të vendit fqinj, si dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit”, u shpreh Presidenti Ilir Meta.

“I shokuar nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari që shkaktoi humbjen e kaq shumë jetëve të pasagjerëve, përfshirë shumë bashkombas tanë e mes tyre shumë të mitur. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Zoti ju dhënë forcë në përballimin e kësaj dhimbje të tmerrshme”, shkruhet në mesazhin e kreut të PD-së Lulzim Basha.

Lexo edhe:

Përplaset dhe merr flakë autobusi në Bullgari, 45 shqiptarë nga Maqedonia humbin jetën /VIDEO