Sjellje model/ Si u lirua nga burgu anëtari i bandës së Durrësit, ‘sherr’ mes gjykatësit dhe prokurorit

Nga BIRN

Në prag të seancës së tij të vetingut, gjyqtari i Gjykatës së Matit, Rexhep Karaj, vendosi lirimin e parakohshëm të Selman Hetit – ndër të paktët anëtarë të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit” që kishte mbetur ende në qeli. Heti ishte dënuar me 25 vjet burg në vitin 2012 për ‘vrasje me paramendim të mbetur në tentativë’ ndaj Lul Berishës si dhe ‘prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake’.

Bashkë me paraburgimin, ai kishte vuajtur 21 vjet e pesë muaj burg dhe i kishin mbetur ende 3 vjet e 6 muaj nga shlyerja e dënimit.

Vendimi i datës 15 nëntor për lirimin me kusht të Selman Hetit kundërshtohet nga prokurori i çështjes, Abaz Muça , i cili i tha BIRN se do ta apelonte atë. Sipas Muçës, i dënuari nuk plotësonte asnjë nga kushtet për lirimin nga qelia, ndaj ai e konsideron vendimin si të pambështetur në ligj dhe në prova.

“Lirimi në një kohë të tillë i një autori të kësaj vepre penale do të cënonte rëndë besimin tek drejtësia, çka do të dukej se drejtësia nuk funksionon,” thuhet në apelimin e prokurorit.

Lirimi nga qelia i Selman Hetit ndjek të njëjtën praktikë kontradiktore që i dha më parë lirinë e parakohshme anëtarëve të tjerë të bandës së Durrësit; Lulzim Berishës në vitin 2016, Indrit Taullait në qershor 2017 dhe Endrit Dokles në shkurt 2020.

Gjyqtari Rexhep Karaj e mbrojti vendimin e lirimit dhe e konsideroi Hetin si “të burgosur model për nga sjellja”. Ndryshe nga prokurori Muça, Karaj tha përmes një bisede telefonike se Heti i plotësonte kushtet e veçanta të lirimit dhe se ai prezantohej me superlativa në raportin e burgut të Burrelit, ndonëse në fund rekomandimi ishte negativ.

“Është një person i cili nuk ka në dosje as edhe një vërejtje,” tha Karaj.

Ministria e Drejtësisë, e cila ka në varësi sistemin e burgjeve dhe Shërbimin e Provës nuk iu përgjigj pyetjeve për koment mbi qëndrimin e këtyre institucioneve në lidhje me rastin. Ndërsa avokati i Hetit, Aldor Hysenlikaj tha se u qëndronte atyre që kishte thënë gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes.

Lirimi i parakohshëm

Selman Heti u arrestua në mars të vitit 2006 dhe u akuzua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se ishte përfshirë në dy atentate të armatosura ndaj Lulzim Berishës në maj dhe gusht të vitit 2005. Procesi gjyqësor kundër anëtarëve të bandës së Durrësit zgjati për tetë vjet dhe në vitin 2014, Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin me 25 vjet burg për Hetin, por pushoi ndaj tij akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”. Ai e vuante dënimin në burgun e qytetit të tij të lindjes në Burrel.

Të dhënat e siguruara nga faqja online e Gjykatës së Matit tregojnë se nga viti 2012 deri në janar 2015, Heti bëri pesë kërkesa për ndryshimin e nivelit të sigurisë së burgut. Në të njëjtën periudhë, ai dorëzoi në gjykatë të paktën 12 kërkesa për ulje dënimi nga 45 ditë në 90 ditë brenda një viti.

Në vitin 2020, Heti bëri kërkesën e parë për lirim me kusht, por u rrëzua nga gjykata pasi nuk kishte shlyer ende treçerekun e dënimit, një kusht formal ky për shqyrtimin e kërkesës. Në fillim të vitit 2021, Heti paraqiti një kërkesë të dytë për lirim me kusht, por Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel paraqiti një raport me rekomandim kundër lirimit me kusht të të dënuarit. Ndërkohë, edhe raporti nga Shërbimi i Provës nuk kishte një konkluzion të qartë për lirimin ose jo të Hetit.

Pavarësisht raporteve nga institucionet, gjyqtari i Gjykatës së Matit, Rexhep Karaj vendosi më 15 nëntor që të pranonte kërkesën e Selman Hetit dhe të urdhëronte lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu. Gjyqtari vendosi gjithashtu kushtin e ndalimit të mbajtjes së armëve për Hetin, ndalimin e shoqërimit me persona problematikë si dhe kontakte të vazhdueshme me Shërbimin e Provës.

LEXO EDHE  Moti i keq, bllokime rrugësh në Kukës

Vendimi i lirimit u dha ditën e fundit që gjyqtari Karaj u paraqit në gjykatë këtë muaj. Më 16 nëntor, Karaj pritej të ishte i pranishëm në Këshillin e Lartë Gjyqësor ku po zhvillohet një proces disiplinor ndaj tij, por ai paraqiti një raport mjekësor dhe kërkoi shtyrjen e seancës.

Karaj nuk u paraqit gjithashtu në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 17 nëntor, ku paraqiti sërish raport mjekësor dhe seanca u shty. Sipas prokurorit Abaz Muça, vendimi nuk është i bazuar në ligj dhe gjykata duhej të mbante parasysh rekomandimin negativ nga IEVP Burrel.

Por gjyqtari Rexhep Karaj tha e raporti ishte pozitiv në të gjitha pjesët e tjera të tij, ndërsa e quajti rekomandimin negativ si ‘kontradiktor’.

“Raporti i IEVP-së është pozitiv kryefund me përjashtim të paragrafit të fundit që thotë se kërkesa të rrëzohet. Do mrekulloheshit për sjelljen e të dënuarit,” tha Karaj përmes telefonit.

Gjyqtari i Matit shpjegoi gjithashtu se raportit të Shërbimit të Provës i mungonte konkluzioni për shkak se nuk kishte informacion nëse konflikti mes Selman Hetit dhe shenjestrës së tij, Lulzim Berisha ishte ende i hapur. Kjo dilemë u zgjidh sipas tij nga një letër ‘surprizë’ e dorëzuar në gjykatë nga avokati i Hetit, për të cilën Karaj tha se “nuk e priste”. E firmosur para noterit, letra shprehte vullnetin e babait të Lulzim Berishës për mbylljen e konfliktit.

I dënuari si kryetar i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha fitoi lirinë e parakohshme nga burgu në vitin 2016, por ai u shpall sërish në kërkim nga SPAK në dhjetor 2020 dhe besohet se nuk ndodhet në Shqipëri. I pyetur nga BIRN nëse garancia prej babait të Lul Berishës ishte e mjaftueshme për gjykatën, Karaj iu përgjigj me retorikën e avokatit të Hetit gjatë seancës.

“A mendon se babai i Lulzim Berishës nuk e ka pyetur të birin para se të firmoste?!,” citoi Karaj përgjigjen që avokati i kishte dhënë prokurorit në seancë.

‘Praktikë e gabuar’

Pas lirimit me kusht të Selman Hetit, Prokuroria e Matit pretendon se vendimi ishte i kundraligjshëm dhe ka bërë gati ankimin për Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në ankim, prokurori Abaz Muça i kërkon Apelit që të prishë vendimin dhe të rikthejë Hetin në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur prej 3 vjet e 6 muaj burg.

Muça përmend si prova rekomandimin negativ nga IEVP Burrel, faktin që nuk kishte asnjë rrethanë familjare që të shtynte drejt lirimit si dhe faktin që Heti ishte dënuar për krime të rrezikshmërisë së lartë. Prokurori thotë gjithashtu se në gjykim nuk u paraqit një plan konkret për riintegrimin e tij në shoqëri.

“Një vepër penale e kryer nё bashkëpunim, me paramendim disa herë, tregon për një shkallë tё lartё rrezikshmërie tё tё dënuarit, çka duhet tё shtyjё gjykatën për tё qenë veçanërisht e kujdesshme nё gjykimin e kërkesës për lirim me kusht,” thuhet në apelin e prokurorit Muça.

Sipas tij, vendimi i gjykatës cënonte besimin te drejtësia, duke nxitur perceptimin se persona të dënuar me rrezikshmëri të lartë nuk vuanin plotësisht dënimet e tyre. Ai e cilëson vendimin përhapje e “një praktike të gabuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel, duke liruar me kusht persona me rrezikshmëri të lartë e të theksuar shoqërore”.

Në fund në ankimit thuhet se gjykata i ka pasur në dosje faktet që çonin kundër lirimit, por i ka anashkaluar ato, duke arsyetuar në përgjithësi, në kundërshtim me faktet që ndodhen të administruara si pjesë e procesit.