PS kërkon shkarkimin me urgjencë të Luan Dacit. Hije pazari politik për anëtarin e ri të KPA

Nga BoldNews.al

Maxhoranca socialiste ka shtuar presionin mbi Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të përfunduar procedurën e shkarkimit të anëtarit Luan Daci, i dënuar nga të gjithë shkallët e gjyqësorit për “falsifikim të dokumentave”, me të cilët aplikoi për pozicionin në shkallën e dytë të Vetingut.

Ky presion, në dukje pozitiv, kërkon të nxisë KPA-në të mbyll hetimin disiplinor, i cili qëndron në mënyrë absurde i pezulluar prej të paktën 6 muajsh, kur Luan Daci u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me një vit burgim, të konvertuar në shërbim prove.

Por, lëvizja e vonuar e maxhorancës socialiste dhe sidomos kërkesa së fundmi për t’u mbyllur procesi me urgjencë, ngre dyshimet se pas aspektit parimor qëndron një dëshirë për “pazar politik” me opozitën parlamentare.

Burime nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaruan për “Boldnews.al” se eksponentë të rëndësishëm të maxhorancës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kanë kërkuar së fundmi me këmbëngulje që të merret vendim për Luan Dacin.

Të njëjtat burime shprehen të habitur për këtë qëndrim të deputetëve socialistë, të cilët nuk janë treguar aspak të interesuar për këtë çështje deri më tani.

LEXO EDHE  Lidhjet e trafikut të drogës midis Kolumbisë dhe Ballkanit, kush janë shqiptarët e arrestuar

Funksionarët brenda Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë të bindur se këmbëngulja e fundit e deputetëve socialistë duket se fsheh një nevojë për të krijuar një vend vakant në strukturat e larta të drejtësisë, për ta shndërruar më pas në një moment “koncensioni” për Partinë Demokratike në opozitë.

Dhe, në fakt, pas ndërhyrjes politike të socialistëve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit u bind.

Në foto: KPA ka vendosur të rihapë hetimin disiplinor ndaj Luan Dacit

Pavarësisht raportimeve të mëhershme mediatike për rifillimin e procedimit disiplinor ndaj Luan Dacit, në fakt vetëm këtë të Mërkurë (dt.10.11.2021), Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rihapur procesin e pezulluar në Qershor të këtij viti, ndërkohë që është informuar zyrtarisht prej më shumë se dy javësh për vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila nuk pranoi rekursin e Luan Dacit.

“Boldnews.al” ka raportuar më herët mbi qëndrimin jo-korrekt të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lidhur me hetimin disiplinor ndaj anëtarit të saj, Luan Daci.