Nga Gjergji Koja
Për herë të parë në 30 vjet pluralizëm, Partia Demokratike po përballet me një situatë të pazakontë, atë të zhvillimit të dy Kuvendeve Kombëtare, njëri i thirrur nga delegatët që kanë firmosur mbi një formular, dhe tjetri i thirrur nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Me një agjendë krejt të ndryshme, ish-Kryeministri Sali Berisha në njërën anë dhe kreu demokrat, Lulzim Basha, në anën tjetër, i drejtohen të njëjtëve persona, me mandate delegati, që të mblidhen në Tiranë, ndoshta në të njëjtën sallë, dhe brenda një jave të përballen me dy situata që kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Berisha më 11 dhjetor do të kërkojë nga delegatët të miratojnë ndryshime statutore, dhe nëse në sallë do të jenë 50+1 % e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, nuk është çudi që të shkarkohet e gjithë trupa aktuale e Këshillit Kombëtar, forumi më i lartë mes dy Kuvendeve. Automatikisht kjo do të rrëzonte të gjithë kupolën drejtuese të PD, përfshi nënkryetarët, Sekretariatin dhe Kryesinë.
Në 18 dhjetor, Basha ka një tjetër agjendë që s´ka lidhje hiç me atë të 11 dhjetorit, dhe që më shumë se sa një Kuvend Kombëtar që mund të marrë vendime, është tregues i forcës, se sa njerëz mund të mbledhë në sallë, apo sa delegatë mund t´i përgjigjen me pjesëmarrjen e tyre.
E ndërkohë që Berisha dhe Basha, si dhe mbështetësit e tyre, anëtarë të forumeve drejtuese, vijojnë akuzat dhe kundërakuzat në distancë, sprova më e vështirë mbetet te demokratët, ata të cilët janë mbledhur dhe do vijojnë të mblidhen në Tiranë, sa herë ti thërrasë njëri apo tjetri, sepse ata vijnë për Partinë Demokratike.
Dhe pjesa më sensitive në këtë situatë janë militantët, ata që në 11 apo 18 do mbushin sallën si delegatë, që dikur mbushnin rradhën e parë të mitingjeve, që përleshen në komisione zgjedhore, që e gdhijnë në seli sa herë bie kushtrimi, që mbanin gjallë çadrën në Bulevard, apo që përplaseshin me policinë dhe me gazin, sa herë që iu thuhej se sot do rrëzojmë Qeverinë.
Militantët janë të njëjtët që në shumicën dërmuese të tyre kurrë nuk përfitojnë nga pushteti, që kurrë nuk pyeten për deputetin apo deputeten që duan, për kryetarin e Bashkisë apo çdo listë këshilltarësh.
Dhe pavarësisht se nuk janë përfillur, pavarësisht nga pakënaqësitë apo mllefi janë të njëjtët që mbushin ato zyrat elektorale, që shoqërojnë kandidatët, që herë përleshen dhe në jo pak raste janë përgjakur, që janë shitur e blerë, sa herë humbësi ka zgjedhur të hedhë fajin larg tij.
Sot ata ndodhen mes dy zgjedhjesh, me Berishën si lider historik, i prekur në sedër nga vendimi i Bashës që e përjashtoi nga grupi parlamentar, apo me kreun e PD-së Lulzim, deri dje djali politik i përkëdhelur, për të cilin u votua në rrjesht në 2013, 2017 dhe së fundmi në korrikun e 2021.
Njëri i thërret në emër të ringritjes së PD, tjetri i kërcënon se do ti përjashtojë, si tradhëtarë meqë mund ti bashkohen të parit. Në fakt të vetmit që s´duhet të ishin në këtë situatë zgjedhjeje duhet të ishin pikërisht “luftëtarët” e PD, që kanë mbajtur mbi supe jo një apo dy kryetarë, por edhe shpurën e tyre, qofshin ministra apo drejtues kur ishin në pushtet, qoftë edhe sot si deputetë apo drejtues qendrorë në seli.
Ata kurrë se meritojnë të jenë përballë zgjedhjeve të tilla, o me ne o kundër nesh, kur për 30 vjet kanë pasur si kundërshtar në betejën politike herë Ramiz Alinë, herë Fatos Nanon, Ilir Metën apo Edi Ramën.
Vetëm sikur për një moment të mendoheshin sakrificat e tyre, dhe sikur për një çast militantët të trajtoheshin me respekt, atyre mund tu kërkohej vetëm një gjë: të caktonin me votë, përmes atij parimit që është shkruar bukur në letër, se kujt do t´i besonin për të drejtuar shtëpinë e tyre politike.
Vota është shenjtë, jo vetëm kur zgjedh atë kryebashkiakun apo Kryeministrin, por edhe kur zgjedh Kryetarin e një partie. Të tjerat janë lojra fjalësh dhe skema, përsa kohë ata zëvendësojnë themelin e demokracisë, votën.
Kushdo qoftë fituesi mes 11 dhe 18 dhjetorit, kurrë s´do të mund të arrijë t´ia shlyejë këtë borxhin e fundit atyre që në kohët më të vështira të PD më shumë harxhonin kohë në oborrin e partisë se në shtëpitë e tyre. Dhe një fitore e tillë kurrë s´ka shijen e ëmbël.