Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon KLGJ-së të vendosë procedim disiplinor me masën “ulje e pagës deri në 40%, deri në 1 vit” ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë njofton se ka finalizuar hetimin disiplinor ndaj magjistrates me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në praktikën e nisur ndaj magjistrates në vitin 2017 nga Inspektorati i KLD-së dhe e përcjellë, me kërkesë të ILD-së nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
“Hetimi disiplinor i nisur nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së kohës, pas publikimit disa fakteve të transmetuara në emisionin investigativ ‘STOP‘ të TV Klan, më 31.01.2017, që diskreditonin rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, ku pretendohej se magjistratja kundrejt një shume monetare kishte marrë përsipër aplikimin e minimumit të dënimit për një të pandehur në paraburgim, që akuzohej për tre vepra penale”, thuhet në njoftim nga ILD.
Po ashtu, ILD njofton se “Prokuroria për Krimet e Rënda nisi procedim penal dhe gjykata dha masën e sigurimit ‘Pezullimit të një detyre apo shërbimi publi’”. KLD e kohës pezulloi magjistraten nga detyra dhe hetimi disiplinor gjithaq u pezullua, deri në përfundim të procedimit penal. Pushimi i hetimeve nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin datë 20.07.2017, solli riaktivizimin e hetimit nga Inspektorati i KLD-së së kohës, për akte e sjellje diskredituese për pozitën dhe figurën si gjyqtare, që përbëjnë shkelje disiplinore. Përdorimi gjatë komunikimit me të tjerë, i shprehjes ‘Predispozicionin pozitiv për zgjidhjen e çështjes’, çmohet i papërshtatshëm për një gjyqtar, për shkak të perceptimeve, që ai krijon për figurën morale të gjyqtarit”.
Inspektorati shton se i ka përcjellë raportin e hetimit disiplinor dhe dokumentacionin shoqërues për të vlerësuar mundësinë eventuale për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates, kompetencë kjo e cila nuk është ushtruar nga ana e Ministrit të Drejtësisë, ndërsa dokumentacioni fotokopje është përcjellë pranë institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në muajin dhjetor të vitit 2020.
“Me administrimin e dosjes nga Ministria e Drejtësisë e më pas edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konkluduar se hetimi ndaj magjistrates ishte i paplotë, prandaj vendosi vijimin e hetimit për të njëjtën shkelje disiplinore. Në përfundim, në analizë të fakteve raporti i hetimit i ILD konkludon se: Nga ana e magjistrates subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime, që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të rregullave të solemnitetit, të sjelljes në marrëdhënie me palët në proçes, si dhe komunikimit ex parte të gjyqtares me dy persona të prezantuar si familjarë të të pandehurit. Veprimet e magjistrates janë kryer me dashje dhe në mënyrë të përsëritur, me dy qytetarë të ndryshëm të paraqitur në zyrën e saj, në momente të ndryshme. Gjyqtarja nuk rezulton të jetë provokuar nga palët me të cilët ka kryer komunikimin ex-parte. Magjistratja është pyetur për ecurinë e gjykimit dhe në mënyrë vullnetare, ka dhënë të dhëna mbi zgjidhjen e çështjes së dënimit, mbi mosshtyrjen e gjatë të gjykimit, përfitimin e të pandehurit nga shtyrja e gjykimit, si dhe mbi marrjen e masave për zëvendësimin e prokurorit dhe sigurimin e prezencës së tij për të përfunduar këtë gjykim penal. Gjyqtarja ka shfaqur gadishmëri dhe përkujdesje për përgjigje sa më të qarta në funksion të mesazhit që ka dashur të përcjellë për predispozitën e saj për një zgjidhje pozitive të çështjes”, njofton ILD.
Gjithashtu, ILD konstaton se “si pasojë e veprimeve të kryera nga ana e magjistrates është cenuar prestigji i figurës së gjyqtarit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia. Besimi i publikut dhe respekti për gjyqësorin janë garanci të demokracisë dhe stabilitetit në një shoqëri demokratike. Magjistratja ka një vjetërsi në detyrë prej 28 vitesh si gjyqtare, tregues ky i njohjes shumë të mirë të saj mbi rolin e ushtrimit të detyrës me etikë dhe disiplinë të magjistratit, si dhe mbi kujdesin dhe vetëpërmbajtjen, që magjistrati duhet të tregojë në funksion të perceptimit të publikut për paanshmëri në ushtrimin e funksionit. Pavarësisht eksperiencës së gjatë të saj në detyrë, gjyqtarja ka cënuar parimin e panshmërisë në gjykim, duke krijuar perceptimin e një zgjidhje pozitive për çështjen dhe jo për zgjidhjen e drejtë të saj”.
“Për sa më sipër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon KLGJ-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Elbasan dhe caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “c”, ndarja “i” dhe neni 108 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Siç është bërë e ditur, për të shmangur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe harresës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë po shqyrton praktikat e trajtuara pjesërisht nga ana e organeve të mëparshme, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare. ILD po e kryen këtë proces përmes një metodologjie të posaçme, sipas një radhe përparësie të bazuar në kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare”, njoftoi ILD.