E pazakontë/ Gruaja shërohet nga HIV pa asnjë trajtim mjekësor

Shkencëtarët kanë identifikuar një person të dytë, i cili është shëruar nga HIV pa pasur nevojë për trajtim mjekësor. Pacientja është një grua e paidentifikuar që jeton në Argjentinë, e cila u diagnostikua me virusin e mungesës së imunitetit njerëzor në vitin 2013, partneri i së cilës kishte vdekur nga SIDA, shkruan Time

Sipas mediave të huaja, që nga viti 2017, një ekip ndërkombëtar studiuesish po shqyrtojnë ADN-n e pacientes në kërkim të gjurmëve të virusit. Ata madje kontrolluan placentën e saj pasi ajo kreu lindje në vitin 2020. Pas ‘renditjes’ së miliarda qelizave, shkencëtarët kanë konfirmuar se gruaja është e shëruar nga virusi HIV.

Si funksionon HIV dhe cilët pacientë kanë “armë” natyrale

Gjatë infeksionit, HIV fut kopje të gjenomit të tij në ADN-në e qelizave njerëzore, duke krijuar një “rezervuar” të tij. Në këtë mënyrë, virusi fshihet nga ilaçet anti-HIV dhe nga reagimet e sistemit imunitar të pacientëve, raporton abcnews.al

Në shumicën e pacientëve, grimcat e reja të virusit dalin vazhdimisht nga ky “rezervuar”. Terapia anti-retrovirale (ART) nuk mund të eliminojë “rezervuarin”, ndaj është i nevojshëm mjekimi i përditshëm për të eliminuar virusin.

Megjithatë, disa pacientë kanë një sistem imunitar të aftë për të eliminuar HIV-in pa pasur nevojë për mjekim, sipas APE-MPE. Edhe pse ata kanë ende “rezervuarin”, ata kanë qeliza T vrasëse që janë në gjendje të eliminojnë virusin vetë, pa ndihmën e ilaçeve.

LEXO EDHE  Presidenti amerikan në “shoping”, Joe Biden fotografohet pa maskë në fytyrë brenda dyqanit

Katër persona në histori janë raportuar të “shëruar” nga HIV. Megjithatë, dy prej tyre “Pacienti i Berlinit” dhe “Pacienti i Londrës” u shëruan pas transplantimit të qelizave staminale, një procedurë e rrezikshme që shkencëtarët janë përpjekur ta përsërisin me pacientë të tjerë, pa sukses.

Vetëm një herë më parë shkencëtarët kanë gjetur një rast të konfirmuar të një personi që u pastrua plotësisht nga virusi. Në vitin 2020, shkencëtarët kanë ndarë një raport për Loreen Willenburg – ose “Pacienten e San Franciskos”, siç e quajtën mjekët – që njihej si rasti i parë i njohur i një kure sterilizuese pa ndërhyrje mjekësore.

Willenburg dhe pacientja e paidentifikuar në Argjentinë njihen si “kontrolluesit elitë”, një nëngrup i vogël i pacientëve me HIV, sistemi imunitar i të cilëve natyrshëm e ‘shtyp’ virusin.

Studiuesit nuk përjashtuan mundësinë që të ketë edhe raste të tjera të pacientëve me HIV, të cilët janë trajtuar vetë, por nuk janë bërë ende të njohur. Nëse shkencëtarët i kuptojnë plotësisht mekanizmat imunitar pas trajtimeve të tilla, ata ndoshta do të jenë në gjendje të zhvillojnë lloje të reja terapish që do të “mësojnë” sistemin imunitar dhe pacientët e tjerë të imitojnë reagime të tilla kundër HIV.