Vr*sja e Demir Backës/ Baçi-Çuçit: Pse u fsheh patrulla e policisë sapo nisën të shtënat?

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, u shpreh sot se gjatë ekzekutimit të biznesmenit Demir Backa në qytetin e Fierit, në vendin e ngjarjes ka qenë prezente dhe një patrullë policie.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, Baçi theksoi se në qytetin e Fierit përflitet se efektivët janë fshehur në momentin që kanë nisur të dëgjojnë të shtënat.

Baçi pyeti ministrin Bledi Çuçi dhe shefin e ShÇBA-së, të pranishëm në komision, nëse ishin në dijeni të këtij informacioni dhe a kanë nisur një hetim të brendshëm në lidhje me rastin.

Por, ai nuk mori një përgjigje nga asnjëri prej tyre, të cilët u fokusuan te rendi ditës në mbledhje dhe nuk pranuan të komentonin më tej.

Luan Baçi: “Duke filluar dhe nga rasti që është prezent dhe ministri dhe drejtuesi i ShÇBA-së. Në lidhje me atë çka nisi zoti Xhaferraj pak më parë, unë duke qenë se jam nga Fieri, mendoj se kam të drejtën për ta shpjeguar më mirë problemin. Rasti i Fierit, në fakt është vrarë një biznesmen. Për hir të së vërtetës ka qenë një orë goxha e populluar dhe pranë një qendre tregtare.

LEXO EDHE  Kryebashkiaku i Shijakut: Kemi ndërtuar shkolla me kushte që nuk i gjen as në BE

Aty është një vend që ka një shërbim të përhershëm policor. Aty ka qenë një shërbim policor, i cili sipas të gjithë informacioneve nuk ka reaguar. Madje në qytetin e Fierit flitet se ata janë fshehur kur kanë qenë prezentë në një krim makabër. Është bërë bllokimi i vendit të ngjarjes me minuta vonesë dhe thjesht janë bllokuar qytetarët. Shërbimi i Çështjeve të Brendshme e ka këtë informacion dhe a ka nisur hetimi?”

“Nuk kam koment se nuk lidhet me asnjërën nga çështjet e rendit të ditës”, iu përgjigj ministri Bledi Çuçi po të njëjtës temë të hapur në Komisionin e Sigurisë nga deputeti tjetër i PD-së Ferdinand Xhaferri pak më herët, duke u mbyllur kështu diskutimi për vrasjen e Fierit.