“ALNET” i Allajbeut, miliona euro nga testet Covid me firmën e paligjshme të Manastirliut

Nga Boldnews.al

Në Korrik 2020, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, autorizoi disa laboratorë mjekësorë privatë për kryerjen e testeve të shpejta anti-Covid, si një përgjigje për mangësitë infrastrukturore të laboratorëve publikë.

Në krye të listës së laboratorëve privatë të licensuar ishte edhe ai “ALNET” i Spitalit Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu.

Tarifa e përcaktuar nga laboratorët privatë, 120 mijë lekë të vjetra për një testim, ishte shumë e lartë për qytetarët, të cilët gjithësesi u dyndën në dyert e tyre, pasi strukturat shtetërore nuk i përgjigjeshin në kohë frikës së tyre për prekje të mundshme nga Covid-19 ose nevojës së tyre për të pasur rezultatin e testit si dokument për të udhëtuar jashtë Shqipërisë.

Por, një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar së fundmi, ngre dyshimet se të ardhurat e laboratorëve privatë, sidomos i  atyre të spitaleve, të cilat arrijnë në rendin e dhjetra milionë eurove, janë produkt i një urdhëri pa bazë ligjore të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se laboratorëve të spitaleve privatë, të cilët u autorizuan nga Manastirliu për kryerjen e testeve të shpejta anti-Covid, u kishte përfunduar akredimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA).

Bazuar në Urdhrin e ministrit nr. 437, datë 23.07.2020 “Për miratimin e procedurës së kryerjes së testimeve molekulare RT-PCR për SARS-COV-2 dhe njohjes së laboratorëve jopublikë për kryerjen e testimit për nevoja administrative”, 8 laboratorëve jopublikë u është njohur e drejta për kryerjen e testimeve RT-PCR SARS-COV-2 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Por, KLSH ka konstatuar se nga ky proces është përjashtuar Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, si organi i vetëm për licensimin e laboratorëve mjekësore, testues dhe kalibrues.

LEXO EDHE  Të dehur në timon dhe me dro*ë në makinë, arrestohen 3 persona

Përjashtimi i DPA-së ka sjellë pasoja të mungesës së vërtetësisë së analizave, pasi nuk ka marrë pjesë në akreditimin e aparaturave laboratorike të përdorura për këtë qëllim. Marrja e kompetencave nga Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë, ka sjellë përjashtim të padrejtë të DPA-së, duke cënuar vërtetësinë e të dhënave laboratorike për Covid-19”, shkruan Kontrolli i Lartë i Shtetit në konkluzionet e tij.

Po ashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se: Ky urdhër i ministres Manastirliu nuk është në përputhje me aktet nënligjore, si edhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 865, datë 24.12.2019 “Për mënyrën e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor e përcaktimin e tarifave dhe afateve kohore”’.

Në bazën ligjore të urdhrit, “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka cituar asnjë nen të Ligjit nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, i cili i jep të drejtën e njohjes së këtij procesi laboratorëve jopublikë”’.

Urdhëri i Ministres Manastirliu ka licensuar për kryerjen e testeve për Covid-19 tre spitale dhe 5 laboratorëv të tjerë.

Në listën e spitaleve të licensuar nga Manastirliu është “Spitali Amerikan” dhe Spitali “Salus”.

Në foto: Pjesë nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Për tre spitalet, KLSH konstaton se atyre u ka përfunduar periudha e akreditimit nga DPA dhe për këtë arsye nuk ishin të certifikuar nga organi përgjegjës për të kryer testimet për Covid-19.