Humbi betejën me Covid, ndërron jetë profesori i ekonomisë, zv/ministër për dy mandate

Covid-19, i ka marrë jetën profesorit të njohur të Fakultetit të Ekonomisë dr. Ahmet Ceni. Ai ka qenë zv/ministër i Transportit dhe më pas i Punës dhe i Çështjeve Sociale.

Lajmi është bërë i ditur nga deputetja socialiste, Edona Bilali, me anë të një postimi në rrjetin e saj social fb.

“Covidi na mori edhe një tjetër. Sot u nda nga jeta Prof. Dr. Ahmet Ceni, një jetë në shërbim publik. U nda nga jeta një nga mentorët e mi. Ngushëllimet e para i shkojnë familjes dhe menjëherë mbrapa kolegëve, që sot u tronditëm dhe nuk e pranojmë dot që profesori nuk do të jetë më mes nesh”, shkruan ajo ndër të tjera.

Kush ishte Ahmet Ceni

Ahmet Ceni ka lindur në vitin 1950 në Shkodër. Shkollën tetë vjeçare e përfundoi në Shkodër ndërsa shkollën e mesme në Teknikumin Ekonomik “Nako Spiro” në Tiranë. Mbas shkollës së mesme kreu shërbimin ushtarak për një periudhë prej dy-vjeçare dhe në vitin 1972 ka filluar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i ka përfunduar sipas programit në vitin 1977.

Mbas mbarimit të shkollës nga viti 1997 deri në vitin 1982 ka punuar me detyra të ndryshme funksionale si përgjegjës i degës së financës dhe i planit në ndërmarrje të ndryshme të Shkodrës. Në vitin 1982 dhe deri aktualisht ka punuar kryesisht në Fakultetin e Ekonomisë si pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Organizimit të Punës dhe në vitin 1992 deri 1995 si përgjegjës i departamentit të Menaxhimit.

LEXO EDHE  ‘Kolegu i punës më goditi e më pas më ledhatoi’/ Shqiptarja tregon si u ngacmua s*ksualisht në zyrë

Në vitin 1998 deri në vitin 2000 ka punuar si Zëvendës Ministër i Transportit dhe nga viti 2001 deri në vitin 2005 si zëvendës Ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale.

Nga viti 2005 dhe deri në vitet e fundit të jetës është profesor në departamentin e Menaxhimit.

Ka shkruar mbi njëqind artikuj dhe punime me karakter shkencor dhe aplikativ kryesisht në fushën e tregut të punës, të punësimit, të organizimit dhe të menaxhimit. Është autor i tre teksteve mësimore që zhvillohen në nivelin Bachelor dhe Master si dhe autor i leksioneve të ciklit të tretë në lëndët ‘Menaxhimi shpërblimit dhe i performancës”.

Autor i disa monografive nga të cilat mund të përmendim “Shqipëria nga Plani në treg”, “Drejtimi dhe Informacioni”, “Analiza e normave dhe normimi i punës drejtuese”, etj.

Screenshot 25 3