Hetimet/ Pse u vu në pranga ish-Drejtori i RTSH-së, kush janë 3 të arrestuarit e tjerë

Ish-Drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe tre punonjës së radio-televizionit publik janë arrestuar këtë të Premte për shkelje ligjore në një tender.

Ata janë vënë në pranga nga policia që ka ekzekutuar këtë të Premte masat e sigurimit “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK.

Thoma Gëllçi akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa tre të arrestuarit e tjerë, për “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Bashkë me Gëllcin në pranga janë vënë Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci.

Hetimet

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 njofton se ka regjistruar procedimin penal nr.82/2020 për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij procedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë procedim rezultoi se: Në proçedurën e prokurimit “Procedurë e hapur”, me objekt “Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro”, me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

LEXO EDHE  Derbi i Italisë mbyllet në barazim, Dybala i mohon në fund fitoren Interit

Po kështu, nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi Thoma Gëllçi, me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Masat e sigurisë

Për këtë arsye, shtojnë të njëjtat burime, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve nën hetim Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci dhe Thoma Gëllçi.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë:

  • Vendosjen e masës të sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasit nën hetim Thoma Gëllçi, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit i detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  • Vendosjen e masave të sigurimit sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj shtetasave nën hetim Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal.

Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.