U rrëzua duke ndërtuar pallatin e “oligarkut” Carapuli, në gjendje të rëndë punëtori

Nga BoldNews.al

Biznesmeni Pandi Carapuli është investitori kryesor në ndërtimin e një pallati 9-katësh në rrugën “Faik Konica” në Tiranë, ku paraditen e së shtunës u rrëzua një punëtor dhe është në gjendje të rëndë për jetën.

Policia e Tiranës njoftoi se “Më datë 11.09.2021, rreth orës 09:10, në rrugën “Faik Konica”, në një pallat në ndërtim ka rënë nga lartësia punëtori shtetasi R. D., 50 vjeç, i cili po dërgohet në spital, për ndihmë mjekësore. Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.

Në foto: Vendngjarja, pamje e marrë nga “Fax News”

Policia nuk dha detaje se cilët janë investitorët e ndërtesës.

Megjithatë, “Boldnews.al” mësoi se godina po ndërtohet nga shoqëria “Eurocol” dhe “Wonder” shpk, në bazë të një leje ndërtimi për “godinë banimi dhe shërbimi, 1 kat shërbim, 9 kate banim dhe dy katë nëntokësore në rrugën e Elbasanit”, lëshuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj në Mars 2018.

Në foto: Tabela për investitorët e godinës, nga e cila u rrëzua punëtori të Shtunën (11.09.2021)

Shoqëria kryesore investuese e kësaj ndërtese, “Eurocol” shpk është në pronësi të biznesmenit Pandi Carapuli, të cilin opozita e djathtë e ka akuzuar shpesh si një prej “oligarkëve” pranë kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kompania “Eurocol” shpk është krijuar në vitin 1993, ku Carapuli ishte një ndër ortakët e shoqërisë së ndërtimit.

LEXO EDHE  Akuzohet për disa vjedhje, arrestohet 29-vjeçari shqiptar në Itali

Prej vitit 2005, Pandeli Carapuli rezulton pronar i vetëm, me 100 përqind të aksioneve në shoqërinë “Eurocol” shpk.

Pandi Carapulli është atakuar disa herë nga PD-ja, si biznesmeni-mik i Kryeministrit që merr tendera të majmë.

Eshtë folur se është ai ndërtuesi i shtëpisë së kryeministrit në Surrel të Dajtit.

Kompania e tij në vitin 2014 fitoi tenderin e shpallur nga Ministria e Arsimit me fond 470 miliardë lekë (4 milion euro) për ndërtimin e Parkut Olimpik.

Po kështu kompania Eurocol ka fituar tenderin dhe ka ndërtuar kullën në qendër të Korçës, si dhe tenderin e parkut Rinia të po këtij qyteti.

Gjithashtu, me vendim Qeverie, “Eurocol” ka marrë leje për ndërtimin e një resorti turistik në Dhërmi.

Në faqen zyrtare të Kryeministrisë rezulton vendimi i datës 7/03/2014 për “Miratimin e Lejes Zhvillimore Komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me subjekt zhvillues “Eurocol Sh.p.k.”

Po kështu në faqen e prokurimeve publike vihet re se një pjesë të mirë të tenderave shtetërorë i ka marrë kjo kompani.