Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, Arben Dyla pretendoi se i kishte dhënë 50 mijë euro hua një biznesmeni dhe do të përfitonte interesa prej 60 mijë eurosh, por Komisioni ngriti dyshime se kjo ishte “de facto” kontrata e blerjes së një apartamenti.
Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës, Arben Dyla u përball me dyshime për pasurinë gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Subjekti u paraqit në KPK së bashku me përfaqësuesen ligjore, Antoneta Sevdari.
Trupi gjykues i KPK që po kryen vetingun për prokurorin Dyla kryesohet nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Dyla e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 2001 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat. Në vitin 2008 ai është transferuar për të kryer funksionin në Prokurorinë e Lushnjës.
Relatorja e çështjes, Firdes Shuli tha në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokurorin Dyla është përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë.
Debati në KPK u dominua nga një kontratë huaje me interes e nënshkruar mes prokurorit Dyla dhe një biznesmeni në vitin 2016. Sipas relatimit, subjekti kishte dhënë hua 50 mijë euro me afat 5-vjeçar dhe huamarrësi duhej t’i kthente përveç shumës së marrë edhe interesa në vlerën e 60 mijë eurove në fund të vitit 2021.
Nisur nga interesi i lartë i dakordësuar mes palëve, Komisioni e ka pyetur Dylën për të sqaruar situatën e këtij transaksioni, i cili ka shpjeguar se huamarrësi nuk mund të merrte kredi pasi ishte konsideruar debitor i keq prej bankave – fakt që është konkluduar edhe nga Komisioni gjatë hetimit administrativ.
Sipas sqarimeve të Dylës, biznesmeni kishte vendosur si garanci për huanë një apartament me sipërfaqe 150 m2 në Kavajë në proces legalizimi. Ai ka shtuar se së bashku me këtë pasuri, A.K. kishte porositur tek një shoqëri ndërtuese edhe disa prona të tjera që në vlerën totale kapin shifrën 500 mijë euro.
Komisioni vlerësoi se çmimi i apartamentit të lënë si garanci kap vlerën 116 mijë eurove, që është e përafërt me shumën e dhënë hua prej subjektit 50 mijë euro + 60 mijë euro që pritet të përfitojë nga interesat. Bazuar edhe në deklarimet e subjektit, ai jeton prej vitit 2016 në apartamentin e lënë si garanci, pa kundërshpërblim.
Komisioni i ka kaluar Dylës barrën e provës për interesin e lartë të dhënies së huasë që u cilësua shumë herë më të lartë nga ai i sistemit bankar; për faktin se ai ka filluar të jetojë në apartamentin e huamarrësit duke bërë që të humbasë nocioni i ganrancisë dhe lidhur me vlerën e tregut të apartamentit është thuajse e njëjtë me shumën që pritet të marrë Dyla prej huamarrësit.
“Pavarësisht se huamarrësi mund të ketë pasur nevojë për likujditete, rezulton që ai të humbasë rreth 60 mijë euro për interesat dhe të mos ketë përfituar qiranë e apartamentit,” tha Shuli.
Relatorja ngriti dyshime se Dyla e kishte blerë apartamentin kundrejt çmimit 110 mijë euro në vitin 2016 dhe se kjo shumë ishte përfshirë si shpenzim në analizën financiare të atij viti. Sipas KPK-së, kontrata e huasë është ‘de facto’ kontratë e shitjes së apartamentit.
Dyla u mbrojt më së shumti nëpërmjet përfaqësues së tij ligjore, avokates Antoneta Sevdari, e cila kërkoi që të respektohej prezumimi i pafajësisë.
Ajo theksoi se indiciet duhet të jenë të sakta që të mos kundërshtohen. Sipas Sevdarit, kontrata e huasë është në përputhje me Kodin Ciivil dhe është e barabartë me ligjin.
Ajo kundërshtoi edhe konstatimin për interesa më të larta nga ato të bankave në këtë huadhënie dhe solli në vëmendje se Fondi “Besa” i ka interesat vjetore në nivelin minimal 24% dhe 28% në nivelin maksimal.
Sevdari u shpreh se shënimi në kontratën e huadhënies se apartamenti do të vendosej si garanci ishte më shumë një marrëveshje, pasi ishte pronë që nuk disponon hipotekë. Sipas saj, një pronë e tillë nuk lihet dot si garanci në bankë.
“Interesi është i lartë, por edhe risku ka qenë i lartë, pasi A.K. rezultonte të ishte cilësuar si debitor i keq prej bankave,” tha Sevdari dhe shtoi se A.K. ka marrë hua të menjëhershme dhe pa procedura.
Sipas saj, A.K. kishte nevojë për likujditet dhe ai kishte pritshmëri që nga gjyqet do të fitonte rreth 23 milionë euro dhe nuk do të kishte ndonjë ndikim shuma 110 mijë euro. Ajo vijoi se, në kushtet kur për huadhënien nuk kishte asnjë garanci juridike, Dyla ishte vendosur të jetonte tek apartamenti, pasi duke jetuar aty do të kishte një garanci më shumë.
“Nëse ky apartament do të legalizohej, huamarrësi mund t’ia shiste dikujt tjetër. Subjekti nuk kishte asnjë garanci,” tha Sevdari.
Mbrojtësja e subjektit kundërshtoi edhe vlerën e përcaktuar nga KPK për apartamentin në shumën 116 mijë euro. Sipas saj, nga ekspertimi i kryer nga një ekspert i pavarur vlera ishte rreth 88 mijë euro.
Vetë prokurori Dyla solli në vëmendje se në kontratën e huadhënies ishte përcaktuar se në rast të moshlyerjes së huasë dhe interesave, ai mund të kompesohej edhe me ndonjë pasuri tjetër që zotëronte huamarrësi. “Parashikimi në kontratë se mund të me jepej edhe një shtëpi tjetër e rrëzon dyshimin se e kam blerë atë apartament,” pohoi subjekti.
“Po shpjegoj marrëdhënien me atë person. Ai më kërkoi hua kursimet dhe ishte ai që e përcaktoi interesin, bazuar në pritshmëritë e tij nga gjyqet. Unë kërkova të binim dakord për interesat në euro dhe shpresoj që të mos përballem në dyert e gjykatave për kthimin e huasë”, vijoi Dyla.
Pyetjes së vëzhguesit të ONM, nëse kishte analizuar situatën e proceseve gjyqësore të A.K. subjekti iu përgjigj negativisht.
“Unë e njoh si qytetar të Kavajës dhe si biznesmen. Në marrëdhëniet e tij me një kompani italiane nuk kam pasur lidhje,” tha ai the theksoi se dyshimet e KPK-së nuk mbështeten në asnjë provë.
Megjithëse Dyla nuk ka deklaruar në vitin 2016 pakësimin e gjendjes cash për shkak të huadhënies, në rubrikën të dhëna kofidenciale ai ka pasqyruar kontratën e huasë. Shuli sqaroi se subjekti ka pretenduar se mosdeklarimi i pakësimit të cash-it ka qenë një pasaktësi që nuk mund ta penalizojë atë.
Komisioni ka analizuar mundësinë e krijimit të gjendjes cash 50 mijë euro të mbajtur në banesë, prej nga është konstatuar pamundësi financiare në shumën 5.6 milionë lekë për krijimin e atyre kursimeve.
Sipas Shulit, subjekti ka deklaruar në vite gjendje të ndryshme cash-i. Megjithëse Dyla ka pretenduar se ka pasqyruar në deklaratat periodike vetëm shtesat e gjendjes cash për çdo vit, Komisioni i ka konsideruar ato si kursime në total.
Pamundësi financiare është konstatuar edhe për blerjen e një automjeti tip Benz në shumën 8000 euro në vitin 2010. Shuli shpjegoi se subjekti ka rezultuar me balancë negative në shumën 570 mijë lekë për blerjen e kësaj makine në 2010-ën. Sipas relatores, Dyla e ka kundërshtuar këtë rezulatat duke pretenduar se e ka kryer blerjen e mjetit në vitin 2011.
Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar një bilanc negativ prej 14.4 milionë lekësh, e ndikuar kjo edhe nga llogaritja e vlerës 110 mijë euro për apartamentin. Analiza financiare e KPK u kundërshtua nga Dyla dhe avokatja Sevdari. Ata e cilësuan si të pabazuar konsiderimin si shpenzim të vlerës 110 mijë euro në vitin 2016.
Gjithashtu, ata theksuan se për çdo vit ishin deklaruar shtesat e gjendjes cash dhe jo gjendjen totale. Subjekti pretendoi se nga analiza financiare, nëse konsiderohen gjendjet cash si shtesa të çdo viti, atëherë ai rezulton me balancë pozitive për krijimin e shumës 50 mijë euro dhe shpenzimet.
Në seancë u evidentua paqartësi edhe për përdorimin e një apartamenti në Kavajë për periudhën 2012-2015, pa kundërshpërblim. Sipas Shulit, Dyla ka deklaruar se apartamentin ia kishte lënë në përdorim shtetasi B.M. me të cilin kishte miqësi, megjithëse ka rezultuar se banesa ishte në pronësi të vëllait të tij, shtetasit F.M.. Subjekti ka shpjeguar se F.M. ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe ishte dakordësuar ta përdorte apartamentin pa paguar qira.
Në këtë rast nuk është gjetur konflikt interesi, por Komisioni e konsideron të paqartë përdorimin e apartamentit për disa vite, pa kundërshpërblim. I paqartë u konsiderua edhe deklarimi si adresë banimi i një apartamenti në Lushnjë në vitet 2013-2014, për të cilin Dyla ka pretenduar se ishte lapsus pasi ishte shtëpia e vjehrrit.
Dyla shpjegoi se ai i kishte miq vëllezërit B.M dhe F.M. dhe se ky i fundit zotëronte tre apartamente prej vitit 2006 dhe asnjë nuk e kishte lëshuar me qira.
Në fund të seancës dëgjimore ai u shpreh se kishte arritur të kundërshtonte barrën e provës dhe kërkoi të riçelej hetimi edhe për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit.
“Kërkoj të vlerësoni bazuar në prova, me ndërgjegje të pastër dhe zemër të bardhë,” përfundoi ai.
KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 9 shtator, në orën 10:00.