Nga Ilir Kalemaj
Përse disa kombe dhe popuj kanë perspektiva më të qarta zhvillimi dhe disa duken të kapërthyer në tranzicione të përjetshme apo akoma më keq zhyten në anarki? Përse disa janë të pasur dhe të tjerë të varfër? Disa janë destinacione për emigrantë dhe të tjerë prodhojnë papushim refugjatë? Për Daron Acemoglu and James Robinson në librin “Përse Kombet Dështojnë”, diferencat mes atyre shteteve që prosperojnë dhe atyre që dështojnë, ka të bëjë me strukturën dhe institucionet ekonomike dhe politike. Këto institucione nga ana tjetër krijojnë incentiva të ndryshme sjelljeje nga ana e popullsisë. Një tjetër autor, Charles Jones nga Universiteti i Stanfordit në një studim që përfshinte 128 shtete, shkruan se mbi 80 përqind e diferencës në PBB për puntor është relative për SHBA-të për shkak të diferencave në efiçensë. Për shembull ai ndër të tjera thotë që mungesa e alokimit të burimeve në nivel mikro sjell një reduktim të prodhimit të përgjithshëm në nivel makro dhe kjo është një nga faktorët e shpjegimit që pse disa vende arrijnë me më tepër efiçencë të organizojnë prodhimin dhe shpërndarjen e burimeve dhe për rrjedhojë janë më të pasura dhe zhvilluara se të tjerat. Kjo jo gjithmonë apo domosdoshmërisht ka parakusht burimet natyrore, pozicionimin e favorshëm gjeostrategjik etj.
Singapori për shembull megjithëse nuk ka rezerva hidrokarbure, zë vendin e tretë në botë për eksportin e naftës së përpunuar për eksport dhe petrokimikatet. Megjithëse ka një nga sipërfaqet më të pamjaftueshme për numrin e banorëve që mbart, duke e kthyer dendësinë e popullatës në një nga më ta lartat në botë dhe pavarësisht mungesës absolute të burimeve natyrore, duke filluar që nga uji e me radhë, karakteristikë që e ndan edhe me simotrat e saj Hong Kongun, Taivain etj., janë ndërkohë ndër vendet me investimet më të mëdha të huaja, vençarisht kompani tregtare dhe shërbimesh, ndërkohë që investimi te burimet njerëzore ka qenë determinues për t’i shkëputur ndjeshëm nga niveli i jetesës performanca ekonomike nga ish-kolonitë afrikane. Disa prej këtyre të fundit, fjala bie Republika Demokratike e Kongos kishin një start shumë më të fuqishëm përsa i përket perspektivës ekonomike në mes-viteve 60-të për shkak të burimeve të jashtëzakonshme natyrore dhe pozicionimit gjeo-strategjik që merrte akoma më shumë përparësi si rezultat i Luftës së Ftohtë dhe aleancave globale të dy superfuqive që shoqëroheshin shpesh me investime të qenësishme kapitale, ushtarake, ndihma ekonomike etj.
Por nga ajo kohë e në vazhdim rrugët janë ndarë kryekëput. Nga njëra anë kemi Afrikën Nën-Sahariane, ku Kongo është vetëm një nga rastet ilustrues u zhytën në kaos, konflikt të egër brenda dhe ndër-shtetëror dhe luftëra civile të njëpasnjëshme të cilat degraduan ekonominë dhe i dhanë dërrmën shpresave për një jetë të dinjitetshme dhe të sigurtë shtetasve të këtyre shteteve që shpesh janë cilësuar “të dështuar” (failed states), “fantazmë” (ghost states) apo “vampirë” (vampire states). Nga ana tjetër, mrekullinë ekonomike të “Tigrave të Azisë” (Kore e Jugut, Taivan, Hong Kong dhe Singapor) ku vetëm ky i fundit nga 1976 ka pasur një rritje ekonomike konstante në rreth 7 përqind në vit deri në recesionin e lehtë që pësoi në 2009-ën si rezultat i krizës financiare globale.
Shqipëria futet te shtetet në zhvillim që në fakt përbëjnë shumicën absolute të shteteve në botë. Por kjo, ashtu sikundër fjala shpesh e keqpërdorur “tranzicion” të lënë të kuptosh fare pak në lidhje me perspektivën e zhvillimit. Edhe vendet më të suksesshme të ish-Europës Lindore, si vendet balltike, ndërmorrën reforma të guximshme që i shndërruan nga ekonomi të dështuara plani me centralizimin tipik sovjetik në vende me konkurrencë reale, me papunësi të ulët, investime të huaja direkte mjaft të larta për frymë, me investime të klasit të parë në inovacion dhe teknologji dhe mbi të gjitha me një fokus për t`u patur zili te burimet njerëzore, përthithja e know-how dhe tërheqja dhe zhvillimi i kapitaleve.
Shqipëria nuk ka pse shpik modele, thjesht të ndjekë ato që janë më të suksesshmet duke filluar para së gjithash te investimi afatgjatë për një administratë të depolitizuar dhe meritokratike, te stimulimi i sektorit privat si punëdhënësi absolut më i qëndrueshëm dhe me punësueshmërinë më të madhe, zhvillimin e burimeve njerëzore vençarisht në aspektet e aftësive dhe kompetencës e cila lidhet ngushtësisht me procesin e shkollimit dhe të nxënit gjatë gjithë jetës etj. Jo më pak e rëndësishme është shfrytëzimi inteligjent i burimeve natyrore me të cilat na ka bekuar Perëndia, shfrytëzimi i konteksteve gjeopolitike të cilat kërkojnë një diplomaci të aftë, pragmatike dhe vizionare, eleminimi i dobësive sistemike dhe strukturore të brendshme që fillojnë nga mosfunksionimi i institucioneve e kështu me radhë.
Por mbi të gjitha parakusht është vullneti politik, aftësitë e elitës drejtuese e cila duhet të jetë e zgjedhur dhe jo e emëruar, dhe patriotizmi institucional në vend të populizmave patetikë të cilat na rrotullojnë në qerthuj viciozë dhe na mbajnë lidhur në një status kuo të cilën nuk ka për ta zgjidhur me një deux ex machina as integrimi në BE, nëse vjen ndonjë ditë në dekadën e ardhshme.