“Ky do jetë muaji ynë i mjaltit”, vajza afgane me të fejuarin në Qytet Studenti

Fatima Ibrahimi, 31 vjeç, është me profesion financiere, por kohën e lirë e kalonte duke vrapuar rrugëve të Kabulit, në maratona të gjata apo gara të tjera të atletikës.

“Çdo javë kishim një garë,” thotë ajo, ndërsa tregon foto me kolegët në bazën e NATO-s ku ka punuar dhe ato të vrapimit nëpër male.

Një vit më parë, Fatima mori pjesë në një garë ndërkombëtare të atletikës në Iran, por ishte hera e parë dhe nuk arriti një rezultat të mirë.

“Tani të gjitha këto kanë marrë fund,” thotë ajo në një kafene në Tiranë, ku është strehuar së bashku me të fejuarin pasi arritën të largoheshin nga Afganistani.

Fatima shfleton imazhet e fotove në celular dhe aty shfaqen pamjet e kaosit në aeroportin e Kabulit si dhe foto të nënës dhe motrës të rrahura nga talebanët. Buzëqeshja në fytyrën e saj zhduket dhe lotët i rrjedhin në faqe, ndërsa tregon se talebanët e kishin penguar familjen e saj të hynte në aeroport dhe i kishin goditur të motrën me qytën e pushkës.

Motra, nëna dhe babai ndodhen ende në Kabul dhe ajo është e frikësuar për ta. I fejuari Aziz Koshan po ashtu e ka familjen në Afganistan. Me largimin e ushtrive të NATO-s mbrëmjen e së hënës, fati i të afërmve të tyre është në dorë të talebanëve.

Çifti është ndër të fundit që mundën të largoheshin, para se SHBA të dorëzonte aeroportin në duart e talebanëve. Organizata që i punësonte, i njoftoi 24 orë përpara dhe ata nxituan në aeroport, pasi më herët kishin groposur në oborr gjithçka që i lidhte me punën e tyre.

Organizatorët u thanë që të linin pas çdo gjë që mund t’i identifikonte, ndaj Fatima dhe Aziz mbërritën në Tiranë vetëm me një palë rroba trupi dhe pak pare xhepi.

Çifti është pjesë e 607 refugjatëve afganë që mbërritën në Shqipëri prej mëngjesit të 27 gushtit dhe ndër të fundit qytetarë afganë që u evakuuan përpara se amerikanët të largoheshin nga Kabuli. Ata janë vendosur në godinat 11-12 në Qytetin Studenti dhe po përpiqen të mësohen me mjedisin e ri.