Nga Boldnews.al
Pak javë më parë, BoldNews.al denoncoi se drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, po shpenzonte plot 100 mijë euro, në dy tendera për foto/video dhe blerje eventi. Një çmenduri, duke parë situatën ku po jetojmë, pas tërmetit, pandemisë dhe së fundi zjarret.
Por, për Gonxhen e partisë interes ka dalja e tij bukur në TV dhe rrjete sociale. Dhe për këtë “pasion” si shefi i tij i vogël, Lali Eri, ai po bën “rrush e kumbulla” fondet e institucionit, ku tashmë ka futur duart edhe te të ardhurat e kolaudimit, pas përfundimit të koncesionit. Në investigimin e mëparshëm ne publikuam dokumentet nga ky tender, ndërsa ditët e fundit, DPSHTRR, ka shpallur fituesin e këtij tenderi.
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Drejtoria e Transportit Rrugor ka përfunduar procedurën e tenderit me objekt “shërbime me video animacione, promo dhe shërbime fotografike”. Kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj nga nënshkrimi, ndërsa fondi për këtë tender ka qenë 58 milionë lekë, ndërsa specifikohet se të ardhurat janë “nga brenda institucionit”. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë “Fredi Electronic”, me ofertë 49 milionë pa TVSH dhe 59 milionë me TVSH. Oferta e dytë ka qenë Elton Koritari, 51 pa TVSH dhe 61 me TVSH. Ndërkohë, oferta e tretë ka qenë e Kristofer Kotro, 48 pa TVSH dhe 58 me TVSH. Megjithëse oferta e fundit ka qenë më e ulët, ajo është s’kualifikuar, duke shpallur fituese ofertën e para atë të “Fredi Electronic”.
Në dokumentet që ka siguruar BoldNews, detajohet edhe shërbimi që kërkon Gonxhe. Dhe janë disa shërbime specifike, si xhirime video, nga një kameraman i specializuar dhe nga montazhier i matetialeve. Xhirimet të jenë me rezolucion maksimal, ndërsa materiali duhet të jetë në disa video dhe të ketë karakter dokumentar. Të jetë 1 minutësh lër Instagram, Facebook, etj. Ndërkohë të ketë xhirime me dron, ose me krane. Gjithashtu, fituesi duhet të sogurojë edhe lidhje live me rrjetet sociale apo edhe me media të caktuara.