‘Lufta’ për Nikola Tesla-n/ Serbia përplaset me Kroacinë se kujt i përket

Mes Serbisë dhe Kroacisë ka plasur debat i madh për Nikola Teslan. Planet e Kroacisë për të vendosur portretin e Nikola Teslas në monedhat e euros kanë nxitur kritika të forta në Serbi, me Bankën Qendrore serbe që kërcënoi se këtë çështje do ta ngrejë në institucionet e Bashkimit Europian.

Tesla, një serb i lindur në territorin e Kroacisë së sotme në vitin 1856, kur vendi ishte pjesë e Perëndorisë Austro-hungareze, është një figurë krenarie për të dyja vendet, që pas luftës kroate për pavarësi ruajnë ende armiqësi të thella.

Inxhinieri dhe pioneri i inxhinierisë elektrike moderne pretendohet nga të dyja vendet. Kroacia ende nuk e ka zyrtarizuar nismën për vendosjen e portretit të tij në monedhën e euros, por synon që ta bëjë këtë brenda vitit 2023.

Përmes një deklarate dhënë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, Banka Kombëtare Serbe tha se vendosja e Nikola Teslës në monedhën e euros do të ishte një gabim. “Do të thotë uzurpimi i trashëgimisë kulturore dhe shkencore serbe, përsa kohë Tesla e identifikonte veten si serb”, thuhet në deklaratë.

Serbia thotë se do të ndjekë të gjitha hapat e nevojshme për ta kundërshtuar këtë plan të Kroacisë, deri te institucionet më të larta të Bashkimit Evropian.

LEXO EDHE  Gjendet pas 2000 vitesh ‘thesari’ i përmendur në Bibël (Foto)

Ideja e Zagrebit ka nxitur kritika në rrjetet sociale mes atyre që e akuzojnë se po vjedh Teslan dhe të tjerëve që mendojnë se Tesla i përket të gjithë botës dhe jo vetëm Serbisë.

Qeveria kroate hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se Tesla ka lindur në Kroaci. Kryeminsitri Andrej Plenkoviç tha se Serbia nuk mund të ketë asnjë ndikim te vendimi i autoriteteve kroate.

“S’e kuptoj pse dhet të jetë probleme për dikë”, tha ai.

Zëvendësi i Plenkoviç, Boris Miloseviç, që është pjesë e minoritetit serb në Kroaci tha se ideja për ta vendosur atë në monedhën e euros e bën krenar.

Hiri i trupit të djegur të Nikola Teslas ruhet në një shtëpi në Beograd. Shkencëtari e përshkruante veten si një qytetar i botës. Ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij si shkencëtar në SHBA, ku edhe u natyralizua.

Tesla regjistron më shumë se 700 shpikje në jetën e tij, përfshirë këtu edhe komunikimin pa kabëll (Wireless), kontrollin nga distanca dhe dritën fluroishente. Disa nga patentat e tij ende mbeten enigmë.