Deklaroi se u trafikua dhe përdhunua, lirohet nga qelia babai i Miss Kosova! Zbulohet arsyeja pse u burgos

Babai i Miss Kosova, Tuti Sejdiut, është liruar sot nga burgu, disa ditë pasi ajo deklaroi publikisht se i ati ishte arrestuar, dhe se ai “luftoi për të” pasi e trafikuan dhe përdhunuan në moshën 13-vjeçare.

Mësohet se shtetasi H. Sejdiu është liruar sot nga paraburgimi. Gazeta Express raporton se ai është arrestuar më 1 korrik të këtij viti nën akuzën e “Kanosjes”, ndërsa ndaj tij Gjykata Themelore e Gjilanit kishte caktuar masën një muaj paraburgim, konkretisht deri më datën 31 korrik të këtij muaji. Por, të njëjtit me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Gjilanit i është ndërprerë masa e paraburgimit.

“Më datë 16.07.2021, Prokuroria Themelore ne Gjilan ka bere kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe gjyqtari ka aprovuar kërkesën dhe ka ndërprerë masën e paraburgimit”, ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.

Në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj H. Sejdiu, thuhet se i ai ka kanosur Kryetarin e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi dhe zyrtarë të tjerë lidhur me një vendim gjyqësor.

Aty theksohet se i pandehuri ka kanosur me fjalët “bre muta, ju shkeli dhe vdes”.

“Me këtë rast janë lajmëruar organet e rendit dhe me datë 01.07.2021, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Me datë 02.07.2021, Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit”, thuhet në aktvendim.

Shtetasi H. Sejdiu është gjykuar dy herë nga Gjykata Themelore e Gjilanit: Në vitin 2019 për veprën penale “kanosje” është dënuar me 90 ditë burgim me kusht për një vit dhe në vitin 2020 për veprën penale “ngacmimi” është dënuar me 7 muaj burgim me kusht për një vit.

DENONCIMI I NGJARJES

19-vjeçarja pasi u shpall Miss Kosova zbuloi se ishte trafikuar në Serbi në moshën 13-vjeçare nga komshiu i saj dhe atje ishte përdhunuar nga persona të ndryshëm. Por sipas Tuti Sejdiut, trafikuesi i saj u dënua vetëm me 13 vite burg dhe u la i lirë, ndërsa familjarët e tij e kërcënojnë vazhdimisht pasi janë komshinj.

“Prej 5-6 vitesh po luftojmë për drejtësi. Personi në fjalë që mi ka bërë ato gjëra, janë familjarët e tij në ato institucione, janë të korruptuar. I bëj apel gjykatave që vendosi dorën në zemër se sot më ka ndodhur mua, nesër i ndodh fëmijës tënd. Si mundesh të ndihesh ti? Unë jam e fortë, me mendje dhe zemër jam pranë tij. I njoh, të gjithë janë të lirë. Ai që ka qenë trafikuesi kryesor është dënuar me 3 vite burg, por nuk është marrë asnjë masë. Më kanë kërcënuar vite radhazi, më kanë ndaluar shkollimin institucionet, mi kanë ndaluar të gjitha. Këtë vit dua të filloj shkollën aty ku më ka mbetur, s’më vjen turp. Por fillimisht e kam prioritetin tek drejtësia.

Ata persona i kam përballë shtëpisë time, janë fqinj me mua. S’ka ditë dhe natë që të mos bëjnë ndonjë reagim, sepse personi që më trafikoi nuk ndodhet aty, se di ku është. S’kam asnjë informacion, familjarët e tij më provokojnë, thonë edhe gjëra të pahijshme por mundohem të shoh rrugën time e të vazhdoj përpara.

RREFIMI I MISS KOSOVES

Gjatë një interviste për PRIVE, ajo zbuloi detaje të reja nga ngjarja shokuese që i ndodhi. Tuti Sejdiu tregoi se e gjitha ngjarja u orkestrua nga dikush që ajo dhe familja e saj e njihnin prej vitesh dhe kurrë nuk e mendonin se do t’i bënte diçka të tillë.

Fqinji i saj trafikoi në Novisad dhe e detyroi të shkojë me shumë meshkuj pa dëshirën e saj për 8 ditë, derisa u gjet nga Interpoli.

“Isha 13-vjeçe kur komshiu im më dhunoi dhe më trafikoi nga Kosova në Serbi. S’dua të jap shumë detaje sepse institucionet ligjore po merren me këtë rast dhe avokati im. Unë i kam tejkaluar të gjithë gjërat që nga kohë kur më ndodhi ajo fatkeqësi. Në fund të ditës nuk jam as e para, as e fundit që i ndodh.

Në atë kohë unë isha fëmijë 13 vjeç dhe nuk e kuptoja gjithçka dhe gjuhën serbe nuk e di, e nuk e kam ditur as atëherë. Në ato momente e kam kuptuar se diçka nuk ishte në rregull. Pashë situatën se si ishte.

Mirëpo ditën e 8, kur shkova në Serbi më shpëtoi Interpoli dhe më solli në Kosovë pranë familjes time. Unë atë kapitull e kam mbyllur nuk merrem me të shkuarën, po luftoj vetëm për t’u vendosur drejtësi. Kur të vendoset drejtësia, s’kam asgjë personale me askënd.

Gjatë atyre 8 ditëve ka qenë ankthi im më i tmerrshëm, s’dija a do të shpëtoja apo jo.

Kur më gjeti Interpoli më çoi në një qendër rehabilitimi dhe prita familjen që erdhi më mori.

Por dersa i kalova ato ditë dhe ato vite, për të arritur deri sot kam pasur shumë vështirësi, më është dashur të bëjë shumë sakrifica për t’i tejkaluar të gjitha këto sfida. Por sfidat të bëjnë shumë të fortë”, rrëfeu ajo.

LEXO EDHE  “Pse e le të ikte?”, Jasmina: Andi nuk ka qenë kurrë i imi

Ndërsa zbuloi arsyet përse vendosi ta bëjë pikërisht tani publike historinë e saj.

“Janë dy arsye pse vendosa që ta bëj publike historinë e jetës sime. Një prej tyre është babai im, për të cilin kërkoj drejtësi dhe e dyta, t’i tregoj të gjitha femrave që s’duhet të heshtim por ta mbajmë kokën lart dhe të flasim. 

“Babi im ka bërë dje 2 javë që është në burg dhe arsyeja që ka hy është për padrejtësinë që më është bërë. Sepse ka kërkuar ndihmë në çdo lloj institucioni në Kosovë dhe jashtë vendit. Besoj se do dalë së shpejti, sepse nuk ka bërë asnjë krim përveçse me ka përkrahur mua dhe ka luftuar për mua. Nuk ndihem në faj sepse babi ka shkuar për mua, të dy kemi luftuar së bashku. Besoj në meshkuj sepse ka edhe të mirë, nuk janë të gjithë si ata që më kanë bërë mua atë gjë. Ndihem e lumtur dhe krenare për babain, se çfarë ka bërë ai për mua. Që nuk dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet asnjëherë për mua. Nuk jam në lidhje, por single. Nëse rri me një mashkull e njoh mirë kush është. Nuk e lejoj as atë dhe asnjë njeri tjetër që të më akuzojë mua. Më ka ndodhur, jo se kam dashur unë. Tani ka kaluar ajo dramë dhe jemi në rregull, merrem me të ardhmen dhe jo të kaluar. Ai që më do më pranon kështu siç jam,”-tha Tuti Sejdiu.

Ajo theksoi se nuk e tregoi historinë e saj për viktimizim apo për famë, siç edhe e kanë akuzuar disa njerëz, por vendosi të marrë këtë hap për babain e saj, i cili ka luftuar për të dhe padrejtësinë që iu është bërë.

Tuti Sejdiu tha se nuk do të heshtë dhe askush nuk mund t’ia mbyllë gojë, si edhe s’do ndikohet nga asnjë koment negativ.

 “Në moshën 13-vjeçare kur më ka ndodhur rasti, kjo sfidë gjithmonë më kanë akuzuar dhe po ta kisha për viktimizim apo famë do e tregoja që vitin e kaluar. Se tregova as për viktimizim, famë apo titull. Kam vendosur që ta tregoj për babin tim, që ka luftuar për mua, për padrejtësinë që më është bërë. S’do hesht pavarësisht komenteve negative. Unë e di të vërtetën, familja ime e di. Siç kanë luftuar ata për mua ashtu do luftoj edhe unë për ata. S’mundet të ma mbyllë askush gojën dhe s’ndikohem aspak nga asnjë koment negativ. Të gjithë ata që më paragjykojnë, i them ishalla nuk jeni ju në lëkurën time për ti përjetuar gjërat që kam përjetuar unë. Më bëni më të fortë,”- përfundoi ajo.

/Panoramaplus.al