Arrestimet e zyrtarëve/ Lubonja: Regjia është Rama, pse SPAK nuk i hapi këto procese para zgjedhjeve?

Analisti Fatos Lubonja ka folur sot në një lidhje ‘live’ në News24, në rubrikën “Opinion” për operacionet e SPAK dhe arrestimet e disa zyrtarëve. Lubonja tha se për të është me regji dhe se regjisor është kryeministri Edi Rama dhe pushteti.

Sipas tij, në krye të mandateve Rama ka bërë operacione të kësaj natyre, për të thënë që tani po ndërtojmë shtetin, teksa pyet më pas pse pas zgjedhjeve këto operacione të SPAK?!

“Përgjithësisht është përdorur fjala regji. Ideja është SPAK është me regji, këto janë veprime që bëhen me regji. Pikëpyetja është cili është regjisori? Nënkuptohet se njëri nga regjisorët kryesorë që mendohet është vetë Edi Rama. Ka një ide që jo regjisori mund të jenë amerikanët, ambasada amerikane, një ide tjetër vetë SPAK po bën një aksion me regji, diçka që është e programuar. Ashtu si mund të ngremë dhe pyetjen mos vallë regjisori është dinakëria e të arsyeshmes? Pra dhe kur ndodhin gjëra për qëllime të këqija dhe arsyeja ka arsye. Unë mbetem i idesë që duke parë hap-pas hapi ngjarjen këtu ka një regji, në vështrimi ne parë regjia është Edi Rama, pushteti. Po të shikosh në krye të mandateve ka bërë operacione të kësaj natyre, që po ndërtojmë shtetin, prishja e ndërtimeve pa leje, puna e dritave, operacion për ata që duhet të mbanin në makina pajisjet mjekësore. Ka pasur aksione të tilla të cilat pastaj janë harruar dhe kanë krijuar idenë, tani po ndërtohet shtet, ky po ndërton, por gjithnjë kemi parë një shtet gjithmonë e më të kapur.

Pse them regji, për shembull se një pyetje mund të ngrihet, ore mirë ky SPAK pse i hapi gjithë këto procese, pas zgjedhjeve dhe jo para zgjedhjeve? SPAK duhet të jetë i pavarur nga politika, e hap procesin kur maturohet.Si ka mundësi e hapi procesin dhe arrestimet u bënë pas zgjedhjeve?”, deklaroi Lubonja.

Qëndrimet e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët dhe ministrat, tonet e ashpra, Lubonja i komentoi si pjesë të regjisë dhe në funksion të propagandës.

“Gjithmonë me idenë që tani do ndërtojmë shtetin, për t’iu thirrur përgjegjësive të tyre shtetërore. Është pjesë e regjisë. Gjithmonë në funksion të një propagande. Duhet të kemi parasysh që peshku qelbet nga koka, jo nga bishti. Kryeregjisori i së keqes në kuptimin e gjithë këtij sistemi që është ndërtuar, korrupsioni, lidhjen e krimit me politikën, është Edi Rama. Këto punë i ka filluar që në bashki, duke e bërë Tiranën nga qytet të qytetarëve, në qytet të oligarkëve, është histori e gjatë, pastaj pastrimi i parave. Të gjitha këto nuk bëhen dot pa një regjisor se është dhe kryedhënësi i lejeve të ndërtimit. Prandaj ai SPAK, në qoftë se shkon deri tek ca nëpunës anonimë, ne mund të njihnim Ndrecën dhe Lleshajn, po ata poshtë jo. Pyetja që ngre çdo njeri, si ka mundësi që në këtë vend, në këtë Shqipëri, ku njeh dreqi të birin, kalokan shifra të tilla e nuk di gjë ministri e sekretari i përgjithshëm? Janë shenja të regjisë dhe propagandës”, tha ai.

A ka një ngjashmëri të aksioneve të SPAK me atë të quajtur “manni puliti” (duar të pastra) në Itali në fillim të viteve ’90? Lubonja thotë që jo, madje flet për eliminim të partive të vogla dhe rrezikun e një partie shtet.

“Manni pulite meqenëse e përdore ka sjellë vërtetë një përmbysje të një klase politike në Itali, por nuk besoj se është në rastin në fjalë. U shkatërrua partia demokrastiane më e rëndësishme në Itali dhe u bë një rikonfigurim se jo të gjithë dolën nga skena, por dolën nga skena politikanë shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht u godit një sistem që kishte të bënte me partitë që financoheshin në mënyrë të paligjshme, nga bizneset. Pra, kapja e partive dhe nëpërmjet kapjes së partive, kapja e shtetit. Mua më duket se jemi shumë larg kësaj. Ajo ndodhi në atë kohë sepse ra muri i Berlinit, iku rreziku i komunizmit dhe disa thonë se CIA ra dakord, por ra dhe arsyeja për të qëndruar këta. Ra një lloj sistemi i ngritur i partitokracisë që kontrollonte shtetin. Unë nuk besoj që në Shqipëri ka rënë partitokracia, jemi në një proces tjetër, në eliminimin e partive të vogla dhe ndërtimin e partisë shtet, e një partie të vetme, Edi Rama që i kërcënon ata në emër të SPAK-ut flet për partinë shtet. Ndërkohë që nuk mund të flasë një politikan në Itali, të kërcënojë me burg. Magjistraturat dolën si forcë jashtë partive dhe kundër partive kryesore. Nuk e shoh këtë në Shqipëri, shoh partinë shtet që bën sikur bën drejtësi, siç bënte Enver Hoxha”, u shpreh Lubonja.

LEXO EDHE  Basha publikon foton e Ramës nga helikopteri: Ia hoqi FA për udhëtimet e tij personale

Lidhur me vijueshmërinë e aksionit të SPAK dhe kë mund të prekë, ai theksoi se mund të shtrihet tek kundërshtarët politikë.

“Aksioni i SPAK mund të vazhdojë në qoftë se është me regji, regjia ka disa objektiva. Aksioni i SPAK mund të shtrihet tek disa figura kundërshtarësh politikë, duke u justifikuar me këto që po bën tani, por që janë figura irrilevante në kuptimin e rëndësisë së partisë. Simbolizojnë 0 që i vijnë mbrapa 1-shit”, tha ai.

Duke i kthyer tek politika dhe sa kjo opozitë mund të shërbejë si kundërpeshë e pushtetit, Lubonja tha se pikëpyetja e madhe është a mundet më të bëhet kundërpeshë?!

“Ju thatë që është politika si në heshtje, por besoj ato që thashë përpara për këto aksione dhe ato janë politikë, nuk janë drejtësi e thjeshtë. Për partitë, kam lexuar komentet lidhur me çfarë duhet të bëjë PD, Mark Marku, Gjekmarkaj që ngrenë me shqetësim se sa parti mund të bëjë opozitarizmin e vërtetë që ka nevojë, dhe unë e ndaj këtë shqetësim. Nuk më duket që PD mund të bëjë kundërpeshën, por pikëpyetja e madhe është a mundet më të bëhet kundërpeshë. Ajo mund të luajë një rol të rëndësishëm por që të bëjë kundërpeshë, duhet të shtojë peshën, të hapet, të fusë sa më shumë njerëz brenda partisë, edhe mbështetës dhe kjo kërkon një rishikim të shumë qëndrimeve, shumë mbylljeve, hapje mendje dhe hapje njerëzore”, tha Lubonja.

Për hapjen e PD dhe ndryshimet e statutit, ai theksoi se Basha nuk mjafton më si një lider për të sfiduar këtë parti-shtet, duhet një lëvizje.

“Ky ishte momenti që mund të hapet, por edhe një moment kur u bë luftë për pushtet brenda partisë. Ajo nuk ndihmoi që partia të hapet, akuzat ndaj njeri-tjetrit nuk e di sa mund t’i shërbejë hapjes. Apo duhet ndryshuar struktura.

Basha edhe për arsye të së kaluarës së tij dhe gjithë problemeve, nuk mjafton më si një lider për të sfiduar këtë parti-shtet, duhet një lëvizje, shumë rryma që bashkohen që kanë një interes të përbashkët dhe që mund të ndahen më pas, por që sjellin një përmbysje”, deklaroi Lubonja.