Afera e Teatrit/ Gjykata Kushtetuese kryqëzon Ramën, nxjerr jashtë loje Veliajn

Nga Boldnews.al

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të gjithë procedurën ligjore të ndjekur nga qeveria “Rama” për Teatrin Kombëtar, ndërkohë që i ka hequr të drejtën kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të vijojë projektin kontrovers për ndërtimin e një godine të re të institucionit kult të artit, pas shkatërrimit të dhunshëm të ndërtesës simbol një vit më parë.

Trupa e gjyqtarëve ka vendosur të shpallë anti-kushtetues atë që konsiderohet si ligji “Fusha”, ose zyrtarisht ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Po ashtu, Kushtetuesja ka shfuqizuar edhe Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 377/2020, nëpërmjet të cilit qeveria i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin, ku ngrihej Teatri Kombëtar.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të gjithë arkitekturën ligjore, nëpërmjet të cilëve qeveria e pas saj bashkia, vendosën rrëzimin e ndërtesës kult dhe synuan t’i hapnin rrugën ndërtimit të një kompleksi rezidencial privat me kulla të larta.

Gjithësesi, Gjykata Kushtetuese, me një vendim 4-3, ka rrëzuar një prej kërkesave të padisë, atë për shfuqizimin e Vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë, për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Por, në një situatë ku Kushtetuesja ka konstatuar shkelje të procedurave pararendëse që çuan në rrëzimin e Teatrit Kombëtar, edhe vetë akti i shkatërrimit të godinës është gjithashtu produkt i paligjshmërisë.

Në foto: Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për “Teatrin Kombëtar”
Në foto: Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për “Teatrin Kombëtar”

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të ligjit dhe VKM-së së shfuqizuar, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të saj.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje, Gjykata Kushtetuese pengon Bashkisë e Tiranës që të avancojë me projektin që tashmë kishte marrë udhë, për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar.

Në fillim të kësaj jave, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

LEXO EDHE  Kokainë, heroinë, armë e municione, Policia e Durrësit arreston 2 persona/ Emrat

Pak ditë më pas, të Enjten, Parlamenti miratoi Aktin Normativ të qeverisë, i cili ndërhynte në buxhet, duke i alokuar Bashkisë së Tiranës një fond prej 900 milionë lekë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Pra, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte çështjen e Teatrit Kombëtar, qeveria, parlamenti një-ngjyrësh dhe bashkia e Tiranës po avanconin projektin e tyre.

Pikërisht, për të ndalur vrullin e paligjshmërisë, Gjykata Kushtetuese urdhëroi pezullimin e veprimeve të mëtejshme.

Një ndër efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është shfuqizimi i aktit të marrjes në pronësi nga Bashkia e Tiranës të truallit të Teatrit Kombëtar.

Pra, tashmë kryebashkiaku Erion Veliaj dhe administrata e tij nuk janë pronarë të atij trualli e, për këtë arsye, ata nuk mund të vijojnë me procedurat për ndërtimin e Teatrit të ri.

Gjykata Kushtetuese e mori në shqyrtim atë që konsiderohet si “afera e Teatrit”, pas një padie të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Më tej, trupa gjyqësore pranoi si “palë të interesuar” edhe Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, një grupim artistësh dhe intelektualësh që protestuan pa u lëkundur për të paktën dy vjet për aferën e Teatrit Kombëtar.

Pasi zhvilloi disa seanca dhe shqyrtoi dokumentat dhe pretendimet e palëve, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ligji “Fusha” cënonte parimin e lirisë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës dhe decentralizimit të pushtetit lokal.

Po ashtu, për Gjykatën Kushtetuese, Vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës cënon parimin e shtetit të së drejtës, sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konstaton një seri shkeljesh të rënda ligjore, të cilat mund të shërbejnë si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj zyrtarëve të lartë, përgjegjës për abuzimin me detyrën në të gjithë procedurat e ndjekura për Teatrin Kombëtar.