Vendimi për Teatrin Kombëtar/ Lubonja: Lajm që ngroh zemrat e shqiptarëve

Analisti Fatos Lubonja komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, duke pezulluar ndërtimin e teatrit të ri dhe shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Në një lidhje me “Skype” për “News24”, Lubonja tha se ky është një lajm i mirë dhe që ngroh pak zemrat e shqiptarëve, që nuk kanë më besim në këtë vend.

“Një lajm i mirë është ky. Është një lajm që ngroh pak zemrat e ftohura të njerëzve, që s’kanë besim fare në atë vend. Duhet parë me rezerva, në kuptimin se është një betejë e fituar. Një koment i parë është se pak njerëz me kuraja mund të ndryshojnë fatet e shumë njerëzve në atë vend. Një koment i dytë është se Gjykata Kushtetuese dihet se nuk është e kontrolluar nga pushteti, nga partia shtet, por rezultati që ka dalë 5 me 2 flet edhe për një integritet të atyre gjyqtarëve që i kemi menduar se mund të jenë instrumente të partisë shtet. Pra, jep kurajo, besim te njerëzit, por gjithmonë mbetet frika se kjo është një qelizë e vogël rezistence, ndërkohë që përmbytja që po bën partia shtet në të gjitha institucionet për t’i kapur e kontrolluar vazhdon.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i lidhur me veprime antiligjore, që meritojnë ndëshkim nga ana e drejtësisë. Nuk jemi të sigurt sa këto hallka mund të funksionojnë, të vënë para përgjegjësisë ata që kanë tjetërsuar këtë pronë, të hetojnë pse është bërë ky tjetërsim, e me radhë, pasi ka shumë bishta prapa. Ne e dimë shumë mirë si u prish teatri. Mënyra si u prish teatri ishte një arrogancë, u bë në një kohë pandemie, kur nuk kishte Gjykatë Kushtetuese, pra u bë në një mënyrë që e shpërfill drejtësinë, sepse thotë që ‘drejtësia jam unë’. Por, nga ana tjetër, këtu hapet një problem për ta. A do të pranojnë strukturat e drejtësisë apo do të fillojnë të përdorin mjetet, që kanë përdorur, për t’i bërë presion, për ta injoruar e neglizhuar drejtësinë. Këtu mbetem skeptik. Por ky lajm tregon se mbetet shpresa, se drejtësia vazhdon të jetojë në ajër”, tha Lubonja.

LEXO EDHE  Karaburuni në flakë, kreu i zjarrfikëses: Nuk kemi mjaftueshëm efektivë për këtë situatë

Më tej, Lubonja foli dhe për akuzat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ndaj ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, duke thënë se “Është minimumi që mund të bëhet ndaj këtyre ambasadorëve, që kanë nëpërkëmbur dinjitetin e shqiptarëve, me mënyrën si janë sjellë. Jo sikur vijnë këtu për të ndihmuar vendosjen e shtetit të së drejtës, por sikur janë bërë pjesë e një bande të partisë shtet. Është e pabesueshme. Soreca është një zhgënjim edhe më i madh se Vlahutin. Njeri që vjen edhe nga jugu i Italisë, ku e di shumë mirë se c’do të thotë një mafie që kap shtetin apo segmente të shtetit. Një njeri që i vijnë të dhënat që kjo mafia italiane flet e thotë se në Shqipëri jemi si në Kalabrinë e viteve 60, dhe ai bën sikur kjo gjë nuk ekziston. Është dyfish përgjegjës. Është e pabesueshme. Qëndrimi që kanë mbajtur ndaj prishjes së teatrit si simbolikë, si sjellje, si mënyrë qeverisje e ambasadorëve”.