I veshur si Mao dhe një orë fjalim, Xi paralajmëron botën: Kina nuk trembet!

Njëqind të shtëna me top për të festuar 100-vjetorin e Partisë Komuniste Kineze përpara turmës në Sheshin Tiananmen. Dhe pastaj, zëri i Xi Jinping, i ngadaltë dhe solemn nga foltorja e portës për në Qytetin e Ndaluar, simbol i fuqisë perandorake.

Një orë fjalim për të kujtuar se Kina e tij është e begatë, e vendosur, është ngritur në këmbë, është krenare dhe e sigurt në forcën e saj dhe nuk do të poshtërohet, sepse është “një mur i madh prej çeliku”.

“Populli kinez nuk ka shtypur kurrë askënd dhe tani nuk do të lejojë asnjë forcë të huaj t’i frikësojë, t’i abuzojë, t’i nënshtrojë, t’i robërojë. Kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do të shtypte kokën dhe do të derdhte gjakun e tij kundër një muri prej çeliku të farkëtuar nga një miliard e katërqind milion kinezë”, – tha presidenti kinez, Xi.

Duartrokitje të fuqishme u dëgjuan nga 70,000 njerëzit në shesh, të zgjedhur me kujdes për muaj me radhë të përgatitjeve. Shtypi shtetëror, nënvizoi më shumë se çdo tjetër fragmentin në të cilin Xi vlerësoi ndërtimin e “xiaokang”, jetën paqësore, të lumtur dhe harmonike të kinezëve dhe siguroi që Partia Komuniste kujdeset për të ardhmen dhe zhvillimin e Kinës.

Këto janë fjalët e tij: “Unë deklaroj në emër të Partisë dhe popullit, se qëllimi i 100-vjetorit të parë është arritur: ne kemi ndërtuar një shoqëri të prosperuar mesatarisht, kemi zgjidhur problemin e varfërisë në Kinë dhe tani nuk do të pranojmë predikimet hipokrite nga ata që mendojnë se janë të drejtë të na japin mësime”.

Udhëheqësi kinez, u paraqit para turmës me një xhaketë me një jakë të mbledhur, gri të lehtë, identike me atë të veshur përgjithmonë nga Mao në portretin e madh që zbukuron Portën e Paqes Qiellore dhe mbizotëron në Sheshin Tiananmen.

Duke u veshur si Mao, themeluesi i Partisë në vitin 1921 dhe i Republikës Popullore në vitin 1949, Xi dëshironte të sinjalizonte vazhdimësinë revolucionare të Kinës, por gjithashtu të ishte drejtuesi i ri i Madh i një super fuqie ekonomike dhe ushtarake me skema globale.

Tani Xi Jinping, ndihet i investuar në misionin historik të përfundimit të punës së Maos, duke e kthyer Tajvanin nën kontrollin e Pekinit: “Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë e njerëzve për të ribashkuar Kinën dhe për të shkatërruar komplotet separatiste të Tajvanit, çështja e sovranitetit dhe integritetit kombëtar do të zgjidhet”.

LEXO EDHE  Tentativë për vr*asjen e kryeministrit Mark Rutte/ Policia arreston politikanin e njohur në Holandë

Një fragment kushtuar edhe Hong Kongut, për të ritheksuar se edhe në ish-koloninë britanike, tani “stabiliteti” mbretëron falë angazhimit të Partisë. Në qytetin, ku Deng Xiaoping kishte premtuar të ruante parimin “Një vend dy sisteme” për 50 vjet, deri në vitin 2047, sot u festua edhe përvjetori i kthimit në tokën amë kineze, më 1 korrik 1997, për shumë vite shënuar nga një kundër-demonstrim demokratik.

Por sot, të gjitha tubimet popullore janë ndaluar, 10,000 policë janë vendosur për të dekurajuar tubimet dhe “Victoria Park” është mbyllur. “Rroftë Partia e madhe, e lavdishme dhe e drejtë Komuniste! Rroftë populli i madh, i lavdishëm dhe heroik kinez!”.

Kështu e përfundoi fjalimin e tij për festën e 100-vjetorit, Xi Jinping, ose Mao i Ri, që ka në dorë një Kinë shumë më të fuqishme se ajo e Themeluesit.

Nuk është rastësi që në ditën e 100-vjetorit të Partisë Komuniste, një raport amerikan zbuloi se në shkretëtirën Gansu, dy mijë kilometra në perëndim të Pekinit, satelitët kanë zbuluar vepra për ndërtimin e qindra aparaturave, që mund të përdoren për të fshehur raketa ndërkontinentale.

Kina ka një arsenal bërthamor relativisht modest: midis 250 dhe 350 koka dhe qindra raketa ndërkontinentale të fshehura nën tokë, krahasuar me mijëra në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fakt, 119 bazat e reja ushtarake në Gansu, do t’i jepnin Xi-së, më shumë letra për të vendosur në tryezë në ndeshjen e Luftës së Ftohtë të zhvilluar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspertë të pavarur në “James Martin Center for Nonproliferation Studies” në Monterey, të cilët po studiojnë fotot e satelitëve komercialë, i thanë gazetës “Washington Post”, se mund të bëhet fjalë për një menaxhim të keq strategjik.

Punimet janë shpërndarë në një sipërfaqe prej një mijë kilometra katrorë dhe disa ose shumë prej kapanoneve, mund të jenë “devijime”, domethënë vrima në tokën e thatë për të simuluar praninë inekzistente (ose aktualisht inekzistente) të raketave.

Këto baza, do ta bënin punën e kontrollit të Pentagonit shumë më të vështirë, duke hapur një front të ri pasigurie në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me aftësinë ushtarake aktuale të Kinës.

Mes këtyre dyshimeve, studiuesit ushtarakë, sugjerojnë se është urgjente që Amerika dhe Kina të diskutojnë mbi kontrollin e armëve bërthamore, midis shumë dosjeve të tjera.(SI)