Prishja e pallateve në Kombinat/ Avokatët e banorëve përgënjeshtrojnë Veliajn: Mashtron, nuk ka fituar asnjë gjyq

Avokatët e banorëve të pallateve që do të shemben në Kombinat nga Bashkia Tiranë, kanë përgënjeshtruar lajmet e shpërndara mesa duket nga kjo bashki në disa media, se gjoja ka fituar gjyqet më banorët lidhur mbi shembjet e pallateve.

Në deklaratën e poshtme për shtyp, avokatët Dorian Matlija dhe Irena Dule kanë parashtruar argumentet përse Bashkia gënjen për proceset gjyqësore.

Postimi i Matlijas:

Me cilësinë e avokatëve të disa banorëve të zones së Kombinatit, të prekur nga tentative për shembjen e godinave të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019,nisur nga qarkullimi i një lajmi të rremë dhe dashakeq të publikuar në disa media për “gjyqin e fituar” nga Bashkia Tiranë për shembjen e pallateve të Kombinatit, kërkojmë të sqarojmë opinionin public si mëposhtë:

Së pari,  Bashkia Tiranë nuk ka fituar asnjë gjyq për pallatet e Kombinatit. Të gjithë proceset gjyqësore janë duke vijuar dhe janë në fazat e hershme të procesit.

Së dyti, ajo që ka “fituar” Bashkia Tiranë është vetëm rrëzimi i një mase sigurie për njërën nga familjen e njërit pallat, ndërkohë që gjykata, me kërkesën tonë, ka dhënë këto ditë disa masa sigurie për familje të tjera dhe pallate të tjerë, që detyron Bashkinë të mos i prekë këto pallate. Në gjykatë janë duke u shqyrtuar edhe disa masa të tjera sigurie dhe një rast negative nuk ka peshë në krahasim me shumë raste kur gjykata ka marrë një vendim pozitiv. Edhe në rastin e rrëzimit të masës së sigurisë që ka ndodhur sot, gjyqi vazhdon, duke gjykuar cështjen pa masë sigurie.

Së treti, gjykata nuk ka publikuar arsyet pse e rrëzoi këtë masë sigurie, pra në këtë moment nuk përmendet as kund në ndonjë vendim gjykate nëse ishte rreziku i jetës së banorëve apo nëse pallatet janë dëmtuar në masën mbi 70%. Ky është një spekulim që mbështetet thjesht mbi pretendimet që vetë Bashkia ka ngritur, por që është kundërshtuar nga mendimi i specializuar i ekspertëve që kanë dëshmuar në process deri tani.

Së katërti, duke qenë se Bashkia Tiranë nuk ka fituar ndonjë gjyq, gjykata nuk i ka dhënë asaj të drejtën për të vazhduar projektin në Kombinat. Projekti prek me dhjetëra pallate dhe asnjëherë gjykata nuk është shprehur për të sepse jemi ende shumë larg përfundimit të procesit në shkallë të parë, pa folur fare për shkallët e tjera të gjykimit.

Së pesti, asnjë objekt nuk po ngrihet në atë zone për të strehuar banorët, ndërkohë që këtyre të fundit u është bërë e qartë që vendi i strehimit do jetë diku tjetër dhe jo në atë zonë.

Së fundi, I bëjmë thirrje mediave që të publikojnë këtë deklaratë krahas lajmit të sipër përmendur, me qëllim që të balancohet ky informacion i prodhuar me porosi. E vërteta është që në shumicën dërrmuese të rasteve masat e sigurisë janë dhënë dhe se të gjithë gjyqet janë në vijim të gjykimit të themelit të padisë dhe asnjë gjyq deri tani nuk është fituar as nga banorët dhe as nga BashkiaTiranë. Kyproces do zgjasë përtej pushimeve verore dhe deri atëherë çdo lajm për “fitore” gjyqi nga Bashkia duhet të merret me reserve maksimale për të mosfabrikuar frikë të panevojshme të banorëve që janë në të drejtën e tyre dhe të vazhdojnë të kenë besim te drejtësia dhe pse jo, edhe te media.

Av. Dorian Matlija

Av. Irena Dule

LEXO EDHE  Transportonin drogë, arrestohen 2 shqiptarë/ FOTO