Flet eksperti: Ja si të dalloni nëse pula është prekur nga gripi i shpendëve

Virusi i gripit të shpendëve H5N8 në vendin tonë ka rritur panikun e qytetarëve për të konsumuar mishin e pulës dhe nënprodukteve të tij, me frikën se fermerë abuzivë mund ti therin pulat e sëmura e ti hedhin në treg.

Deri tani është njoftuar se tre janë vatrat me gripin e shpendëve, në Dajt, Fushë-Krujë dhe një fshat në Tropojë . Gjithashtu është bërë e ditur se vijon hetimi epidemiologjik ku rolin kryesor e luan fermeri, i cili sapo i ngordh një shpend njofton veterinerin e zonës, më pas përcakton zonën e mbikëqyrjes.

Për të folur rreth këtij virusi, ishte sot i ftuar në studion e “Wake Up”, eksperti i ushqimit, Adbyl Sinani.

Prof. Dr., Sinani u shpreh se kërkohet një kujdes i madh dhe se duhet të dimë origjinën nga vjen virusi, në mënyrë që të mos blejmë mish pule në atë vend.

“Kur të shohim një pulë që ka lot në sy, jashtëqitje si ujë dhe e trullosur, duhet që ta izolojmë atë. Jo vetëm atë, por edhe pulat e tjera. Nëse ne dimë zonat që i ka dhënë autoritetet përkatëse, atëherë nuk konsumojmë mishin e marrë atje.  Autoriteti i ushqimit duhet të bëjë analizat. Virusi nuk e prek lehtë organizimin e njeriut, prek proteinën e pulës”, tha eksperti i ushqimit.

LEXO EDHE  FOTO/ Humbi jetën teksa pushonte me familjen, ja kush është ushtaraku 27-vjeçar

Sipas Sinanit, mishin e pulës duhet të ziejmë minimumi në 70 gradë si dhe nuk duhet ta prekim me duar, pasi nuk e di nëse ka apo nuk ka virus.

“Nëse e prekni me duar, aty është rreziku. Por nëse përdorni doreza është në rregull”, tha eksperti i ushqimit, i cili shtoi se porosia kryesore është që të largohesh nga konsumimi i pulës në ato vatrat që janë bërë të ditura se ka virus.

Sinani vijoi duke thënë se mishi futet edhe në sallam, e si pasojë kërkohet një analizë e të gjitha produkteve të mishit të pulës.

I pyetur nëse njerëzit duhet që të rrinë të qetë, eksperti i ushqimit tha “jo”.

“Duke menduar se çfarë hoqëm nga Covid, tani duhet të jemi më të kujdesshëm. Kërkohet një kontroll edhe më i madh. Kohët e fundit është bërë një punë shumë e madhe në drejtim të kësaj. Vetë konsumatori e di që mishi ruhet në një temperaturë të caktuar, e nëse temperatura është më e lartë në supermarketin ku e blen, atëherë kuptohet se mishit i kanë ikur disa proteina”, shtoi Sinani.