Teksa bota po bëhet gati që të udhëtojë sërish, Evropa po dërgon një mesazh të qartë për migrantët: Qëndroni larg! Policia greke, duke lëvizur me mjete të blinduara, po lëshon një zhurmë shurdhuese në afërsi të kufirit me Turqinë. Autoritetet greke po vendosin në këto mjete një pajisje akustike, që shkakton zhurmë si të një motori të një aeroplani.
Kjo është pjesë e barrierave fizike dhe barrierave të reja eksperimentale digjitale, që po instalohen dhe testohen që disa muaj, në kufirin 200-kilometërsh ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, që kanë për qëllim ndalimin e hyrjeve ilegale në Bashkimin Evropian. Një mur prej çeliku, që është i ngjashëm me murin e ndërtuar së fundmi në kufirin SHBA-Meksikë, bllokon pikat kaluese, që kryesisht janë përdorur për të kaluar Lumin Evros, që ndan këto dy shtete.
Në afërsi janë edhe kullat vrojtuese, që janë të pajisura edhe me kamera me rreze të gjatë, me mundësi që të xhirojnë edhe gjatë natës dhe kanë një sërë sensorësh. Të dhënat dërgohen në qendrat e kontrollit, për të parë nëse ka ndonjë lëvizje të dyshimtë përgjatë kufirit. Këto kontrolle bëhen duke përdorur analiza të inteligjencës artificiale.
“Ne do të kemi një pasqyrë të qartë të kufirit për të parë se çfarë po ndodh”, tha për Associated Press, polici Dimonsthenis Kamargios, që udhëheq njësinë e policisë kufitare.
Bashkimi Evropian ka dhuruar tre miliardë euro në hulumtimet për teknologjinë në fushën e sigurisë, pas krizës me refugjatë më 2015-2016, kur mbi një milion persona – shumica prej të cilëve që po iknin nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan – shkuan në Greqi dhe më pas kaluan edhe në shtetet e tjera të BE-së. Rrjeti i automatizuar i vëzhgimit që po ndërtohet në kufiri Greqi-Turqi, ka për qëllim që të detektojë migrantët dhe t’i parandalojë ata që ta kalojnë kufirin, ku do të ketë edhe patrullime në lumë dhe në vendkalimet tokësore, duke përdorur projektorë dhe pajisje akustike me rreze të gjatë veprimi.
Elementet kryesore të këtij rrjeti do të lansohen në fund të vitit, tha Kamargios.
“Puna jonë është që të parandalojmë migrantët që të hyjnë ilegalisht në shtet. Për këtë gjë, ne na duhen pajisje moderne”, tha ai.
Hulumtuesit në universitetet në mbarë Evropën, duke punuar me firmat private, kanë zhvilluar teknologji futuriste për vëzhgim dhe verifikim, dhe ka testuar dhjetëra projekte në kufijtë grekë. Detektorët e gënjeshtrave, të bazuara në inteligjencën artificiale janë zhvilluar si dhe janë projektuar edhe intervistat në kufi të kryera përmes robotëve. Po ashtu janë shtuar përpjekjet për të integruar të dhëna satelitore me pamje nga dronët, nga toka, ajri dhe deti.
Testimet për këto janë kryer në Hungari, Letoni dhe në vendet e tjera në lindje të BE-së. Gjatë pesë vjetëve të fundit, një strategji më agresive migratore është shtyrë përpara nga politikanët evropianë, të cilët kanë financuar marrëveshje me shtetet e Mesdheut, që janë jashtë bllokut, me qëllim që ata të mos lejojnë migrantët të hyjnë në BE dhe duke e shndërruar agjencinë e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex, nga një mekanizëm koordinues në një forcë multinacionale të sigurisë.
Por, marrëveshjet rajonale për migrimin, e kanë ekspozuar BE-në ndaj presionit politik nga fqinjët. Në muajin maj, vetëm gjatë një dite, disa qindra migrantë kaluan nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceuta, duke shtyrë Spanjën që ta dërgojë ushtrinë në këtë enklavë. Një krizë e ngjashme ndodhi vitin e kaluar edhe në kufirin greko-turk dhe kjo krizë zgjati tri javë. Greqia po kërkon nga BE-ja që ta lejojë Frontex-in që të patrullojë jashtë ujërave të saja territoriale, me qëllim që të ndalojë migrantët që të arrijnë në Lesbos apo në ishuj të tjerë grekë, që është rruga më e zakonshme për kalime ilegale për në Evropë, që është përdorur vitet e fundit.
Të pajisur me mjete të reja teknologjike, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit, po anojnë edhe më tej jashtë kufijve. Jo të gjitha programet e vëzhgimit që po testohen do të përfshihen në sistemin e ri të detektimit, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se këto teknologji të reja do ta bëjnë edhe më të vështirë për refugjatët, të cilët po ikin nga luftrat dhe kushtet e këqija, për të gjetur një strehë të sigurt.
Patrick Breyer, një ligjvënës evropian nga Gjermania, e ka çuar në gjyq hulumtimin e BE-së, duke kërkuar që të bëhen publike detajet e programit të detektorëve të gënjeshtrave, që funksionojnë me inteligjencë artificiale.
“Çfarë po shohim në kufij dhe trajtimi i shtetasve të huaj në përgjithësi, është se shpesh ata janë një fushë testimi për teknologjitë, që më pas përdoren gjithashtu edhe ndaj evropianëve. Prandaj, të gjithë duhet të brengosen për këtë”, tha Breyer për AP.
Ai u bëri thirrje autoriteteve që të lejojnë një mbikëqyrje më të madhe sa i përket metodave që përdoren për vëzhgimet kufitare, me qëllim që të rishikohen shqetësimet në aspektin etik të këtyre metodave si dhe për të parandaluar shitjen e kësaj teknologjie përmes partnerëve privatë te regjimet autoritare jashtë BE-së.
Ella Jakuboëska, nga grupi për të drejtat digjitale, EDRi, argumenton se zyrtarët e BE-së po adaptojnë “zgjidhje teknologjike”, që nuk kanë për bazë shqetësimet morale kur bëhet fjalë për trajtimin e çështjes komplekse të migrimit.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese që herë pas here, BE-ja financon në teknologji jashtëzakonisht të shtrenjta që përdoren në mënyra që kriminalizojnë, eksperimentojnë dhe dehumanizojnë njerëzit”, tha ajo.
Fluksi i migrantëve u ngadalësua në shumë pjesë të Evropës gjatë pandemisë, duke ndërprerë rritjen e numrit të migrantëve gjatë viteve të fundit. Në Greqi për shembull, numri i migrantëve ra për 78 për qind, përkatësisht më 2019 në këtë shtet kishin hyrë pothuajse 75 mijë persona, ndërkaq më 2020, numri i migratëve ishte 15.700.
Por, presioni sigurisht që do të rikthehet. Ndërmjet viteve 2000 dhe 2020, popullsia botërore e migrantëve është rritur mbi 80 për qind, duke arritur në 272 milionë, thonë të dhënat e Kombeve të Bashkuara.
Në fshatin kufitar grek, Poros, diskutimi i mëngjesit në kafenenë e fshatit ishte për krizën e fundit mes kufirit spanjoll dhe maroken.
Shumica e shtëpive në këtë zonë janë të braktisura dhe pranë shembjes dhe jeta po i përshtatet këtij realiteti.
Panagiotis Kyrgiannis, një banor i Porosit, thotë se muri dhe masat e tjera kanë parandaluar plotësisht që migrantët ta kalojnë kufirin ilegalisht.
“Jemi mësuar që t’i shohim teksa kalojnë përmes fshatit në grupe nga 80 deri në 100 njerëz”, thotë ai. “Ne nuk frikësohemi… ata nuk duan që të jetojnë këtu. E gjithë kjo që po ndodh rreth nesh, nuk ka të bëjë me ne”, shton ai./REL