Fushata në PD/ Basha: Nuk njoh rezultatet e manipuluara të zgjedhjeve

Kreu demokrat Lulzim Basha, në vijim të fushatës brenda PD, për postin e kreut të kësaj partie, i cili do të zgjidhet nga anëtarësia më 13 qershor, ka vijuar takimet me demokratët e Njësive n.1, n.2 dhe n. 3 në Tiranë.

“Ta përdorim 13 qershorin për të shpalosur vlerat e garës së brendshme, për të dalë të bashkuar dhe për të dhënë një sinjal të fortë se këtë betejë do ta vazhdojmë për njerëzit deri në fitore”, iu drejtua Basha, anëtarëve të PD, duke shtuar se me 25 prill në Shqipëri nuk është kryer thjesht një masakër zgjedhore por ka rënë demokracia. 

“Ne do vazhdojmë të luftojmë më gjithë forcën tonë, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.

Ai tha se kudo ku ka shkuar, kudo ku ka takuar bashkëluftëtarët, demokratet dhe demokratët, ka parë se si gjendja shpirtërore e tyre dhe e shqiptarëve ka evoluar nga ajo e shokut dhe tronditjes, e dëshpërimit dhe zhgënjimit, në një gjendje zemërate dhe tashmë vendosmërie.

“Më kujton të njëjtat ndjenja të cilat kam përjetuar si 17 vjeçar në 31 marsin e vitit ‘91. Në orët e para, ku në atë që është sot dega 8, kandidonte përballë diktatorit të fundit komunist, inxhinieri i ndjerë Franko Kroqi, deri në orët e fundit të numërimit ku siç e dini rezultati ishte fitorja e Partisë Demokratike në atë zonë, për t’i lënë vend shokut të rezultatit në nivel kombëtar dhe një goditje akoma më të rëndë dy ditë më vonë në Shkodër, ku një protestë e nisur nga gjimnazistët e “Jordan Misja” përfundoi me katër martirët e demokracisë. Njësoj si në ‘91 edhe 25 prilli ishin zgjedhje pa zgjidhje. Njësoj si atëherë por akoma më keq se në ‘91, akoma më keq se në 2001, u bënë bashkë shteti dhe partia dhe paratë e derdhura lumë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, tjetërsuan vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Por Basha shtoi se përkundër kësaj masakre zgjedhore, përkundër dhe pikërisht për shkak të përballjes me këtë makineri kriminale, ju dolët si njerëz të qëndresës, si njerëz të vlerave, ja dolët të përballeshit dhe jo vetëm të përballeshit, jo vetëm të qëndronit, jo vetëm mos të përkuleshit, por të rriteshit, të forcoheshit.

“Ajo që kemi marrë përsipër shkon përtej nesh, shkon përtej Partisë Demokratike, janë fatet e Shqipërisë, janë fatet e shqiptarëve që kemi marrë mbi supe në betejën e 25 prillit.

Kush tjetër përveçse Partisë Demokratike të Shqipërisë, si e vetmja forcë politike që posedon jo vetëm përvojën dhe meritën, por edhe teknologjinë e rrëzimit të regjimeve? Ndaj, dua t’ju them fare hapur se ndodhemi para një momenti të veçantë. Një momenti të veçantë për Shqipërinë mbi të gjitha.

Ne jemi këtu të bashkuar në një proces statutorë unik për partitë politike në Shqipëri, në Ballkan dhe shumë të rrallë në Europë, zgjedhjen një anëtarë një votë të kryetarit të partisë.

Kjo është një vlerë e shtuar jo vetëm për arsenalin tonë për të bindur shqiptarët për të na ndjekur në kauzat tona, në rrugën tonë, por është një vlerë e shtuar në tërësi emancipuese për demokracinë, plotë probleme dhe zikzake 30 vjeçare të Shqipërisë. Është një vlerë e shtuar të cilën më 13 qershor dhe çdo ditë deri më 13 qershor ne duhet ta nderojmë duke u angazhuar në këtë proces si demokrat, si qytetarë, si europian dhe duke e përmbyllur këtë proces me dinjitet, me qytetari dhe me vlerat më të larta të demokracisë.

Duke demonstruar kështu para shqiptarëve se përballë ortekut të amoralitetit, të kriminalitetit, të korrupsionit, të harbutërisë, që kurrë nuk do ja toleronim në shtëpinë tonë, askujt. Të anti-vlerave dhe kampioni i tyre, Shqipëria jo vetëm që ka një alternativë, por ka një alternativë të kulluar vlerash që nisin nga brenda familjes tonë.

Nuk i njoh rezultatet e tjetërsuara dhe vullnetin e tjetërsuar të 25 prillit. Dhe së dyti, se përgjigjja e prerë ndaj ofertës për bashkëpunim pa vija te kuqe dhe fletëve të bardha e të zeza të Edi Ramës është një jo e prerë dhe finale.

Nuk besoj se Edi Rama ka pritur diçka tjetër prej meje, ndaj këtu vijmë tek rreziku i dytë disavantazhi i kësaj gare në këto momente dhe instrumenti i dytë që Edi Rama po përpiqet të zhvillojë është po kështu një instrument i njohur, i vjetër dhe i dështuar. Ai e di fare mirë se nga kjo betejë Partia Demokratike nuk ka dale më e vogël, por më e madhe seç hyri dhe se kam fjalën vetëm për numrat e votuesve, nuk e kam fjalën vetëm për numrat e mandateve, por e kam fjalën për atë përmasë të madhështisë morale që na dha fakti që u përballëm me kriminelët dhe horrët me njerëz të ndershëm, me intelektuale, me njerëz të sakrificave”, tha Basha.