Shehi: Jo bashkëqeverisje me PS, ja si mund të bashkëpunohet

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi bëhet i pari nga opozita që pranon rezultatin e zgjedhjeve. Në emisionin “Opinion” ai tha se gjithsesi opozita do të kërkojë të bëjë transparencën e votave deri në fund duke kërkuar rinumërim të votave të pavlefshme dhe të votave në qarqe të caktuar ku rezultati është shumë i ngushtë.

Gjithsesi Shehi tha se opozita do të hyjë në parlament në shtator për të vijuar edhe aty betejën politike. I pyetur në emisionin “Opinion” se si mund të ishte një bashkëpunim mes PD dhe PS ai tha ka disa fusha ku kjo mund të ndodhë, por jo deri në bashkëqeverisje për të cilën u shpreh kategorikisht kundër.

“Partia Demokratike do të futet në Parlament, është pranuar. Është pranuar produkti i këtyre zgjedhjeve dhe PD-ja do të futet në Parlament.

Nëse Rama thotë se nuk ka vija të kuqe bashkëpunimi, unë Dash Shehi po shkruaj te kjo ‘carta bianca’ që kësaj bashkëqeverisjes i kam vënë një kryq.

Tjetra që do bëjmë është një gjë që do të çarmatosë Ramën dhe në të mirë të Shqipërisë. Linja për bashkëpunim që duhet lënë e hapur është linja e Europës. Jemi të hapur ta mbështesim çdo lloj hapi që bëhet për integrimin në Europë.

E dyta është ligji zgjedhor. A do flasim ndonjëherë për këtë? Është ndarë Shqipëria gjysmë lejla e gjysmë blu për një grusht votash. Nga këtu fillon reforma për Shqipërinë, ky është ligji primar.

E treta hajde ta ribëjmë ndarjen territoriale. Është bërë në funksionon elektoral. Sot kush vihet në Bashkinë e Tiranës e vendos edhe në Zllabastar ndonjë bari andej. Unë kam menduar dhe se gjithmonë duhet të ketë komuna në bashkitë e mëdha. Duhet një ligj i ri për zgjedhjet lokale.

Ndërsa për pronën duhet një reformë e re, por ky është detyrimi ynë. Nëse PS-ja jep koncensusin unë i ngre të dy duart.

Duhet ndryshuar edhe mënyra se si zgjidhet presidenti. Do ta kemi vitin që vjen dhe unë mendoj se duhet të kthehemi te mënyra me 2/3 e votave që të ketë konsensus mes palëve.

Ditën që zoti Rama të thotë hajde të ndajmë “tepsinë e pilafit” se mund të ketë edhe nga ana që kanë qejf, mua nuk më kanë me vete. Nëse bëhet kjo që thashë, jam i pari që ngrihem,” – tha Shehi.