Plagosja e sekretarit të PD në Kavajë, mes autorëve edhe një polic bashkiak/ Detajet e plota

Bledar Okshtuni, 27 vjeç, sekretar i PD në Kavajë, mbeti sot i plagosur pas një sulmi me armë ndaj zyrës elektorale në këtë qytet.

Autorët e krimit u identifikuan si Ndricim Jonuzi, i cili ka pasur edhe armën e zjarrit, si dhe shtetasit Markel Shtylla dhe Dorian Troplini, i cili është polic bashkiak.

Rezulton se Ndriçim Jonuzi allias Ndriçim Tahiri, rezulton me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës ndërsa në 2007 është dënuar me 8 vite heqje lirie dhe ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai u fsheh në zonën e Kavajës deri kur u arrestua në 2014. Gjatë ditës mes tij dhe përfaqësuesve të PD ka pasur një konflikt.

I plagosuri është transportuar drejt spitalit rajonal në Durrës, për të marrë ndidhmë mjekësore, ndërsa me dhjetra militantë të PD janë mbledhur pranë zyrës elektorale, ku akuzojnë Kryeministrin Edi Rama.

Policia ka shpallur në kërkim autorin Ndriçim Jonuzi. Uniformat blu bënë me dije se pas një konflikti verbal mes tyre, Jonuzi është futur brenda zyrës elektorale të PD në qendër të qytetit dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 27-vjeçarit Okshtuni duke e plagosur në këmbë këtë të fundit.

Ngjarja në fjalë më e rënda deri më tani pë fushatën zgjedhore solli reagime të forta nga opozita. Kreu demokrat Lulzim Basha e konsideroi një akt burracak, ndërsa tha se përgjigjia më e mirë do të jepet në datën 25 prill, ku qytetarët do të largojnë me votë Edi Ramën.

LEXO EDHE  Partia Demokratike në rrezik
Bledar Oshtuni, i plagosuri

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kavajë ku u plagos njër prej anëtarëve të zyrës elektorale të PD-së, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Në një postim në Twiter, Rama shprehet se autori duhet të vihet para drejtësisë sa më shpejt. Ai gjithashtu i bën thirrjes kreut të Partisë Demokratike të bashkohet me të për këtë ngjarje.

Tensionet në fushatë

Gara për zgjedhjet e 25 prillit është konsideruar mjaft e nxehtë, ndërkohë që pak ditë para se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit situata agravoi në përdorimin e armëve.

Në fakt, tensionet për 25 prillin nisën para se fushata të niste zyrtarisht më 25 mars, shkruan abcnews.al.

Përplasja e parë nisi në Tiranë, në selinë e partisë Fryma e Re Demokratike, ku bashkia i kërkonte kryetarit Sali Shehu që të lironte zyrat. Në këtë situatë u përfshi edhe presidenti Ilir Meta, i cili u përplas fizikisht me policët bashkiakë.

Më pas, tensioni zhvendoset në Elbasan. Dita e Verës, simboli i festës së qytetit u kthye në një fushë-betejë mes PS dhe PD, ku simpatizantët u përplasën fizikisht me njëri tjetrin.

Të dy palët kanë fajësuar njëri-tjetrin për provokim. Pak ditë më vonë, situata përsëritet në Elbasan, ku kandidati i PD, Luçiano Boçi u përlesh me biznesmenin Gjergj Luca. Demokrati e akuzoi biznesmenin se e kishte kërcënuar me jetë, ndërsa ky i fundit u mor në mbrojtje nga kryeministri Edi Rama.