Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka firmosur marrëveshjen me shoqatën kombëtare të biznesit të vogël dhe të mesëm.
Basha tha se Partia Demokratike ka si prioritet sipërmarrjen e lirë shqiptare e në veçanti sipërmarrjen e vogël e të mesme.
Kreu i opozitës, këtë marrëveshje e ka quajtur një hap drejt qëllimit madhor të PD për ringritjen ekonomike, zgjimit kombëtare ekonomik, hapjes së vendeve të punës dhe rritjes së pagave për shqiptarët.
“Ju jeni një pasuri, një thesar, ju jeni forca që lëvizi vendin më të varfër të Europës në vitet 90’ nga një varfëri ekstreme që mund të krahasohej vetëm me vendet më të varfra të Afrikës. Ju jeni pra shpirti i sipërmarrjes, shpirti i lëvizjes përpara të shoqërisë. Asnjë shoqëri europiane nuk ka ecur përpara pa i dhënë sipërmarrjes së mesme dhe të vogël vendin që i takon. Qëllimi kryesor i Shqipërisë, qëllimi kryesor i shqiptarëve pa dallim bindjes politike është anëtarësimi në Bashkim Europian. Ky është objektivi kryesor i Partisë Demokratike. Sepse anëtarësimi në Bashkimin Europian do të garantojë njëherë e përgjithmonë që kurrë të mos përsëritet një cikël 8-vjeçar apo qoftë edhe 4-vjeçar si ky që do lëmë bashkë pas me datë 25 prill. Një cikël pasigurie, terrori, masash të njëpasnjëshme që kanë goditur në palcë ekonominë duke goditur në veçanti sipërmarrjen e vogël. Kjo është arsyeja pse jemi rreshtuar në krahun tuaj. Kur u rritën çmimin e energjisë që ishte fillimi i rënies ekonomike dhe i goditjes së biznesit të vogël. Kur insistuan për kasa fiskale vetëm e vetëm për të bërë tendera fiktivë dhe për t’ju zhvatur ndërkohë që asnjë shërbim real nuk erdhi në kuptimin e formalizmit apo të përmirësimit të gjendjes ekonomike”, tha Basha.
Kreu demokrat u shpreh se sot jemi në një krizë të thellë ekonomike që është produkt i 8 viteve dështimesh dhe vendimesh anti-biznes.
“Sot jemi në një situatë ku 3, 4 apo 5 njerëz që i thonë vetes biznesmenë por që jam i bindur që pa shtetin nuk hapin dot një kioskë jo më biznes, janë oligarkë që jetojnë si shushunja në biznesin e ndershëm, mbi kurrizin e taksapaguesve shqiptarë dhe kemi gjithë botën tjetër të biznesit që mezi po pret çlirimin me datën 25 prill. Dhe kam kënaqësinë që disa nga aspektet kryesore të çlirimit të klimës pozitive ekonomike, të zhvillimit që do të pasojë, t’i njoftojmë sot në këtë paketë, në këtë marrëveshje me Shoqatën e biznesit të Vogël e të Mesëm të Shqipërisë dhe Partinë Demokratike”, shtoi ai.
Basha theksoi se duke njohur faktin se rritja dhe fuqizimi i ekonomisë shqiptare do të mundësohet etëm nëpërmjet rritjes së konkurueshmërisë së biznesit të vogël dhe të mesëm, kualifikimit të forcës punëtore, rritjes së inovacionit dhe zhvillimit teknologjikë, duke njohur faktin se Shqipëria ka detyrimin të përshtasë politikat e saj në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm me politikat e Bashkimit Europian si detyrim thelbësorë ndaj marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe do të shtoja edhe si besimi i pa tundur i Partisë Demokratike edhe i imi personal.
“Nisur nga fakti se Shqipëria është ndër vendet e fundit në Europë sa i përket inovacionit dhe konkurueshmërisë ekonomike.
Nisur nga fakti, se qeveria e sotme është jo meritokratike, politike thellësisht e pa aftë për të prodhuar politika në mbështetje të biznesit të vogël dhe të mesëm.
Duke njohur faktin se në këto vite arbitrariteti dhe arroganca e qeverisë, taksat e rritura eksponencialisht, mbështetja haptazi e ortakëve, oligarkëve, klientëve që kanë njohje dhe lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin kanë krijuar klimën më të rëndë dhe të pa pranueshme për të bërë biznes në Shqipëri, me rezultat falimentimin, evazionin fiskal dhe informalitetin e lartë.
Nisur nga fakti që hapësirat ekonomike ku bizneset konkurruese mund të zhvillohen janë shuajtur duke sjellë falimentimin e pa precedent të dhjetëra, mijëra biznese të vogla dhe të mesme. Nisur nga kriza e thellë ekonomike dhe sociale që vendi po përjeton prej vitesh si dhe nga efektet shkatërruese të pandemisë mbi ekonominë shqiptare e cila është lënë nga qeveria në ikje në mëshirë të fatit.
Nisur nga fakti se politikat ekonomike të qeverisë kanë dështuar plotësisht duke eleminuar transparencën, konkurrencën e lirë dhe të ndershme në vend si dhe duke prodhuar korrupsion të rëndë, fakte që kanë sjellë rënien e ndjeshme të besimit të investitorëve vendas dhe të huaj në ekonominë shqiptare, nisur nga fakti se qeveria me vetëdije të plotë ka ngritur një sistem ekonomik ku vetëm të preferuarit e saj shpërblehen dhe ku një grusht oligarkësh kontrollojnë sot efektivisht të gjithë sektorët e rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, nisur nga faktet se në vitet e fundit investimet e huaja direkte kanë rënë në mënyrë dramatike dhe sot jo vetëm nuk ka më investitorë të huaj serioz që e zgjedhin vendin tonë por shumë prej tyre janë larguar duke vënë në rrezik stabilitetin makroekonomik të vendit, ne, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Shoqata e Biznesit të Vogël në Shqipëri deklarojmë me përgjegjësi të plotë publike nënshkrimin e kësaj marrëveshje”, tha Basha.
Marrëveshja
Lidhur me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme Partia Demokratike në qeverisje të vendit angazhohet tërësisht për të mundësuar mbështetjen e fuqishme dhe të menjëhershme ndaj biznesit në tërësi dhe biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti nëpërmjet: çlirimit të tregut nga oligarkia, krimi dhe burokracia, qeverisjes nëpërmjet konceptit të shtetit të vogël por efecient me prioritet të sipërmarrjes së lirë dhe ku shpenzimet qeveritare janë të ulëta dhe investimet publike janë të larta, uljen e menjëhershme të barrës fiskale si instrument thelbësor për të rindezur motorin ekonomik të vendit, përmirësimin rrënjësor të klimës së biznesit, reduktimin drastik të burokracisë shtetërore, shndërrimin e Shqipërisë në 30 vendet më tërheqëse në botë për thithjen e investimeve të huaja direkte, thellimin e reformës rregullatore me synimin e transformimit rrënjësor të sistemit të lejeve, licencave, inspektimit me qëllim luftën ndaj korrupsionit, uljen e kostos për biznesin dhe eleminimin e arbitraritetit qeveritar, rritjen e transparencës dhe të konkurueshmërisë në treg, mbështetjen biznesit të vogël- të mesëm për inovacionin e zhvillimit teknologjik sipas modelit të vendeve më të zhvilluara në Europë
Masa të rëndësishme rregullatore dhe fiskale të cilat do të përfshijnë: inspektoriatet e çdo lloji do të riorganizohen me një formë gjithëpërfshirëse, paralelisht me këtë reformë të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12 mujore gjatë të cilës do të inspektohen por nuk do të gjobiten. Pra një moratorium mbi gjobat për 12 muaj. Koha e inspektimit për vit do të ulet ndjeshëm, 2-5 ditë për biznesin e vogël dhe të mesëm, 5-15 ditë për biznesin e madh dhe vetëm sipas analizës së riskut. Reformë e thellë fiskale që do të realizohet brenda 90 ditëve të para të qeverisjes sonë, përmes:
A) Rritjes së kufirit të regjistrimit për TVSH-në në 14 milion lekë të reja, që do të jetë një kufi i vetëm, si për TVSH-në ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat. Vendosjes së totalit të taksave dhe tarifave vendore, një tavan prej 0.5 % të xhiros vjetore. Dua të ndalem këtu.
B) Vendosja e totalit të taksave të tarifave vendore me 0.5% të xhiros vjetore. Ky është angazhimi ynë. E kemi diskutuar, e kemi shpallur, jo prej muajsh por prej vitesh, për të hedhur poshtë çdo gënjeshtër dhe çdo mashtrim që lidh këtë me taksën e sheshtë 9% që aplikohet për biznesin e madh. Jo, biznesi i vogël, pra çdo sipërmarrje me xhiro nën 140 milion lekë të vjetra në vit do të ketë një tavan të taksave dhe tarifave vendore prej jo më shumë se 0.5 %. Sigurisht do ti inkurajojmë ti kenë edhe më të ulëta, por nuk do ti lejojmë në asnjë rast të jenë më të larta. Kufizimin me ligj pra të taksave vendore për të mundësuar këtë tavan çfarë do të sjellë edhe reduktimin e ndjeshëm të detyrimeve fiskale. Pagimin e kuotave fikse nga biznesi i vogël do ta shoqërojmë me marrjen e një pulle fiskale, ngjitja në vitrinë e të cilës është edhe ndalim kalimi apo shenja stop për kontrollin dhe inspektimin. Pulla fiskale në ambientet e bizneseve të vogla që është një zotim i kahershëm i planit tone ekonomik, që është padiskutim edhe një nga elementët që ne kemi hartuar, diskutuar, që është mirëpritur gjerësisht nga të gjitha sipërmarrjet e vogla dhe të mesme anembanë Shqipërisë.
Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore në masën 18%. Shfuqizimin me efekt të menjëhershëm të taksës Rama për karburantet për rreth 24 lekë për litër. Kjo do të ketë një efekt të menjëhershëm tek biznesi i vogël, por po kështu dhe biznesi i madh dhe ekonomia në tërësi. Metodologjia e caktimit të çmimit të energjisë për biznesin njësoj si dhe për popullatën do të reformohet tërësish dhe çmimi i energjisë për biznesin do të ulet ndjeshëm. Për çdo zhvillim teknologjik dhe informatikë, biznesit të vogël dhe të mesëm do ti lihet një afat kohor i arsyeshëm për implementimin e tij.
Në të njëjtën kohë qeveria do të ketë detyrimin ligjor të bëjë rimbursimin e kostove përkatëse. Këtu dua të ndalem dhe të theksoj se projekti i tretë apo i katërt i fiskalizimit, një projekt thellësisht korruptive do të abortohet do të hetohet, përgjegjësit do të çohen para ligjit dhe çdo pagesë e kryer deri në marrjen e përgjegjësive të qeverisjes nga Partia Demokratike do të rimbursohet nga qeveria ime e ardhshme. Adaptimin e kritereve mbështetëse për biznesin e vogël dhe të mesëm, për akses prioritar në furnizime me mallra dhe shërbime të sektorit publik.
Praktika e sotme ku të gjitha prokurimet publike shkojnë në xhep të disa oligarkëve, ndërsa nënkontraktohet caktohen me kushte skllavërues do të marrë fund. Për këtë qëllim Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet se në qeverisje të vendit do të mbështesë në frymën e kësaj marrëveshjeje , veprimet dhe aksionet e shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesit të Shqipërisë, për mbrojtjen e interesit të saj të ligjshme.
Shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm të Shqipërisë merr angazhimin për të mbështetur fuqimisht politikat dhe programet që ka si objektiv rritjen ekonomike të vendit të tërësi dhe mbështetjen e zhvillimin e biznesit të vogël në veçanti. Si dhe angazhohet të informojë bizneset për çdo ndryshim ligjor të marrë në konsultim me qeverinë. Ajo do të organizojë takime me sipërmarrësit e vegjël dhe do të konsultohet me çdo përfaqësues të biznesit në qendër dhe në rrethe dhe do të krijojë kushte lehtësira në luftën ndaj evazionit fiskal, informalitetit dhe korrupsionit. Pastaj janë dispozitat e hyrjes në fuqi dhe kohëzgjatja.
Marrëveshja hynë në fuqi sot dhe zbatimi nis në ditën e parë të qeverisjes së re të dalë nga vota e 25 prillit.