U përball me KPK, çfarë ndodhi në seancën e gjyqtares Marsela Dervishi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme lidhur me kriterin e pasurisë dhe figurës për gjyqtaren Marsela Dervishi, ndërsa ajo kundërshtoi gjetjet lidhur me ankesat e kryera për vonesa e zvarritje të proceseve.

Gjyqtarja Marsela Dervishi e Gjykatës së Fierit u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Dervishin kryesohet nga Xhensila Pine, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Marsela Dervishi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Aktualisht, Dervishi është kandidate për t’u promovuar në Apel, pas shpalljes së vendeve vakante nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Gjatë seancës dëgjimore nuk u identifikuan probleme domethënëse në asnjë prej kritereve të rivlerësimit.

Komisioni i ka gjetur të sakta deklarimet e subjektit për blerjen e një automjeti tip “Wolksvagen” në vitin 2022 kundrejt shumës 400 mijë lekë dhe për krijimin e një depozite në 2013-ën në vlerën 872 mijë lekë të dhuruar nga gjyshërit.

Si burim për blerjen e makinës subjekti ka deklaruar kursimet, ndërsa për krijimin e depozitës, ajo ka shpjeguar se gjyshërit i kanë kaluar në llogari vlerën që ata kishin në një depozitë në emër të tyre. Komisioni i ka gjetur të vërteta deklarimet e Dervishit për këto pasuri. Nga hetimi administrativ janë konfirmuar deklarimet e subjektit edhe për një marrëveshje huaje overdraft në vitin 2016 për shumën 240 mijë lekë.

Relatorja Shuli tha se verifikimit i janë nënshtruar edhe deklarimet dhe pasuritë e bashkëjetuesit të gjyqtares Dervishi, z.I.N. Ky i fundit ka deklaruar në vitin 2015 likujditete jashtë sistemit bankar në vlerën 1.3 milionë lekë.

Si burim krijimi të kësaj vlere, ai ka deklaruar dhurimin e shumave të pensioneve të prindërve për periudhën 2009-2015.

Subjekti ka shpjeguar se prindërit e bashkëjetuesit janë transferuar të jetojnë prej vitit 2009 në Kanada, tek djali tjetër. Ajo ka sqaruar se pensionet e tyre janë tërhequr nga tezja e bashkëjetuesit dhe bashkëshorti i saj, të cilët me një pjesë kanë paguar detyrimet për një kredi që I.N. ka marrë, ndërsa pjesa tjetër është ruajtur si kursim.

Si burim për krijimin e likujditeteve bashkëjetuesi i subjektit ka deklaruar edhe të ardhurat nga shitja e një livadhi në vitin 2005 nga babai i tij kundrejt vlerës 700 mijë lekë, pasuri që ishte përfituar në vitin 2000 me vendim të Komisionit të Kthimit të Kompesimit të Pronave.

Relatorja Shuli tha se nga verifikimet e kryera prej Komisionit deklarimet e gjyqtares Dervishi dhe bashkëshortit të saj kanë rezultuar të vërteta dhe të provuara.

Pa probleme ka rezultuar edhe kredia në shumën 790 mijë lekë e marrë prej bashkëjetuesit në vitin 2011.

Komisioni konstaton se gjyqtarja Dervishi nuk ka deklruar përdorimin e banesave që ka marrë me qira, edhe pse i ka deklaruar si adresa banimi. Shuli pohoi se subjekti ka shpjeguar se nuk kishte detyrim të deklaronte përdorimin e shtëpive të marra me qira.

LEXO EDHE  Kërkesë për protesta? Basha në takimin me kandidatët: Gjëja më e thjeshtë për mua, por jo

Në seancë u tha se Dervishit i është kërkuar të qartësojë situatën e shpenzimeve nga vëllai i bashkëjetuesit për lindjen e djalit në Kanada. Sipas Komisionit, subjekti ka deklaruar në vitin 2015 shpenzime për shtrimin në spital në vlerën 3511 dollarë kanadezë të mbuluar nga vëllai i bashkëjuetuesit.

Shuli tha në seancë se ka pasur paqartësi lidhur me shpenzimet konkrete, si dhe lidhur me kohën kur ishte bërë shtrimi në spital dhe kur dalja. Relatorja shtoi se Dervishi ka dorëzuar prova dhe shpjegime të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.

Gjyqtarja Marsela Dervishi është konstatuar e përshtatshme për të vazhduar detyrën lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, ndërkohë që ajo dha shpjegime lidhur me disa gjetje të Komisionit e denoncime nga publiku që kishin të bënin me zvarritje të proceseve gjyqësore.

Ndaj saj janë kryer gjithsej 5 denoncime nga publiku, 2 nga të cilat, ku pretendohej për tejkalim të afatit dhe zvarritje të procesit, janë verifikuar prej KPK.

Lidhur me një prej rasteve të verifikuar nga Komisioni ka rezultuar se ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë kishte nisur procedim disiplinor për zvarritjen e procesit, por që më pas e kishte arkivuar çështjen deri në përfundimin e çështjes në apel.

Relatorja Shuli tha se në vitin 2014, Dervishit i ishte tërhequr vërejte me shkrim. Ajo shtoi se subjekti kishte deklaruar se nuk ishte njohur për këtë vërejtje.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj ka dërguar raport pozitiv për Dervishin lidhur me aftësitë profesionale, ato organizative dhe etikën. Sipas Shulit, konstatimet KLGj janë konfirmuar edhe nga verifikimi i tre dosjeve të përzgjedhura nga subjekti dhe pesë të tjerave të shortuara.

Gjyqtarja Derivishi foli shkurtimisht gjatë seancës dëgjimore. Ajo tha se ishte dakord me relatimin dhe konstatimet e Komisionit, duke theksuar se për çdo gjetje apo paqartësi kishte depozituar dokumente dhe shpjegime të hollësishme.

Ajo u ndal në gjetjet për profesionalizmin, ku lidhur me nisjen e procedimit disiplinor tha se çështja ishte arkivuar pasi nuk ishin gjetur probleme.

Lidhur me konstatimin e KPK për tërheqjen e vërejtjes me shkrim, Dervishi dekalaroi se ajo shkresë ishte pa numër protokolli dhe pa vulë dhe nuk mund të ishte një akt zyrtar. Ajo sqaroi se në aktin e inspektorëve kishte pasur gabime në përllogaritjen e kohëzgjatjes së shqyrtimit të çështjes. Sipas saj, inspektorët kanë përllogaritur edhe periudhën kur dosja kishte qenë e pashortuar dhe nuk ishte caktuar ende se cili gjyqtar do ta gjykonte.

Në përfundim, gjyqtarja Dervishi deklaroi se e vlerësonte maksimalisht provesin e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 25 mars, ora 09:00. /BIRN/