Prokurorja e Tiranës, Ledina Riza jep shpjegime për depozitat bankare

Gjatë një seance të gjatë dëgjimore prej 3 orësh e gjysmë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, prokurorja Ledina Riza u pyet dhe dha shpjegime mbi burimet financiare për krijimin e depozitave bankare.

Përveç likujditeteve bankare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti probleme të tjera të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për prokuroren Riza kryesohet nga Suela Zhegu, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Ledina Riza e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si e prokurore në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Prej vitit 2007, Riza e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Prokurorja Riza u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizimit. Mungesën e denoncimeve nga publiku, relatori Lulzim Hamitaj e konsideroi si një “rast të rrallë”.

Hetimi pasuror

Prokurorja Ledina Riza e Prokurorisë së Tiranës zotëron familjarisht një apartament prej 130 m2 në Tiranë, një apartament prej 55 m2 në Golem si dhe sipërfaqe trualli të blerë dhe të trashëguar nga bashkëshorti në Voskopojë dhe Korçë.

Relatori Lulzim Hamitaj tha në seancë se subjekti kishte pasur burime të mjaftueshme financiare për blerjen e apartamentit në Tiranë, por nuk kishte deklaruar një hua prej 850 mijë lekësh të marrë nga bashkëshorti për blerjen e apartamentit në Golem.

Prokurorja Riza shpjegoi në seancë se huaja ishte marrë prej bashkëshortit tek një i afërm i tij për një afat dy javor, derisa ishte disbursuar kredia që kishte shërbyer si një nga burimet dhe i është kthyer menjëherë. Ajo pohoi se kishte gjykuar se nuk kishte vend për t’u deklaruar as në deklaratën veting, pasi si burime reale për apartamentin kishin shërbyer kredia dhe kursimet.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për një pasuri tokë-arë me sipërfaqe 345 m2 në Voskopojë të Korçës të blerë nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2003 si dhe një sipërfaqe tokë-truall me sipërfaqe 4310 m2 në Korçë të trashëguar po nga bashkëshorti, pronë e cila është përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të vitit 1993.

Relatori Hamitaj tha se subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 900 mijë lekë për krijimin e një depozite në vlerën 20 mijë euro në vitin 2013, si burim së të cilës Riza ka deklaruar të ardhurat familjare. Hamitaj shpjegoi se kjo vlerë rridhte nga një gjendje tjetër e bashkëshortit të subjektit që ishte krijuar nga shpërndarja e dividentit të shoqërisë së tij në shumën 39 mijë e 500 euro dhe nga një shumë cash 19 mijë e 500 euro.

Sipas Komisionit, nga analiza financiare e vitit 2013 lidhur me mbartjen e gjendjes cash në vlerën 6 mijë euro dhe kursimeve të krijuara të deklaruara, ka rezultuar një balancë negative në shumën 924 mijë lekë. Hamitaj tha se subjekti ka dhënë shpjegime që do të vlerësohen para vendimarrjes përfundimtare.

Komisioni konstaton pamundësi të pjesshme financiare për blerjen e një autoveture tip Citroen C3 blerë në mars të vitit 2010 për çmimin 11 mijë e 600 euro. Nga analiza e KPK ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 130 mijë lekë për blerjen e këtij automjeti.

Relatori Hamitaj tha se nga nga analiza financiare 2003-2016 ka rezultuar bilanc i përgjithshëm pozitiv, por shtoi se janë identifikuar balanca negative të caktuara në vite që në total kapin vlerën e 2 milionë lekë.

LEXO EDHE  Malaj ironizon Ramën: Shqipërisë nuk i duhen satelitë për të parë plehrat që hedh Bashkia

Prokurorja Ledina Riza falënderoi trupën gjykuese për hetimin e kryer dhe konsideroi si mjaft të rëndësishme në punën e saj pastërtinë.

“Vij ballëlartë dhe i shikoj të gjithë në sy,” tha ajo dhe shtoi se prej marrjes së detyrës kishte qenë korrekte dhe profesionale.

Ajo u ndal më pas në barrën e provës për balancat negative të konstatuara nga Komisioni. Riza e kundërshtoi mungesën financiare për blerjen e automjetit në vitin 2010 dhe solli në vëmendje të KPK se bashkëshorti kishte pasur të ardhura të mjaftueshme, pasi shoqëria e tij kishte shpërndarë divident në shumën 20 mijë euro në atë vit.

Prokurorja Riza i cilësoi si jo reale konstatimet e KPK për balancat negative.

“Thuhet se ka pasur mungesë në shumën 908 mijë lekë për cash-in në vitin 2012 dhe -372 mijë lekë në vitin 2013. Nuk janë pasqyrim real i situates, pasi kemi 4.7 milionë lekë të akumuluara në fund të vitit 2012 dhe 1 vit më pas del 1.3 milionë minus. Kjo nuk ka logjikë ekonomike,” tha Riza.

Ajo bëri me dije se familja e saj kishte pasur 51 milionë lekë të ardhura për periudhën 2003-2006, shspenzime në vlerën 13 milionë lekë; kursime 15 milionë lekë; ulje detyrimesh në shumën 4 milionë e 870 mijë lekë dhe investime në shumën 4.3 milionë lekë.

“Kemi pasur burime të mjaftueshme për investimet dhe kursimet, ndërkohë që shpenzimet kanë qenë minimale,” pohoi prokurorja Riza.

Ajo theksoi se balanca negative e konstatuar në vitin 2012 vinte si pasojë e ndryshimit të metodologjisë që kishte çuar në konkluzion të pasaktë. Riza pretendoi se për një balancë negative në shumën -372 mijë lekë në vitin 2014, nuk ishin përfshirë në analizën financiare të ardhurat e siguruara prej bashkëshortit nga shitja e një libri.

Ajo kërkoi që të zbriteshin edhe shpenzimet për udhëtimet në shtetin grek, ku sipas saj ishte strehuar nga motra e bashkëshortit gjatë qëndrimit atje.

Prokurorja Riza sqaroi se dhe bashkëshorti i saj është subjekt deklarues prej vitit 2015 dhe për shkak të profesionit të tij si ekonomist, kishte qenë ai që ishte marrë me pjesën financiare.

“Mendoj se përllogaritja në analizën e KPK nuk është e drejtë. Na janë kërkuar të dhëna të 15 viteve më pare, kur nuk kishim detyrim që t’i mbanim. Gjithmonë kemi pasqyruar situatën e vërtetë, pavarësisht termave të përdorur. Bilanci çdo vit del pozitiv,” pretendoi Riza.

Në vijim subjekti u ndal në deklarimin e tepricës në vitin 2011, që sipas saj ishte 3 milionë. Ajo e cilësoi si intepretim të gabuar të KPK vlerësimin e gjendjes cash si likujditet total dhe jo si kursim.

Riza tha se të gjitha të ardhurat e familjes së saj kishin qenë transparente pasi ishin lëvruar në bankë. “Bashkëshorti ka punuar në shtet dhe për disa organizma ndërkombëtarë,” pohoi ajo.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurorja Ledina Riza kërkoi që të kryhej vlerësim objektiv nga ana e Komisionit si dhe të konfirmohej në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 5 mars, ora 09:45. /BIRN/