Nga Ilir Kalemaj
Boritë e fushatës kanë nisur të bien, koalicionet janë ravijëzuar si taboret në luftë, tam tamet e parrullave kanë filluar bombardimin dhe kandidatët janë duke i’u vardisur derë më derë elektoratit. Ky i fundit sa i frikësuar nga flama e pandemisë, aq dhe i shushatur nga plaga e ekonomisë. Cilido vrojtuesi alien të ardhur nga një planet tjetër, në një plan të gjerë krahasimi do i binte në sy kjo copëz Shqipëri, me rreth 140 parti, shumë prej të cilave “fantazëm”, ku politika është kryefjala që hap e mbyll diskutimet e ngeshme kafeneve, institucionit kryesor kulturor në vend. Prodhojmë politikë shumë më tepër se ç’mund të konsumojmë.
Politika është hobi kryesor, problemi kryesor nga burojnë kokëçarjet kryesore por edhe zgjidhjet e halleve. Politika kontrollon administratën publike por edhe sektorin privat. Politika pra ka në dorë edhe gurin, edhe arën. Natyrisht ka dhe një prirje të përgjithshme grafomane për t’u bërë politologë, pra interpretues të politikës pavarësisht se si çdo shkencë ka metodën e saj e cila ndryshon nga opinionet apo bindjet e brendshme që shiten si analiza cilësore.
Ditët e fundit ka shpërthyer gati një histeri kolektive mbi formulën e re të koalicionit parazgjedhor PD-LSI, e cila shpesh zhvendosi nga vëmendja publike ngërçin politik, fushatën e vonuar, ritmin e integrimit, vaksinat e paardhura, shëndetësinë në kolaps, ekonominë në ngërç. Gjithë kjo të kujton njëfarësoj gjuetinë e shtrigave në PS ku në KPD—në e atëhershme z. Musa ndershmëria u kthye në Musa lavatriçen derisa u rehabilitua katër vjet më parë. Ku Naçi, Baçi e Caci ishin delja e zezë që u bë delja e bardhë sapo Nano përfundoi katharsisin me daljen sërish në krye të parisë së vendit. Sulmet ad honimem, pra që bazohen mbi cilësitë e kundërshtarit, që kalohet nga baltosja te adhurimi, nga përdhosja te përdëllimi me shpejtësi që vetëm politika shqiptare mund t’i kuptojë, nuk i shërbejnë as demoracisë së brendshme partiake, as demokratizimit të vendit në përgjithësi. As i shtojnë gram kulturës politike dhe as ndihmojnë në qartësimin e votuesit se pse duhet mbështetur ika apo ypsilon kandidat apo kandidat për kandidat.
Partitë në Shqipëri ndahen në tre lloje: parti kryetarësh pra parti ku kemi një “big man” rethuar me një entourage aparatçikësh dhe servilësh që presin të zhvasin ndonjë copë torte nga ajo e pushtetit që zë partia kryesore në rast të ardhjes në pushtet si pjesë e koalicionit. Në parti të mesme, si LSI dhe PDIU që pavarësisht mungesës së një ideologjie apo programi qartësisht të dallueshëm nga partitë e mëdha të së majtës apo së djathtës kanë një elektorat bazë dhe të qëndrueshëm, pavarësisht se edhe këto funksionojnë kryesisht si parti klienteliste, pra me ardhjen në pushtet shtojnë pritshmëritë për të ndarë “plackë” mes mbështetësve. Dhe së treti, në dy partitë e mëdha, PD dhe PS që kanë mbas një histori, një elektorat, ndonëse ju mungon një filozofi përbashkuese por edhe ndarje faksionale bazuar në diferenca ideore brendpërbrenda partisë.
Me fjalë të tjera, zëvendësimi i disa emrave me emra të tjerë nuk luan ndonjë peshë automatike elektorale, pasi përtej emrave, që mund të jenë profesionistë apo jo, me integritet personal apo të korruptueshëm, emrat nuk kanë qenë emblematikë për një platformë të caktuar, nuk kanë mbrojtur një ideologji të caktuar, nuk kanë pasur qëndrime të forta politike në lidhje me çështje të caktuara që ngacmojnë opinionin publik dhe ndajnë shoqërinë më dysh. Për shembull, cilët politikanë brenda PS-së përfaqësojnë progresistët? Cilët të gjelbërtit? Cilët fermerët apo sindikalistët? Cilët quhen të moderuar? Po liberalë të majtë? Po të qendrës? E njëjta paqartësi është brenda PD-së. Cilët politikanë aty janë konservatorë? Po libertarianë? Neokonservatorë apo të moderuar? Këto nuk janë thjesht karakterizime dogmatike por përpara se të dilet me një propozim për paketë fiskale fjala bie, duhet të ketë koherencë mendimi me filozofinë politike të lidership-it të kësaj apo asaj partie. Ndryshe kemi paradokse si fjala bie partitë e majta, si PS dhe LSI janë në garë së fundmi se cila do të ulë taksat më shumë, qoftë tatimin për të ardhurat apo tatimin mbi dividendin që janë karakteristikë e qëndrimeve të partive të djathta? Ose qëndrime nga e djathta që krahas të tjerave janë për subvencionim të fortë të bujqësisë dhe rritjen e pensioneve. Po ashtu ka pak apo aspak llogari mbi cilat kritere bazohen këto projeksione, mbi cilën rrymë mendimi dhe sa të aplikueshme janë për kushtet e Shqipërisë apo si do të mbulohet deficiti buxhetor apo të parandalohet rritja e borxhit nëse realizohen njëkohshëm këto premtime.
Përtej debatit mbi listat në përgjithësi, elektorati i secilës parti, por edhe shtresa gri që përcakton balancën fituese, ku secila nuk është një grupim homogjen por përbëhet nga shtresa të ndryshme dhe interesa të kithëta, ky elektorat pra ka nevojë të dëgjojnë në mënyrë koherente të artikuluar se si do të adresohen problemet e tyre, si projektohet modeli i zhvillimit dhe strategjitë për të rritur ekonominë në terma të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Njerëzit kanë nevojë të kenë interpretues të mirë politikë që kanë integritetin e duhur, moralin dhe forcën për të ngritur problemet reale që ata kanë, por edhe dijen dhe ekspertizën e nevojshme për t’i adresuar këto probleme. Që kanë pasionin për të shërbyer dhe jo të vjedhur. Që kanë kurajon qytetare të mbrojnë një qëndrim të vetin politik, një platformë apo një ide dhe nuk ekanë mendjen vetëm te kolltuku i tyre i rehatshëm, shërbimi i interesave meskine apo puthadorët servilë që vijnë bashkë me postin. Politika duhet të ketë kurajon të hapet realisht dhe t’i kërkojë këta profesionistë, t’i përfshijë dhe t’u vjeli kontributin, pasi vetëm kështu mund të shkëputemi përfundismisht nga baltosja e tranzicionit të pambarimtë dhe të shohim dritë në fundtuneli.