Janë bërë gati një vit që kur në Kosovë u njoftua për rastin e parë me koronavirus. Nga ajo kohë e deri më tani pasojat në ekonomi, shëndetësi e mirëqenie janë rritur.
Llogaritet që të papunë kanë mbetur mbi 60 mijë qytetarë dhe janë mbyllur mijëra biznese. Nuk kanë munguar edhe gjobat nga Policia.
Kosova po vazhdon të ballafaqohet me pandeminë Covid-19, ku gjatë ditëve të fundit numri i personave të infektuar me këtë virus ka shënuar rritje.
Përkundër thirrjeve të shumta të ekspertëve shëndetësor, që qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit, një pjesë e qytetarëve po vazhdojnë të shkelin masat.
Policia e Kosovës është duke gjobitur qytetarët, ku që nga gushti, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Pandeminë e deri tani ka dënuar 124 mijë e 152 qytetarë.
Ndryshe, sipas Ligjit për Covid-19, qytetarët që nuk bartin maskë, dënohen me 35 euro, kurse për mos respektimin e orarit të lëvizjes, qytetarët dënohen me 200 euro.
“Personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej 500 euro. Drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro. Personi fizik i cili nuk e respekton Vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej 200 euro”, thuhet në Ligjin për Covid.
Kurse, personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej 500 euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej 200 euro.
“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e organit kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej 35 euro. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej 35 euro”.
Ndërkaq, dënimet për ata që organizojnë aktivitete publike dhe jopublike janë më të larta.
“Personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dënohen me gjobë prej 2000 euro dhe ndalimin e aktivitetit, ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me 2000 euro. Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej 200 euro dhe ndalimin e aktivitetit”.
60 mijë qytetarë papunë, viti 2021 edhe më i rëndë
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi ka deklaruar ditë me parë se nëse edhe më tej nuk merren parasysh kërkesat e bizneseve, viti 2021 do të jetë edhe më vështirë në aspektin ekonomik.
“Në rast se vazhdohet me injorancën e kërkesave siç është vazhduar dhe ka ndodhur në 2020, gjendja do të jetë ekstrem më e rëndë se 2020-ta. Po shpresojmë që institucionet e Kosovës, të reja, por edhe këtë aktualisht deri në ndërrimin e tyre, do ti kenë më shumë parasysh kërkesat e bizneseve, do të koordinohen më shumë me ne, në mënyrë që të përkrahet biznesi, të krijohet ofertë për t’i mbajtur vendet e punës, sepse kemi rënie drastike të numrit të punëtorëve, kemi rënie të të hyrave edhe të bizneseve, por edhe të shtetit, të cilat në mungesë të qarkullimit të bizneseve nuk paguajnë shtetin, por paguajnë aq sa kanë qarkullim”,
Ai po ashtu thotë se në tremujorin e dytë të vitit 2020, humbën punën mbi 60 mijë punëtorë, të cilët ende kanë mbetur pa mbështetje sikurse bizneset të cilat kanë pësuar nga pandemia COVID-19.
“Ndërkohë vetëm në tre mujorin e dytë të vitit të kaluar 60 mijë vende kanë mbetur pa punë, 60 mijë familje kanë mbetur pa të ardhura dhe asnjë cent nuk janë mbështet si ta papunë. Pra, kjo është një goditje e rëndë që iu ka ndodhur qytetarëve, punëtorëve, familjeve, por edhe bizneseve të cilat e kanë shumë të vështirë në rast se nuk ka përkrahje të mbështeten dhe rimëkëmben nga goditja e rëndë e cila ka ndodhur”.
Kurse, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, është i pakënaqur në përgjithësi me shumën e ndarë për bizneset nga Plani për rimëkëmbje ekonomike.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ai thotë se ishte paraparë që të ndahen më shumë se 200 milionë euro për sektorin privat që ka pësuar humbje nga pandemia.
“Është mirë që është ndarë një buxhet i veçantë për gastronominë. Por, megjithatë duke pasur parasysh humbjet e mëdha që kanë pasur sidomos bizneset që nuk kanë punuar fare, siç janë hotelet, sallat e dasmave, nuk e di sa do të jetë i mjaftueshëm”.
Masat dhe ndihmat e qeverisë
Qeveria në detyrë e Kosovës, në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, më 15 janar ka ndarë për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tre milionë euro për të subvencionuar sektorin e gastronomisë.
Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, ditë më parë ka thënë se shpërndarja e mjeteve do të realizohet në bazë të grumbullimit të mjeteve në buxhetin e Kosovës.
“ Ky është program njëvjeçar, sepse buxheti është projeksion. Në muajin janar ne nuk e kemi në dispozicion buxhetin e aprovuar 2.4 miliardë euro. Normalisht, sipas projeksioneve tona 1/12 vjen në muajin janar, mandej 1/12 në muajin shkurt e kështu me radhë. Ndonjë muaj mund të kemi të hyra më të mëdha. Pra, do të thotë me dinamikën e inkasimit të mjeteve, të njëjtën dinamikë do ta përcjellë edhe shpenzimi i këtyre mjeteve”.
Ndryshe, 222 milionë euro është vlera e mjeteve në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje. Ky ligj është miratuar më 4 dhjetor 2020 në Kuvendin e Kosovës, porse ekzekutimi i mjeteve ka qenë i pamundur deri në miratimin e buxhetit të Kosovës, i cili është votuar më 29 dhjetor të vitit të kaluar.
Kurse, më 15 janar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka prezantuar 16 masa për zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021. Në këto masa përfshihet ndihma për sektorin privat, atë shëndetësor dhe skema sociale.
Qeveria e Kosovës, më 15 janar ka marrë vendim për lehtësimin e masave antiCOVID. Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, komunat që janë në zonën e verdhë dhe të gjelbër nuk kanë orë policore, kurse sektori i gastronomisë dhe operatorët ekonomik lejohen të punojnë deri në ora 22:00. Ndërkaq, komunat që janë në zonë të kuqe, qytetarëve u ndalohet lëvizja pas orës 21:00, kurse sektori i gastronomisë dhe operatorët ekonomik lejohen të punojnë deri në ora 21:30.
Bazuar në numrin e rasteve brenda një jave në 100.000 banorë, ky është kategorizimi i komunave sipas zonave.
Në zonën e kuqe janë 7 komuna: Prishtina, Fushë Kosova, Podujeva, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Zveçani dhe Gjilani.
Në zonën e verdhë janë 14 komuna: Suhareka, Lipjani, Obiliqi, Malisheva, Juniku, Vushtrria, Klina, Shtimja, Prizreni, Peja, Gjakova, Graçanica, Kamenica, Ferizaji.
Në zonën e gjelbër janë 17 komuna: Deçani, Vitia, Rahoveci, Dragashi, Drenasi, Istogu, Skenderaji, Leposaviqi, Kaçaniku, Kllokoti, Zubin Potoku, Mamusha, Novobërda, Hani i Elezit, Parteshi, Ranillugu dhe Shtërpca.
Në Kosovë të martën janë regjistruar edhe pesë viktima të reja nga koronavirusi.
Viktimat janë nga komunat: Gjilan, Malishevë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka treguar se bazuar në testimin e 1.842 mostrave janë shënuar edhe 288 raste me COVID-19. Sëmundjen e kanë mundur edhe 256 pacientë ndërsa raste aktive aktualisht janë 5.879.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 58.687 të prekur nga sëmundja COVID-19. Prej tyre 1.471 pacientë kanë vdekur ndërsa 51.337 janë shëruar. /Monitor/