VIDEO/ “Veliaj ortak me mafien italiane”, Këlliçi: Përgjimet e antimafies zbuluan lidhjet e politikës

Kreu i FRPD, Belind Këlliçi, akuzoi sot Kryebashkiakun Erion Veliaj si ortak me mafien italiane. Referuar përgjimeve të antimafies italiane, të publikuara së fundmi, Këlliçi tha se kjo është Qeveria më e keqe dhe më e korruptuar, rrezik për shqiptaret.

“Këto 48 orë keni patur mundësinë të shikoni kryebashkiakun e Tiranës siç është në të vërtetë, një politikan që i shërben mafies italiane kundrejt rryshfetit 20 %.

Përgjimet e anti-mafies italiane, që po publikohen çdo ditë e zhveshin Erion Veliajn nga propaganda e blerë shtrenjtë me paratë tona, duke e nxjerrë një politikan të rrezikshëm për vendin dhe thellësisht të korruptuar”, tha Këlliçi.

Referuar dokumenteve të publikuara ku Antonio Gallo,sekser kyç i hetimit të antimafias italiane për zbulimin e bashkëpunimit mes Politikës-Mafias-Biznesit, shprehej gjatë bisedave të përgjuara se në Shqipëri rregullat e lojës ishin të qarta, kryeministri merr 20% e tenderave dhe koncensioneve, ndërsa zari i tij, Erion Veliaj, do 20% e fitimit që të firmosë lejet e ndërtimit, kreu i FRPD tha se prandaj nuk ndalet Rama së dhëni konçensione!

Sipas tij, Erion Veliaj faktohet nga përgjimet e antimafias si një kolektor i parasë së pistë në Tiranë.

“Jeni demaskuar nga Anti Mafia e Italisë, e një shteti themelues të Bashkimit Europian, derën e të cilit shqiptarët e kanë të mbyllur, për aq kohë sa vendi ka në krye ortakët e Ndrage’tas.

LEXO EDHE  "Familja ime, brenda 2 muajve ka humbur 3 njerëz", vajza e piktorit Arapi: COVID nuk duhet neglizhuar

Nuk ka konkurrencë të ndershme me Mafian. Ajo di ku troket. Aty ku ka të ngjashmit e saj. Aty ku i hapin derën, ku u rrinë “pronto, si urdhëron!”

Ku u vënë përpara thelën më të madhe, qendrën e Tiranës, kundrejt ryshfetit mafioz 20 %.

Këto 48 orë, Rama dhe buratini i tij kryesor kanë treguar sesa të frikësuar janë nga përgjimet, që po u nxjerrin pazaret e pista me pasuritë dhe taksat e shqiptarëve.

Ata po përpiqen të mbyllin gojën e kujtdo që thotë të vërtetën. Qëllimi i vetëm i tyre është të vazhdojnë të qeverisin në kurriz të popullit shqiptar me dështimet e tyre, pa u penguar”, tha Këlliçi.

Sipas tij, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk duhet të heshtë.

“Heshtja e SPAK është kundër interesit të Shqipërisë dhe qytetarëve që presin me padurim veprimin e drejtësisë njësoj për të gjithë.

Shqiptarët meritojnë shumë më shumë se një prokurori që hesht përballë mafies qeveritare, shumë më shumë se një kryebashkiak dhe kryeministër ortak me mafien italiane.

Në 25 prill, Shqipëria do të shkëputet nga kthetrat e mafies. Së bashku me shqiptarët e ndershëm, ne do të bëjmë ndryshimin! Nën drejtimin e Partisë Demokratike do të kemi konkurrencë të lirë, vlerësim në bazë të meritës, afrim të investimeve që hapin vende pune”, tha ai.