Shefja e FMN: Qeveria duhet të ketë plane rezervë, po presim kontrollin e KLSH-së për rindërtimin dhe pandeminë

Intervistë me shefen e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun

Në rast të një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të ndërmarrin masa të reja për të siguruar një kujdes të përshtatshëm shëndetësor dhe për të mbrojtur shtresën më të brishtë, të identifikojnë opsionet për rialokime të buxhetit dhe financime zyrtare shtesë, si dhe të mbajnë likuid tregun e brendshëm financiar. Ata duhet të jenë të gatshëm të marrin këto dhe çdo masë tjetër që mund të duhet për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që Shqipëria të ketë një rimëkëmbje graduale në 2021-’22, me një normë rreth 5%. Por, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun, në një intervistë për “Monitor”, pohon se kjo perspektivë është subjekt i pasigurive të mëdha, që lidhen me valën e dytë të virusit, ndonëse vaksina është një lajm i mirë. Për këtë arsye, ajo rekomandon që qeveria të ketë plane rezervë, në rast se do të materializohet një skenar më pak i favorshëm.

Znj. Sun pohon se u kanë rekomanduar autoriteteve të vazhdojnë pa vonesa të mëtejshme, me miratimin e një Strategjie të shëndoshë të të Ardhurave Afatmesme, që do të rriste të ardhurat dhe do të ulte borxhin. Ajo shton se mirëpresin angazhimin nga Kontrolli i Lartë për të kryer dhe për të botuar auditime, si për rindërtimin ashtu edhe për shpenzimet e lidhura me pandeminë në vitin 2021, në mënyrë që të ketë transparencë maksimale për procesin.

Cilat janë pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2021?

Shqipëria vazhdon të jetë e prekur rëndë nga pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19. Autoritetet iu përgjigjën menjëherë goditjeve dhe deri tani është ruajtur stabiliteti makroekonomik dhe financiar. Ekonomia pritet të tkurret me 7½ për qind në vitin 2020 dhe të rimëkëmbet gradualisht në 2021-‘22 me një normë rreth 5%, ndërsa ndikimi i goditjeve zbutet dhe shpenzimet për rindërtimin rriten.

Sidoqoftë, kjo perspektivë është subjekt i pasigurive të mëdha dhe rreziqeve në kahun e poshtëm, pasi një valë e dytë ka kapur shumë vende në Europë, përfshirë edhe Shqipërinë. Ka lajme të mira në lidhje me zhvillimin e vaksinave, por është ende shumë herët për të thënë se sa shpejt do të jemi në gjendje të kthehemi në një normalitet të ri.

Cilët janë skenarët më të mundshëm për ekonominë, bazuar në situatën e COVID-19?

Skenari ynë bazë është ai i një rikuperimi gradual. Sidoqoftë, ne po jetojmë në një pandemi globale dhe pasiguria dhe rreziqet janë të larta. Që nga vjeshta, infeksionet e reja janë shtuar ndjeshëm në Shqipëri dhe shumë vende të tjera europiane.

Një pandemi më e ashpër do të dëmtojë më tej perspektivën ekonomike të Shqipërisë, përmes turizmit më të dobët, dërgesave të emigrantëve, kërkesës së jashtme dhe Investimeve të Huaja Direkte (IHD), si dhe kushteve më të shtrënguara financiare.

Është e rëndësishme që të kemi plane rezervë në rast se do të materializohet një skenar më pak i favorshëm. Një avantazh është se në vitin 2021, bota është e përgatitur më mirë për t’u përballur me pandeminë dhe ka progres në zhvillimin e vaksinave.

Si do ta vlerësonit angazhimin e qeverisë shqiptare për të tejkaluar pasojat e COVID-19, krahasuar me shtetet e rajonit, sa u përket paketave mbështetëse dhe politikave makroekonomike?

Përgjigjja e qeverisë ndaj COVID-19 ka qenë në kohën e duhur dhe përgjithësisht e mirëshënjestruar. Pothuajse 95% e masave buxhetore u janë shpërndarë përfituesve të synuar. Në varësi të hapësirës fiskale në dispozicion dhe mundësive, vendet rreth botës kanë mobilizuar burime të pashembullta për të ndihmuar në përballjen me pandeminë.

Duke pasur parasysh borxhin e lartë publik dhe përmasat e vogla të qeverisë, paketat mbështetëse të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e vendeve në zhvillim dhe në Ballkanin Perëndimor. Në krahasim me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka një nga qeveritë më të vogla për sa u përket shpenzimeve, por edhe të ardhurave si përqindje ndaj PBB-së.

Kjo është arsyeja pse ne u kemi rekomanduar autoriteteve të vazhdojnë pa vonesa të mëtejshme me miratimin e një Strategjie të shëndoshë të të Ardhurave Afatmesme, që do t’i mundësonte Shqipërisë të mbledhë të ardhura, në mënyrë që të financojë investimet shumë të nevojshme në infrastrukturën fizike dhe njerëzore, ndërkohë që e çon borxhin në një trajektore rënëse.

Mbështetja për COVID-19 duhet të jetë e përkohshme dhe e shënjestruar. Masat e përhershme fiskale, si heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë minon pajtueshmërinë e taksave dhe gërryen bazën e taksave.

Në raportin e fundit, ju e këshilluat qeverinë shqiptare që të ulte shpenzimet jo të domosdoshme. Ndërkohë që ne po shohim se qeveria po vazhdon ende me planet e veta, duke hapur tenderë për disa projekte të mëdha të infrastrukturës. Cili do të ishte ndikimi i kësaj sjelljeje?

Ne e kemi deklaruar qartë që mbështetja për ekonominë duhet të vazhdojë në vitin 2021 dhe duhet të jetë subjekt i transparencës dhe përgjegjshmërisë. Në të njëjtën kohë, teksa rritja pritet të rimëkëmbet në vitin 2021, cikli i të ardhurave duhet të përdoret për të arritur një ulje më të madhe të deficitit sesa atij që parashikohet në buxhetin e vitit 2021.

Ne rekomanduam që shpenzimet kapitale në lidhje me rindërtimin të akomodohen në vitin 2021. Sidoqoftë, duke pasur parasysh dobësitë në menaxhimin e investimeve publike dhe kufizimin e financimit, ne nuk shohim hapësirë për rritje të mëdha shtesë në shpenzimet kapitale, pa cenuar cilësinë e shpenzimeve. Është gjithashtu e rëndësishme të ruhen amortizatorë të rëndësishëm likuiditeti për raste të paparashikuara.

Në rast të një pandemie më të rëndë, autoritetet do të duhet të ndërmarrin masa të reja për të siguruar një kujdes të përshtatshëm shëndetësor dhe për të mbrojtur shtresën më të brishtë, të identifikojnë opsionet për rialokime të buxhetit dhe financime zyrtare shtesë, si dhe të mbajnë likuid tregun e brendshëm financiar. Ata duhet të jenë të gatshëm të marrin këto dhe çdo masë tjetër që mund të duhet për të garantuar ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.

LEXO EDHE  Koronavirusi/ Pediatrja: Adoleshentët më të rrezikuar nga virusi

Si do ta vlerësoni ecurinë e projekteve të rindërtimit pas tërmetit deri tani? Për shkak të përmbushjes së ulët të planit në 2020, sa e mundshme është të përthithen fondet e planifikuara të 2020-s dhe të 2021, gjatë vitit 2021? Cilat janë këshillat tuaja?

Rindërtimi u ndikua nga karantina dhe kufizimi i kapaciteteve dhe zbatimi po rritet në tremujorin e fundit. Ne e kuptojmë që gjatë fazës emergjente, ishin të nevojshme disa procedura të përshpejtuara në raport me procedurat normale të Menaxhimit të Financave Publike (MFP).

Por tani ato duhet të rregullohen sa më shpejt të jetë e mundur, dhe fondet e rindërtimit duhet t’u nënshtrohen të njëjtave kontrolle të MFP, si shpenzimet e tjera buxhetore, duke përfshirë planifikimin, shpërndarjen buxhetore dhe ekzekutimin nëpërmjet procesit normal të buxhetit. Ne mirëpresim angazhimin nga Kontrolli i Lartë për të kryer dhe për të botuar auditime, si për rindërtimin, ashtu edhe për shpenzimet e lidhura me pandeminë në vitin 2021, në mënyrë që të ketë transparencë maksimale për procesin.

Cilët janë sektorët që ju vlerësoni se mund të vuajnë në një afat më të gjatë dhe ata që do të rikuperohen më shpejt? Po për sa u përket bizneseve (të vegjlit kundrejt të mëdhenjve)?

Sektorët më të prekur nga pandemia janë ata “me kontakt intensiv” të cilët kërkojnë kontakte të ngushta ballë për ballë, siç janë shërbimet e udhëtimit dhe turizmi. Sektori dixhital ka qenë një fitues i madh nga kjo krizë. Shumë prej nesh u detyruan të punojnë në distancë dhe duke përdorur teknologjinë për të mbetur produktivë. Ne kemi udhëtuar më pak, kemi konsumuar më pak burime dhe kemi futur procese më të sofistikuara të biznesit.

Ndërsa bizneset e mëdha mund të kenë më shumë burime për të përballuar goditjet, bizneset e vogla mund të jenë më të shkathëta për t’u përshtatur ndaj ndryshimit të rrethanave. Në afatin e gjatë, disa riorientime do të ishin të nevojshme për të gjitha bizneset, të mëdha dhe të vogla. Është e pashmangshme që jo të gjitha bizneset do të mund të përballojnë këtë goditje jashtëzakonisht të madhe dhe do të ketë rishpërndarje të kapitalit dhe burimeve njerëzore.

Kjo është një nga vështirësitë kryesore me të cilat përballen qeveritë kur përpiqen të mbështesin bizneset: të dallojnë cilat biznese janë nën vështirësi të përkohshme për shkak të pandemisë, por ende funksionale dhe duhet të mbështeten, dhe cilat janë jo të qëndrueshme, që kanë vështirësi të përhershme dhe nuk mund të shpëtohen nga masat e përkohshme të mbështetjes.

COVID-19 po e ndryshon me shpejtësi ekonominë globale, duke çuar në ndryshime radikale dhe përshtatje. Si prisni që të ndryshojë ekonomia shqiptare në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Si një ekonomi e vogël e hapur, Shqipëria është e ndjeshme nga zhvillimet e partnerëve të saj kryesorë tregtarë. Në vitet e fundit, sektori i turizmit në Shqipëri ka qenë një motor i rëndësishëm i rritjes dhe ndikimi i pandemisë në atë sektor ka qenë i fortë. Ndërsa udhëtimet globale dhe turizmi mund të marrin më shumë kohë për t’u kthyer në nivelet e para-pandemisë, do të ishte e rëndësishme për Shqipërinë të përmirësonte konkurrueshmërine e saj në tregjet e jashtme dhe të zgjeronte bazën e eksporteve.

Në veçanti, për të adresuar dobësitë në infrastrukturë dhe mungesat e aftësive që pengojnë një tranzicion drejt rritjes së udhëhequr nga eksporti, Shqipëria ka nevojë për një rendiment më të lartë të të ardhurave nga taksat dhe reformim të sistemit kompleks dhe të fragmentuar të taksave.

Cilët janë sektorët ku Shqipëria mund të përfitojë nga transformimi i zinxhirit global të vlerës për shkak të COVID-19? Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare, në mënyrë që të lehtësojë këtë proces dhe ta kthejë krizën në mundësi?

Problemet e shkaktuara nga bllokimet në fillim të pandemisë tregojnë nevojën për të zhvilluar zinxhirë të furnizimit global më elastik. Ne duhet të ndërtojmë më shumë qëndrueshmëri në të gjitha nivelet e ekonomisë, në mënyrë që të përballojmë goditjet si ajo që ka krijuar pandemia.

Shqipëria mund të përfitojë nga diversifikimi i zinxhirëve të furnizimit, por duhet të përmirësojë klimën e saj të investimeve dhe të heqë ato pengesa që parandalojnë tërheqjen e IHD-ve. Në veçanti, përmirësimi i institucioneve, infrastrukturës dhe sundimit të ligjit janë të nevojshme për të siguruar një klimë konkurruese biznesi.

Cilat do të jenë pasojat e pandemisë në normën e varfërisë së Shqipërisë dhe çfarë duhet të bëjë qeveria për ta zvogëluar atë?

Ne e dimë që pabarazia ka tendencë të rritet pas një pandemie dhe ndikimi i pandemisë te shtresat më të brishta është joproporcional. Për më tepër, punëtorët informalë në sektorë të parregulluar, ose jashtë sistemit të taksave, kanë dy herë më shumë gjasa që t’u përkasin familjeve të varfra. Qeveritë duhet të garantojnë sigurimin e shërbimeve thelbësore shëndetësore, të forcojnë rrjetet e mbështetjes sociale dhe të mundësojnë një shpërndarje të shpejtë dhe të drejtë të një vaksine sapo ajo të sigurohet.

Prandaj, është shumë e rëndësishme për autoritetet shqiptare që t’u japin përparësi shpenzimeve më të rëndësishme dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për më të rrezikuarit. Duke pasur parasysh informalitetin e lartë të Shqipërisë, është gjithashtu e rëndësishme të merret në konsideratë se si mbështetja mund të arrijë ata që nuk janë pjesë e ekonomisë formale, ndërsa vazhdon puna për formalizimin e ekonomisë. /Monitor/