Oferta më e lartë/ Fondi i Zhvillimit i jep “Fushës” tenderin 4 mln USD për “urbanizimin” e Përmetit

Nga Boldnews.al

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur kompaninë “Fusha” fituese të tenderit për “Përmirësimin e Integruar Urban të Qytetit të Përmetit”, megjithëse ka dhënë ofertën më të lartë ndër pesë kompanitë pjesëmarrëse.

Në një njoftim të datës 11 Janar 2021, Fondi i Zhvillimit, një institucion i drejtuar nga Dritan Agolli, njoftoi se “Fusha” shpk ishte shpallur fituese e tenderit, duke paraqitur një ofertë me vlerë rreth 400 milionë lekë të reja.

Tenderi për Përmirësimin Urban të Përmentit është shpallur në fillim të Nëntorit 2020, ndërkohë që nuk kishte një shifër publike mbi fondin limit të parashikuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Siç deklaron Fondi Shqiptar i Zhvillimit, “Qeveria e Shqipërisë ka marrë një financim nga Banka Botërore kundrejt kostos së Projektit “Integrimi Urban dhe Zhvillimi i Turizmit”, dhe pjesë të këtij financimi ka vendosur t’i përdorë për kontratën “Përmirësimi i Integruar Urban i Qytetit të Përmetit”.

Në tender kanë marrë pjesë 5 kompani, të renditura si vijon:

  1. JV “Bean sh.p.k. & Desaret” sh.p.k., me ofertë 283,711,105 lekë të reja
  2. “Arkonstudio” sh.p.k., me ofertë 317,382,882 lekë të reja
  3. “Salillari” sh.p.k., me ofertë 338,465,102 lekë të reja
  4. JV R & T sh.p.k. & Gjikuria sh.p.k., me ofertë 368,001,856.58 lekë të reja
  5. Fusha sh.p.k., me ofertë 398,547,169.22 lekë të reja

Në përfundim, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur fitues kompaninë e biznesmenit Shkëlqim Fusha, megjithëse duket qartë që ajo ka paraqitur ofertën më të lartë ekonomike.

LEXO EDHE  Projekti për parkun e ri arkeologjik të Durrësit lë jashtë shëtitoren Taulantia

Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për arsyet e kësaj përzgjedhjeje dhe për faktin nëse operatorët e tjerë janë skualifikuar apo janë tërhequr.

Po ashtu, e gjithë procedura tenderuese është zhvilluar jashtë parashikimeve të prokurimit publik transparent në Shqipëri.

Tenderi, që në momentin e shpalljes në Nëntor 2020, ka një numër reference, e cila nuk është në standartin e aplikuar prej Agjencisë së Prokurimit Publik.

Procedura është ndjekur sipas rregullave të tenderimit ndërkombëtar, megjithëse nuk ka asnjë të dhënë nëse njoftimi për këtë tender është shpallur edhe në media apo organizma të huaj.

Gjithashtu, në momentin e shpalljes së tenderit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka aplikuar parimin e “konfidencialitetit” në publikimin e dokumentave shoqërues dhe pritshmërisë që kishte ky institucion nga operatorët pjesëmarrës.

Në njoftimin paraprak të tenderit, Fondi i Dritan Agollit kërkonte nga operatorët e interesuar që të paguanin një tarifë prej 15 mijë lekë të reja për t’u njohur me dokumentat standarte të prokurimit publik.

Pavarësisht se financimi i projektit për Përmirësimin Urban të Përmetit është siguruar nga Banka Botërore, shifra ekonomike është gjithësesi një kredi, për të cilën do të paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë.

E, për këtë arsye, transparenca është më e pakta që duhet siguruar nga autoritetet shtetërore, përfshirë edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cili i ka dhënë fushën tender 4 milionë dollarë në errësirë totale informacioni.