Fshehje e pasurisë, konflikt interesi dhe mungesa burimesh financiare të ligjshme, këto janë akuzat ndaj prokurorit Bardhok Lleshi në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime se prokurori i Lezhës ka fshehur pasuri, se është gjetur në kushtet e konfliktit të interesit dhe se nuk mundet të provojë burimin e ligjshëm të pasurive të tij. Avokati i Lleshit i kundërshtoi gjetjet e Komisionit dhe kërkoi riçeljen e hetimit.

Prokurori i Lezhës, Bardhok Lleshi mungoi në seancën e dytë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të mërkurën, ndërsa shpjegimet për pasurinë e tij i dha përfaqësuesi ligjor Gedeon Dudushi.

Kryesuesi i trupit gjykues, Olsi Komici tha në fillim të seancës se kërkesa e subjektit për përjashtim të trupit gjykues ishte shqyrtuar dhe rrëzuar nga KPK. Kërkesa u bë në seancën e parë me pretendimin se trupa ishte e njëanshme.

Në një relatim të gjatë, relatorja e çështjes Valbona Sanxhaktari renditi një sërë problemesh për pasuritë e deklaruara nga subjekti, si fshehje, konflikt interesi dhe mungesa burimesh financiare të ligjshme në vlera të mëdha. Gjetjet e Komisionit u kundërshtuan nga mbrojtësi i Lleshit, i cili e quajti hetimin e Komisionit të pabazuar dhe të njëanshëm.

Sipas analizës së pasurisë së kryer nga BIRN, prokurori Bardhok Lleshi zotëron pasuri të deklaruar me vlerë prej 108 milionë lekësh. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mungesë burimesh të ligjshme në vlera të mëdha për një pjesë të pronave.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e tre ngastrave tokë, për të cilat prokurori Lleshi ka deklaruar se një e ka blerë me kursimet e tij nga puna si emigrant në Greqi dhe dy të tjerat të financuara nga i vëllai, prej të ardhurave të siguruara nga puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.

Sipas Komisionit, subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar të ardhurat e deklarura si të përfituara nga puna në emigracion gjatë periudhës 1991-1997 dhe as transferimin e vlerave të pretenduara.

Sanxhaktari evidentoi mospasqyrimin e një barre hipotekore të vendosur mbi këtë pasuri, për një kredi me vlerë disa herë më të lartë. “Ka dyshime se subjekti ka fshehur vlerën reale të kësaj pasurie në deklaratën veting,” tha ajo.

Për dy parcela të tjera tokë arë në Tapizë të Tiranës, prokurori Lleshi ka deklaruar se i ka blerë për llogari të vëllait të tij që jeton dhe punon jashtë shtetit, me porosi dhe financim të tij.

Sipas Sanxhaktarit, vërehen mospërputhje për vendodhjen e deklaruar të parcelave me ato të pasyqruara në dokumentacion, ku rezulton se janë në fshatin Drithas, si edhe për vlerat. “Komisioni vëren se duket se janë prona të ndryshme,” tha relatorja.

I pyetur gjatë hetimit administrativ se pse parcelat e tokës të blera nga vëllai figuronin ende në pronësi të tij, subjekti ka shpjeguar se ishte një marrëdhënie personale mes vëllezërve dhe se kur të donte i vëllai që jeton jashtë, do t’i kalonte në pronësi.

Komisioni i ka kaluar barrën e provës prokurorit Lleshi që të vërtetojë se dy prej ngastrave të tokës i përkasin vëllait si edhe burimin e krijimit të tyre.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 124.1 m2 në Tiranë kundrejt vlerës 60 mijë euro, të porositur në vitin 2003 dhe të regjistruar në 2012-ën, prokurori Lleshi ka deklaruar si burim krijimi 25 mijë euro kursime nga puna në emigracion dhe 35 mijë euro kredi. Ai ka deklaruar edhe një kredi tjetër në shumën 20 mijë euro për mobilimin.

Komisioni konstaton se nuk provohet që pagesat për shlyerjen e apartamentit të jenë realizuar me anë të kredisë. Sanxhaktari pohoi se nuk është provuar bindshëm edhe pagesa e një shume 2500 euro në vitin 2015 për këtë apartament.

Në seancë u tha se në llogarinë e subjektit janë kryer derdhje nga ana e vëllait dhe motrës që kanë pasur si qëllim shlyerjen e kredisë. “Subjekti ka deklaruar se kredia është shlyer nga pagat dhe të ardhurat e përfituara nga një bar-kafe që ka menaxhuar,” tha Sanxhaktari.

Ajo vijoi se prokurori Lleshi nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një kontratë sipërmarrje, ku një sipërfaqe toke do të jepej në këmbim të shlyerjes së kredisë.

Komisioni evidentoi një kontratë shkëmbimi të kryer nga subjekti i rivlerësimit të një parcelë toke me sipërfaqe 1200 m2 që gjendet në Bërxullë, kundrejt një bodrumi me sipërfaqe 600 m2. Në këtë parcelë është ndërtuar një godinë shërbimesh me tri kate + bodrum.

Nga hetimi ka rezultuar se në kontratën e këmbimit të tokës, ka qenë e shënuar se ky veprim do të kryhej kundrejt shlyerjes së vlerës së kredisë së marrë për likujdimin e çmimit të shtëpisë. Subjekti ka shpjeguar se nuk ka qenë i kënaqur dhe se ka kërkuar edhe sipërfaqen ndërtimore 600 m2. “Duket se është trajtuar në mënyrë preferenciale, pasi vlera e objektit ndërtimor është 30 milionë e 900 mijë lekë,” pohoi Sanxhaktari.

Në seancë u tha se Lleshi nuk ka deklaruar një hua në shumën 150 mijë euro të marrë në këmbim të së njëjtës parcelë toke, që e ka këmbyer me objektin tip bodrum me sipërfaqe 600 m2.

Sanxhaktari evidentoi se prokurori Lleshi kishte regjistruar më vonë një procedim penal ndaj huadhënësit L.N., por që më pas e ka pushuar. “Ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit”, tha Sanxhaktari.

Komisioni konstatoi gjithashtu se subjekti nuk ka deklaruar edhe një kontratë qiraje me huadhënësin L.N. për 1200 euro në muaj. Sanxhaktari tha se Lleshi ka deklaruar se kontrata e qirasë së tokës fillimisht ka pasur si qëllim blerjen e pronës, e cila nuk është realizuar.

Sipas Sanxhaktarit, pasi prokurori Lleshi ka kryer konstratën e shkëmbimit, shoqëria do të vazhdonte ta mbante bodrumin me qira mujore 1000 euro.

“Duket se nga një pasuri me vlerë modeste ka krijuar pasuri shumë më të madhe,” shtoi relatorja.

Ajo vijoi se prokurori LLeshi nuk ka deklaruar vlerën reale të një autoveture tip Benz, pasi e kishte blerë në vitin 2004 në shumën 5000 euro dhe e kishte shitur 11 mijë euro në 2010-ën. Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për vërtetësinë e deklarimit dhe për pagesën e tatimit të fitimit.

Nga hetimi ka rezultuar se prokurori Lleshi administron edhe një lokal me sipërfaqe 86 m2 të blerë në vitin 2006 kundrejt vlerës 60 mijë USD. Ai ka deklaruar se ky lokal është në pronësinë e vëllait që jeton në Kanada dhe se e ka administruar vetë. Sipas Sanxhaktarit, subjekti ka deklaruar se ka siguruar 10 milionë e 300 mijë lekë nga aktiviteti i këtij lokali, por nga tatimet është kthyer përgjigje se për këtë periudhë fitimi ka qenë “zero” lekë.

LEXO EDHE  Dëmet në 2020, kompanitë e sigurimit paguan 61 milionë euro, bien të ardhurat nga primet

Subjekti ka deklaruar edhe një truall ndërtimi në Lezhë me sipërfaqe 7210 m2 në pronësi të vëllait. Sanxhaktari tha se subjekti nuk ka provuar se përse trualli nuk u shit nga i vëllai në vitin 2005, kur ai kishte qenë vetë në Shqipëri, por është kryer më pas nga subjekti me anë të prokurës së dhënë nga familjari i tij. “Komisioni ngre dyshime se në këtë truall është ndërtuar një kompleks banesash,” tha Sanxhaktari, por pa evidentuar nëse subjekti kishte lidhje me këto ndërtime.

Relatorja Sanxhaktari tha se nga analiza financiare për periudhën 2004-2016 ka rezultuar një balancë negative për mbulimin e investimeve dhe shpenzimeve në vlerën 10 milionë e 578 mijë lekë. Ajo vijoi se nëse do të konsiderohej edhe analiza financiare për periudhën para vitit 2004, atëherë pamjaftueshmëria financiare arrinte në një vlerë totale 21 milionë lekësh.

Avokati Gedeon Dudushi tha se shpjegimet ishin dorëzuar që në fillim dhe se ishte e paqartë përse nuk ishin konsideruar gjatë hetimit paraprak.

“Nuk më habit që nga mënyra se si është bërë hetimi se ka pasur një tendencë të qartë për moskonsiderimin e të ardhurave,” pohoi Dudushi.

Ai theksoi se të gjitha pasuritë ishin krijuar para fillimisht të detyrës dhe me të ardhura të siguruara prej prokurorit Lleshi nga puna si emigrant në Greqi gjatë periudhës 1991-1997. Dudushi solli në vëmendje se për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar si edhe për shkak të pandemisë kishte qenë e pamundur që të gjendeshin dokumentet provuese për të ardhurat.

Mbrojtësi i Lleshit solli në vëmendje edhe se apartamenti ishte blerë para fillimit të detyrës si prokuror dhe se ishte paguar pjesërisht me të ardhurat nga emigracioni dhe pjesa tjetër me kredi.

Avokati Dudushi kundërshtoi në seancë barrën e provës së kaluar nga Komisioni për mosdeklarimin e barrës hipotekore. “A e dini që një prej këtyre barrave hipotekore është vendosur për llogari të një prokurori të nderuar të SPAK, që e ka kaluar vetingun? Ai e ka dhënë si dorëzani dhe nuk ka fituar asgjë”, deklaroi avokati Dudushi dhe theksoi se nuk ka pasur detyrim për ta deklaruar dorëzaninë.

Sipas Dudushit, nuk mund të kishte fshehje të vlerës së tokës së lënë si kolateral për marrjen e kredisë, pasi ishte deklaruar në vitin 1997 dhe në 2002-in. “Në atë pronë nuk është kryer ndonjë investim. Nëse do të kishte rritje fiktive, atëherë do të kishte alarm,” pohoi Dudushi.

Për moskalimin e pronave në emër të vëllait, Dudushi tha se nëse kjo gjë do të kryhej, atëherë do të paguheshin detyrime.

“Ata kanë marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin dhe vëllai ka thënë se do të kalojë në emrin e tij kur të duhet t’i shesë,” shpjegoi avokati.

Lidhur me barrën e provës për të ardhurat e vëllait, përfaqësuesi i Lleshit tha se në këtë situatë pandemie, ishte e pamundur që të udhëtonte në SHBA dhe Kanada për t’i siguruar dokumentet e nevojshme.

Për huanë 150 mijë euro ai shpjegoi se ajo kontratë kishte pasur si qëllim vetëm bllokimin e tokës dhe se nuk kishte pasur efekt.

Dudushi e kundërshtoi konstatimin e KPK se nuk kishte pasur fitim të deklaruar në tatime nga lokali. Ai këmbënguli se tatimet nuk mbanin të dhëna për një kohë kaq të gjatë.

Pikëpyetjet mbi biznesin

Komisioni ka gjetur se prokurori Bardhok Lleshi dhe bashkëshortja e tij kanë zotëruar kuota në një shoqëri të regjistruar në vitin 2002. Ai i ka transferuar kuotat e tij tek bashkëshortja në vitin 2005 dhe më pas i janë kaluar vëllait të tij, N.Ll.

Sanxhaktari tha se subjekti ka pretenduar se nuk i ka deklaruar kuotat, pasi i ka shitur para fillimit të detyrës në vitin 2005. Relatorja evidentoi se subjekti i ka zotëruar në vitin 2004 aksionet në këtë shoqëri dhe se nuk i ka pasqyruar në deklaratën e këtij viti. Gjithashtu ka rezultuar se nuk ka deklaruar shitjen e kuotave të bashkëshortes në vitin 2017.

“Ka dyshime për fshehje të kësaj pasurie”, tha Sanxhaktari.

Ajo vijoi se Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar kontratat e shitjes në emër të bashkëshortes së subjektit dhe se këtij të fundit i ka kaluar barra e provës për mosdeklarimin e këtyre kontratave. Lleshi ka shpjeguar se nuk i ka deklaruar, pasi nuk është pjesë e shoqërisë.

Avokati i prokurorit Lleshi u pyet gjatë seancës dëgjimore nga vëzhguesja ndërkombëtare Elka Ermenkova nëse blerja e 60% të aksioneve të kompanisë Alb Vizion Construction binte në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese, për shkak të detyrës së tij.

Sipas një analize të kryer nga BIRN bazuar në deklarat periodike të prokurorit Lleshi, të ardhurat nga kjo kompani deklarohen në vlerën e 126.6 milionë lekëve, ndërsa dividentë në vlerën 86.6 milionë lekë deklarohen të riinvestuara në kompani.

Avokati Dudushi deklaroi se kilenti i tij ishte ortak pasiv në këtë shoqëri dhe se në këtë cilësi nuk binte në kundërshtim me asnjë përcaktim ligjor për shkak të detyrës së tij. “Ai nuk ka të drejtë vendimarrje. është ortak pa të drejtën e vendimmarrjes. Kjo ndodh edhe në vendet e tjera. Ka të bëjë me dakordësinë e aksionerëve. Prandaj ka hequr dorë nga vendimarrja, që të ketë përfitim vetëm kur të shpërndahet dividenti,” deklaroi avokati Dudushi.

Ai theksoi se kompanitë ku prokurori Lleshi dhe bashkëshortja e tij kanë qenë dhe janë aksionerë nuk kanë aplikuar për asnjë tender apo koncesion publik, pavarësisht se çfarë aktivitetesh parashikohet se mund të realizojnë. “Vetëm nëse do të kishte raste të tilla do të kishte konflikt,” pohoi ai.

Avokati Dudushi solli në vëmendje se më pare, ILDKPKI kishte bërë kallëzim për të njëjtat gjetje ndaj prokurorit Lleshi, por nga prokuroria ishte pushuar hetimi dhe se nuk ishin konstatuar probleme.

Në fund të seancës dëgjimore, ai rikërkoi riçeljen e hetimit për pasurinë dhe hapjen e hetimit për dy kriteret e tjera, duke kërkuar konfirmimin në detyrë të subjektit.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më 15 janar, ora 09:30.