Ish-kryeinistri Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me zgjerimin e kufirit detar të Greqisë me 12 milje dhe heshtjen e Qeverisë Rama.
Berisha shkruan se për herë të parë ne 107 vite, pra që nga Konferenca e Londrës, kufijtë e Shqipërisë ndryshohen, rrudhen dhe Shqipëria zvogëlohet.
Ish-Kryeministri shkruan se atë që Greqia nuk e arriti me ushtri dhe hordhi për 106 vjet, e mori përmes një marrëveshjeje të fshehtë mes Nikos Dendia dhe Edi Ramës.
“Në bazë të kësaj marrëveshje në ujdi të plotë me Zografin Bis, qeveria e Greqisë u dërgoi qytetarëve të saj, me dekretin që firmosi, një kartolinë historike për festat e këtij fundviti, atë të zgjerimit të atdheut helen nga 6 në 12 milje në ujërat e detit Jon, duke fituar kështu një territor që kurrë nuk e ka pasur më parë, të barabartë me sipërfaqen e Thesprotisë dhe triliona euro nga depozitat gjigante të gazit dhe naftës në ujërat territoriale shqiptare joniane, që në përputhje me marrëveshjen e fshehtë Rama-Dendia bëhen greke.
Por, në qoftë se qeveria helene u dërgoi qytetarëve helenë në këto krishtlindje kartolinën e zmadhimit të atdheut helen, albanofobi shqipfolës Edvin Kristaq Rama, të cilin mediat dhe njerëzia e thërrasin rëndom Zografi Bis, u solli shqiptarëve si kartolinë për festat e fundvitit hartën e zvogëlimit të atdheut arbnor në territorin e tij ujor në Detin Jon dhe hapësirën ajrore korresponduese fiks aq sa zmadhohet atdheu helen duke zgjeruar nga 6 në 12 milje ujërat territoriale joniane në kufi me Shqipërinë dhe hapësirën ajrore mbi këto ujëra”, shkruan Berisha.
Sipas tij, marrëveshja e fshehtë Rama-Dendia, e cila hyri tashmë në fuqi, është akt i pashembullt tradhtie kombëtare.
Reagimi nga Sali Berisha
Marrëveshja e fshehtë Rama-Dendia, thikë e tmerrshme pas shpine ndaj Shqipërisë!
Për herë të parë ne 107 vite, pra që nga Konferenca e Londrës, kufijtë e Shqipërisë ndryshohen, rrudhen dhe Shqipëria zvogëlohet.
Atë që gjitoni ynë jugor nuk e realizoi dot në territorin tokësor 106 vjet më parë me shpalljen e Republikës së Vorioepirit nga Jorgo Kristaq Zografi dhe ushtritë dhe hordhitë e tij, e realizoi dy ditë më parë në territorin ujor me pasuri përrallore nafte dhe gazi dhe hapësirën ajrore të Shqipërisë, por kësaj radhe jo me ushtri dhe hordhi as dhe republika malco, por vetëm me një marrëveshje të fshehtë të Nikos Dendia me Edvin Kristaq Ramën apo Zografin Bis në aktin e tradhtisë më të lartë kombëtare pas asaj të Enver Hoxhës me Kosovën.
Kështu, në bazë të kësaj marrëveshje në ujdi të plotë me Zografin Bis, qeveria e Greqisë u dërgoi qytetarëve të saj, me dekretin që firmosi, një kartolinë historike për festat e këtij fundviti, atë të zgjerimit të atdheut helen nga 6 në 12 milje në ujërat e detit Jon, duke fituar kështu një territor që kurrë nuk e ka pasur më parë, të barabartë me sipërfaqen e Thesprotisë dhe triliona euro nga depozitat gjigante të gazit dhe naftës në ujërat territoriale shqiptare joniane, që në përputhje me marrëveshjen e fshehtë Rama-Dendia bëhen greke.
Por, në qofte se qeveria helene u dërgoi qytetarëve helenë në këto krishtlindje kartolinën e zmadhimit të atdheut helen, albanofobi shqipfolës Edvin Kristaq Rama, të cilin mediat dhe njerëzia e thërrasin rëndom Zografi Bis, u solli shqiptareve si kartolinë për festat e fundvitit hartën e zvogëlimit të atdheut arbnor në territorin e tij ujor në Detin Jon dhe hapësirën ajrore korresponduese fiks aq sa zmadhohet atdheu helen duke zgjeruar nga 6 në 12 milje ujërat territoriale joniane në kufi me Shqipërinë dhe hapësirën ajrore mbi këto ujëra.
Marrëveshja e fshehtë Rama-Dendia, e cila hyri tashmë në fuqi, është akt i pashembullt tradhtie kombëtare.
Bazuar në këtë marrëveshje të fshehtë, Edvin Kristaq Zografi Bis duhej të deklaronte dhe pranonte publikisht:
1-Se zgjerimi nga Greqia nga 6 në 12 milje i ujërave territoriale është e drejte e saj dhe Shqipëria e pranon këtë dhe se;
2-Nuk ekziston një marrëveshje mbi kufirin detar dhe shelfin kontinental midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Këto dy deklarata në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Shqipërisë dhe të drejtën ndërkombëtare nuk mund të bëheshin kurrë nga një kryeministër apo qeveritar shqiptar pa u arratisur më parë si i shitur në vendin fqinj.
Mirëpo në zbatim të marrëveshjes antikombëtare Rama-Dendia pikërisht këto dy deklarata bëri Edvin Kristaq Zografi pas njoftimit të qeverisë greke se kishte vendosur të zgjeronte ujërat e saj territorialë jonianë nga 6 në 12 milje.
Këto deklarata janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, integritetin territorial dhe sovranitetin e Shqipërisë. Ato janë në kundërshtim flagrant me të vërtetën historike dhe aktuale të marrëdhënies midis dy vendeve në këtë fushë dhe vijnë në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar të detit.
Ato janë një akt i mirëfillte i shumëfishte i tradhtisë së lartë kombëtare nga Edvin Kristaq Zografi.
Kjo sepse:
1- Kurrë një kryeministër, as dhe qeveritar nuk mund të bjerë dakord për akte dhe vendime që prekin direkt integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit siç ndodh me vendimin e qeverisë greke, e cila në kundërshtim me të vërtetën historike, pas rreth 90 vitesh ndryshon gjerësinë prej 6 miljesh të ujërave të veta territoriale të depozituar ne OKB, në 12 milje në kurriz të vendit fqinj.
2- E vërteta historike dhe aktuale e pamohueshme është se qeveria greke prej 11 vitesh ishte e kyçur në negociata me qeverinë shqiptare për përcaktimin e shelfit kontinental dhe kufirit detar në detin Jon dhe se këto negociata u konkretizuan në vitin 2009 me një marrëveshje të firmosur dhe pranuar nga të dy qeveritë, mbi bazën e të cilës ujërat territoriale të Shqipërisë ishin 12 milje, kurse ato të Republikës Helene 6 milje.
Pasi kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të Edvin Kristaq Zografit për llogari të një pale të tretë, Shqipëria dhe Greqia me mirëkuptim të plotë vendosën ta paraqesin marrëveshjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Detit me kufijtë e caktuar prej saj.
Shqipëria nuk kishte pengesë pasi në Kushtetutën e saj e drejta ndërkombëtare mbizotëron mbi atë kombëtare.
Pas ardhjes në pushtet, Edvin Kristaq Zografi duke injoruar këtë vendim dhe së bashku me të edhe interesin kombëtar, refuzoi shkuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare dhe nisi negociatat de nuova për një marrëveshje të re të detit me Greqinë duke shkelur pikë për pikë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vendit, gjë që detyroi Presidentin e Republikës të bllokojë procesin.
Por edhe marrëveshja e negociuar Bushati-Kocias bazohej në njohjen reciproke të gjerësisë 12 dhe 6 milje të ujërave territoriale, përkatësisht të Shqipërisë dhe Greqisë.
Me një fjalë, për 10 vite me radhë Shqipëria dhe Greqia negociuan në një proces në të cilin Greqia kishte si ujëra të veta territoriale 6 milje dhe Shqipëria 12 milje.
Kështu që të pranosh vendimin e njëanshëm të Greqisë për të ndryshuar në mesin e procesit të negociatave kufijtë ujorë nga 6 në 12 milje shkelmon në mënyrë flagrante të vërtetën historike dhe interesin tënd kombëtar dhe de facto dhe de jure pranon tjetërsimin e ujërave të tua territoriale dhe hapësirës ajrore përkatëse.
Deklarata e vetme që mund të bëhej në këtë rast nga përfaqësuesi i Shqipërisë ishte se: Greqia po ndryshon me vendimin e njëanshëm të saj rregullat në mes të lojës dhe se Shqipëria nuk pranon këtë vendim pasi është një ndryshim i rregullave ex post facto.
Me këtë qëndrim Shqipëria paraqitej në Gjykatën Ndërkombëtare si palë kundërshtuese me të drejtë të vendimit helen dhe jo fatalisht si miratuese e këtij vendimi.
Pas deklaratës së Edvin Kristaq Zografit, avokati i palës greke do t’i thotë gjykatësit se pala shqiptare e ka pranuar prej kohësh me gojën e kryeministrit të vet ndryshimin që ne kemi bërë dhe se nuk ekziston marrëveshje midis dy vendeve.
3-Vendimi i qeverisë greke nuk mund të pranohej kurrsesi nga qeveria shqiptare pasi ai vetëm në aparencë bazohet në nenin 3 të Konventës së Montego Bay, i cili u njeh shteteve anëtare të drejtën e 12 miljeve si ujëra territoriale.
Por theksoj se kjo është vetëm në aparencë sepse në realitet disa nene të tjera të Konventës kufizojnë qartësisht të drejtën që njeh neni 3 i saj.
Për më tepër Gjykata Ndërkombëtare e Detit pas firmosjes së Konventës nga vendet anëtare ka shfuqizuar jo një, por disa vendime të bazuara në nenin 3 të saj si abuzime të paligjshme me këtë nen dhe rastet e shfuqizuara janë pothuaj identike me gjendjen midis Shqipërisë dhe Greqisë në ujërat jonianë, gjerësia e të cilave në tërësi shkon nga 26 në 2 milje.
Mirëpo përsëri Marrëveshja Rama-Dendia dhe deklaratat e Ramës se për ne kjo është okey, është një atu tjetër e çmuar në duart e palës greke për t’i thënë gjykatësit ti mos u bëj më shqiptar se vetë shqiptarët, kryeministri i Shqipërisë e ka pranuar këtë vendim tonin dhe ti nuk mund të hedhësh poshtë një ujdi të arritur midis palëve.
Gjykohen kundërshtitë midis palëve dhe jo ujditë e tyre.
Si përfundim, dënoj me ashpërsinë më të madhe marrëveshjen e fshehtë Rama-Dendia dhe ju bëj thirrje autoriteteve të vendit fqinj të braktisin përfundimisht lojërat me Zografër me Shqipërinë dhe të punojnë për një bashkëpunim miqësor strategjik midis dy kombeve dhe dy vendeve tona.