Një raport paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit i konsideron të pabaza akt-ekspertizat për prishjen e 7 objekteve arsimore në Durrës dhe rikonstruksionin e 4 të tjerave –pjesë e listës së miratuar nga Komiteti Shtetëror i Rindërtimit për t’u financuar nga programi “BE për Shkollat”.
Pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, me qindra godina u shenjuan me kryqe të kuqe në qytetin e Durrësit, por gjimnazi “Naim Frashëri” ia doli të rihapte dyert për qindra nxënës.
I ndodhur mes stadiumit “Niko Dovana” dhe spitalit rajonal të Durrësit, gjimnazi “Naim Frashëri” iu rikthye procesit mësimor më 9 dhjetor, pasi një grup i parë ekspertësh e vlerësoi atë si të padëmtuar në strukturë.
Në dhjetor 2019, ekspertët shkuan sërish në godinën e shkollës dhe kontatuan dëme të lehta të shkallës së dytë, por e klasifikuan atë “të gjelbër/të banueshme”. Mësimi u zhvillua normalisht deri në mars 2020, kur dyert e “Naim Frashërit” u mbyllën sërish si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.
Megjithatë, në mënyrë të papritur në fund të muajit prill, Bashkia e Durrësit i kërkoi Komitetit Shtetëror të Rindërtimit që ta përfshinte godinën në planet e afërta për rindërtim.
Gjimnazi “Naim Frashëri” është një nga 11 godinat arsimore të bashkisë së Durrësit që Komiteti Shtetëror i Rindërtimit vendosi t’i bënte pjesë të fazës së dytë të programit “BE për Shkollat” –i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të ndihmës financiare për rimëkëmbjen e Shqipërisë nga pasojat e tërmetit.
Por një raport paraprak i Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin BIRN e disponon, ngre pikëpyetje serioze nëse këto godina arsimore u dëmtuan vërtet nga tërmeti –ndërsa vlerëson se Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit shkelën kuadrin ligjor gjatë procesit të vlerësimit të dëmeve.
Sipas audituesve të KLSH-së, Bashkia e Durrësit inicioi kërkesa për akt-ekspertime të thelluara për 11 objektet arsimore, ndonëse ekspertizat paraprake i kishin vlerësuar ato si të pacenuara dhe të banueshme.
KLSH akuzon gjithashtu Institutin e Ndërtimit se në kushtet e konfliktit të interesit, kreu edhe akt-ekspertizat e thelluara, edhe oponencën e tyre –duke sugjeruar prishjen e 7 godinave dhe rikonstruksionin e 4 të tjerave, pa kryer më parë një vlerësim të kostove për ndërhyrjet.
I pyetur rreth konkluzioneve të Kontrollit të Lartë i Shtetit, Delegacioni i Bashkimit Europian u përgjigj se nuk ishte njohur ende me to, por shpresonte të merrte draftin përfundimtar, të cilin tha se “do ta analizojmë me kujdes”.
Delegacioni i BE-së shtoi gjithashtu se programi “BE për Shkollat” varet nga vlerësimi i dëmeve që kryen qeveria e Shqipërisë, ndërsa vendimet merren nga Komiteti Shtetëror për Rindërtimin.
“As Delegacioni i BE-së, as UNDP-ja nuk janë të përfshira në vendimet e marra nga Komiteti Shtetëror për Rindërtim,” tha Delegacioni në një përgjigje me shkrim.
Bashkia e Durrësit nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN mbi gjetjet e KLSH-së, por deklaroi se ishte në pritje të raportit përfundimtar, i cili do të reflektonte edhe oponencën e tyre.
Ndërsa Instituti i Ndërtimit tha se i kishte kryer akt-ekspertimet me kërkesë të Bashkisë së Durrësit, ndërsa hodhi poshtë akuzat se kishte qenë në konflikt interesi.
“Objektet arsimore, objekt i auditimit teknik, janë me një jetëgjatësi mbi 50 vite dhe futen tek objektet e rëndësisë së veçantë dhe me akses publik, të cilat e kanë domosdoshmëri kryerjen e ekspertizës,” tha drejtoresha e Institutit, Egra Ibrahimi në një përgjigje me shkrim.
Komiteti Shtetëror i Rindërtimit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Vendime ‘të pabaza’
Tërmeti i një viti më parë që goditi Shqipërinë e Mesme u mori jetën 51 personave dhe plagosi qindra të tjerë. Vala shkatërrimtare e goditjes u ndje në mënyrë të veçantë në Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Kurbin, ku qindra ndërtesa u dëmtuan dhe u shpallën të pabanueshme.
Mes mijëra ndërtesave të dëmtuara, 143 ishin shkolla, kopshte, çerdhe dhe konvikte. Bashkimi Europian është donatori më i madh për rehabilitimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti, duke alokuar deri më tani për rindërtimin e tyre mbi 65 milionë euro.
Përmes fazës së parë dhe të dytë të programit “BE për Shkollat”, Bashkimi Europian ka marrë përsipër të financojë rindërtimin apo rikonstruksionin e më shumë se gjysmës së objekteve arsimore të dëmtuara. Programi “BE për Shkollat” po zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP.
Më 2 korrik, Komiteti Shtetëror i Rindërtimit miratoi një listë me 42 shkolla, të cilat do të rindërtohen nga e para ose do të rikonstruktohen gjatë fazës së dytë të programit “BE për Shkollat”. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar procedurat e vlerësimit të dëmeve vetëm për 11 objektet arsimore të kësaj liste, që i përkasin Bashkisë së Durrësit.
Sipas raportit paraprak të KLSH-së, 11 godinat arsimore u verifikuan menjëherë pas tërmetit nga grupet e ekspertëve të ngritura nga Instituti i Ndërtimit dhe rezultuan pa dëme strukturore. Ekspertët rekomanduan përgjithësisht riparime rifiniturash e suvatime – me përjashtim të konviktit të shkollës “Beqir Çela”, ku rekomanduan mospërdorim deri në një vlerësim të dytë.
Katër prej godinave arsimore –ku përfshihen gjimnazi “Naim Frashëri”, çerdhet nr.2 dhe 3 dhe shkolla “Eftali Koçi iu nënshtruan një inspektimi të dytë në 8 dhjetor 2019.
KLSH citon në akt-inspektimin e kryer për gjimnazin “Naim Frashëri” se u vlerësuan dëme të lehta strukturore të shkallës 2, por me rrezikshmëri “të gjelbër/të banueshme”. Tre objektet e tjera rezultuan me dëmtime të shkallës zero.
Pavarësisht vlerësimit si të banueshme, Bashkia e Durrësit i kërkoi Institutit të Ndërtimit të kryente akt-ekspertiza të thelluara për 11 godinat e mësipërme arsimore. Më 30 prill 2020, Bashkia i kërkoi Komitetit Shtetëror të Rindërtimit që t’i përfshinte ato në planet për rindërtim –ndonëse nuk kishte marrë ende të gjitha akt-ekspertizat e thelluara.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se kërkesa e Bashkisë bie në kundërshtim me Aktin Normativ nr.9, që rregullon pasojat e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore.
“Bashkia Durrës ka inicuar kërkesën për akt-ekspertizë të thelluar edhe pse në akt-konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit apo grupeve përkatëse të inspektimit nuk është kërkuar rivlerësim më i thelluar,” shkruhet në raport.
Sipas KLSH-së, kuadri ligjor është shkelur më pas edhe nga Instituti i Ndërtimit, i cili kreu edhe akt-ekspertimet e thelluara, edhe oponencën e tyre. Audituesit vlerësojnë se Instituti i Ndërtimit u vendos “në kushte të hapura të konfliktit të interesit”.
Akt-ekspertimet e thelluara të Institutit të Ndërtimit paraqesin një situatë të kundërt me vlerësimet praprake. Për shumicën e objekteve shkollore, ato konstatojnë degradim të hekurit dhe kolonave mbajtëse si dhe prani të lagështirës.
Konkluzioni është i njëjtë për të 7 godinat që rekomandohet ndërtimi nga e para: “Objekti është i dëmtuar në strukturë. Për këtë arsye, grupi i inspektimit vendosi që nuk ka nevojë për inspektime laboratorike. Vihet re degradim i objektit ndër vite”.
Në raportin paraprak, KLSH vlerëson se akt-ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit janë trajtuar në formë shablloni, duke bërë më shumë historikun e tërmeteve në Shqipëri sesa trajtimin e problemeve të objekteve.
Raporti shton gjithashtu se audituesit e KLSH-së nuk gjetën asnjë evidencë në terren që të provojë nëse është verifikuar hekuri i kolonave apo muret poshtë suvasë- të cilat konsiderohen në akt-ekspertiza si të degraduara.
Në kundërshtim me Aktin Normativ, akt-ekspertimet nuk përbajnë gjithashtu një vlerësim financiar të ndërhyrjeve. Prishja e godinave rekomandohet vetëm në rastet kur kostot e ndërhyrjeve zënë 70% të kostos së rindërtimit nga e para.
Duke i konsideruar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Durrësit dhe Instituti i Ndërtimit në shkelje të kuadrit ligjor, audituesit e KLSH-së vënë në dyshim edhe vërtetësinë e akt-ekspertizave të thelluara.
“Procesi i vendimmarrjes, veçanërisht për prishjen e detyruar të objekteve, është i pabazë dhe mbart njëkohësisht rriskun që të jetë e gabuar,” argumenton KLSH.
Instituti i Ndërtimit i kundërshtoi gjetjet e KLSH, ndërsa i tha BIRN se provat laboratorike të hekurit nuk kanë qenë të nevojshme, me përjashtim të shkollës “Naim Frashëri”.
“…janë objekte me muraturë mbajtëse tulle, ku nuk janë të nevojshme provat e hekurit, duke përjashtuar shkollën Naim Frashëri që ka sistem konstruktiv të kombinuar..,” tha Instituti i Ndërtimit.
Instituti sqaroi gjithashtu se për shkak të uljes së kostove, kishin negociuar në VKM nr. 26 edhe kryerjen e akt-ekspertizave pa prova.
“Akt-ekspertiza pa prova bazohet kryesisht në bazë të eksperiencës dhe përvojës së inxhinierit, i cili shkon në terren dhe bën klasifikimin e objektit të dëmtuar, nëse këtij objekti i duhet bërë ekspertiza me prova, apo pa prova,” tha drejtoresha Ibrahimi në përgjigjen me shkrim.
Delegacioni i Bashkimit Europian i tha BIRN se inxhinierët e UNDP-së që kishin vizituar të gjitha objektet në Durrës, kishin inspektuar dëme të dukshme në to. Megjithatë, BE shtoi se inxhinierët e UNDP-së nuk marrin pjesë në vlerësimin e thelluar të Institutit të Ndërtimit.
Delegacioni shtoi se BE-ja dhe UNDP-ja kanë rishikuar listat e miratuara nga Komiteti Shtetëror për Rindërtim dhe kanë vendosur së bashku për shkollat që do të synohen nga programi, mbi bazën e një sërë kriteresh.
“Raportet shprehen se analizat e thelluara janë kryer në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 26, datë 15 janar 2020, “Për Vlerësimin në Thellësi të Ndërtesave të Dëmtuara”, tha Delegacioni.
Nxënësit vuajnë pasojat
Prishja e disa shkollave të dëmtuara nga tërmeti dhe vendimet e diskutueshme për mbylljen e 3 gjimnazeve dhe dy shkollave të tjera –pjesë e listës së programit “BE për Shkollat” – e kanë vështirësuar së tepërmi zhvillimin e procesit mësimor në qytetin e Durrësit.
Situata u rëndua edhe më tej si pasojë e pandemisë së COVID-19, ku nxënësit u ndanë edhe me turne.
Prej mesit të shtatorit, gjimnazistët e shkollës “Naim Frashëri” u zhvendosën në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në zonën e plazhit. Sipas nxënësve dhe mësuesve, procesi mësimor zgjaste deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
“Transporti i nxënësve bëhet me autobusin e shkollës. Mësimi bëhet në dy turne, nga ora 13.30 deri në orën 20.00. Kemi marrë masat anticovid dhe gjithçka është nën kontroll,” tha mësuesja e kimisë, Mimoza Hasantaraj.
E pyetur se çdo të bëhej me godinën e shkollës “Naim Frashëri”, mësuesja tha se dinte që ishte planifikuar për t’u shembur. Ajo nuk pranoi të fliste për dëmet, duke mos e konsideruar veten kompetente.
Edhe gjimnazi “Gjergj Kastrioti” e ka zhvendosur procesin mësimor në turnin e dytë në godinën e universitetit “Aleksandër Moisiu” në zonën e Currilave. Drejtoresha e gjimnazit, Enkelejda Alizoti i tha BIRN se procesi mësimor kishte filluar normalisht në shkollën e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit, por godina ishte mbyllur përfundimisht në periudhën e karantinës në muajin mars.
“Qëndruam në mjediset e shkollës duke zhvilluar mësimin normalisht, duke u rimbyllur sërish shkolla për shkak të pandemisë,” tha Alizoti për BIRN. “Në mjediset tona erdhën edhe nxënësit dhe mësuesit e shkollës Bedri Bebeziqi, të cilët e zhvilluan procesin mësimor në të njëjtën godinë me ne, kuptohet me dy turne,” shtoi ajo.
Mbyllja e shkollës “Gjergj Kastrioti” dhe zhvendosja e mësimit deri në orët e vona të mbrëmjes ka shkaktuar shqetësime tek prindërit e gjimnazistëve. Hamide Sejdini, nënë e tre vajzave, i tha BIRN se për shkak të orarit, tashmë është e detyruar që ta shoqërojë vetë vajzën e dytë për në shkollë.
“Pas tërmetit, vajza rinisi shkollën te Gjergj Kastrioti. Por në mars, shkolla u mbyll nga pandemia dhe pastaj na lajmëruan se do të shkonte të ndiqte mësimin tek ambjentet e Universitetit,” tha Sejdini. “Më shqetëson fakti që është larg dhe kthehet në darkë, ndaj përpiqem ta shoqëroj vetë çdo ditë,” përfundoi ajo. /BIRN/