“Durrës-Porto Romano”/ ARRSH shpall fitues “4-AM” pas akuzave për “shkelje e vjedhje”

Nga Boldnews.al

Pas tre procedurave të dështuara dhe dyshimeve publike për “shkelje të barazisë në tendera e tentativë për vjedhje të fondeve buxhetore” nga një prej kompanive pjesëmarrëse, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur më në fund kompaninë fituese të fondit rreth 6.5 milionë euro (me TVSH) për ndërtimin e Lotit 3 të rrugës “Porto Romano-Durrës”.

Kompania “4-AM”, e cila në vitet e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme në fitimin e kontratave publike multi-milionëshe, është shpallur fituese, pasi janë eleminuar më parë tre operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët kishin paraqitur oferta më të ulta.

Operatori fitues ka ofruar vlerën e 642 milionë lekë të reja pa TVSH, në një tender me fond limit 669 milionë lekë të reja.

Kjo procedurë prokurimi, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”, është shoqëruar me dyshime të forta për kritere teknike të paracaktuara dhe për pretendime formale për hartimin e mekanizmave për shpërdorimin e fondeve publike, deri edhe në vjedhje.

Shoqëria “Geci” shpk, e cila në këtë procedurë u përfshi në bashkëpunim me “Bami” shpk, ngriti më herët pretendime mbi kriteret e vendosura nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në një vendim të Komisionit të Prokurorimit Publik të Korrikut 2020, lexohet se kompania “Geci” në ankimin e saj ka përmendur akuza të rënda mbi autoritetin kontraktor, Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Pasi lexuam me kujdes të gjithë dokumentacionin e ngarkuar nga ana juaj konstatojmë se dy anullimet e bëra nuk lidhen me për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të Autoritetit Kontraktor …. por pikërisht me tentativa për të vjedhë fondet buxhetore nëpërmjet shkeljes së barazisë në tender dhe shpalljes së fituesve të paracaktuar”, shkruhet në ankimin e operatorit ekonomik, të cilin ia ka dorëzuar fillimisht pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në ankim nuk përmenden emri apo emrat konkretë, të pretenduar si “fitues të paracaktuar”. Megjithatë, pas anulimeve të procedurave tre herë dhe pas një vendimi të Komisionit të Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi garën për tenderin rreth 6 milionë euro.

Në dokumentat e publikuar nga “spendingdata.al”, rezulton se bashkimi i operatorëve “Geci & Bami” janë kualifikuar në garë, por ata kanë pasur ofertë më të lartë se sa “4-AM”.

Në këto kushte, Autoriteti Rrugor Shqiptar, pasi skualifikoi tre operatorë të tjerë ekonomikë, të cilët kishin dhënë ofertë më të ulët se “4-AM”, e shpalli këtë të fundit fituese të tenderit.

Në një dokument të hartuar nga drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, rezulton se nuk ka pasur asnjë ankesë për renditjen e datës 18 gusht 2020.

Duket se “Geci &Bami” janë bindur se shpallja e kompanisë “4-AM” si fituese e tenderit është në përputhje me ligjin.

 Si u arrit te “4-AM”

“Boldnews.al” ka raportuar mw herwt pwr problemet me kwtw tender, me fond limit rreth 6 milionw euro.

Në një vendim të Qershorit 2020 të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) zbulohet se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka anuluar në mënyrë të dyshimtë dy herë tenderin me vlerën 6.5 milionë euro për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës, Loti 3”, para se të shpallte për herë të tretë procedurën.

Në të dy rastet e anulimit, përgjegjësia është e autoritetit kontraktor, megjithëse Autoriteti Rrugor Shqiptar, në argumentat zyrtare, është munduar të justifikohet se tenderi u anulua “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor”.

Referuar dokumentave të siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se tenderi u shpall për herë të tretë, por u anulua sërish, pas një vendimi të Komisionit të Prokurimit Publik.

Tashmë është në zhvillim procedura e katërt për të njëjtin tender dhe, në rast se nuk ka shtyrje të tjera, fituesi mund të publikohet së shpejti.

LEXO EDHE  Grabiste materiale në kantieret e ndëtimit, arrestohet shqiptari

Por, gjithësesi, vijimi i procedurës nuk shmang përgjegjësitë administrative të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe dyshimet se institucioni mund të jetë “investuar” fillimisht për të orientuar procedurën drejt ndonjë kompanie të paracaktuar.

Anulimi i parë

“Boldnews.al” ka konsultuar dokumentat e tenderit, në bazë të të cilave konstatohen një seri parregullsish, përgjegjësia e të cilave bie tërësisht mbi autoritetin kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në 24 Prill 2020, në kulmin e kufizimeve sociale për shkak të pandemisë Covid-19, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall tenderin “Ndërtimi i rrugës Porto Romano-Durrës, Loti 3”, me fond limit 669.384.858 lekë pa TVSH (rreth 6.5 milionë euro).

Pak ditë më pas, Autoriteti Rrugor vendos anulimin e procedurës, me argumentin “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit”.

Por, në ripublikimin e procedurës tenderuese, në 7 Maj 2020, rezultoi se arsyeja e anulimit nuk kishte të bënte aspak me “shkaqe të paparashikuara”.

Shkak për anulimin e tenderit të parë ishte “gabimi” që Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte bërë në kriteret e përzgjedhjes së fituesit.

Mënyra e përzgjedhjes së fituesit nuk mund të jetë kurrësesi shkak “i paparashikueshëm”, pasi është një kriter që vendoset vetë nga autoriteti kontraktor.

Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi të rihapë për herë të dytë tenderin 6.5 milionë euro për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës, Loti 3”, e cila pritej të mbyllej në 10 Qershor 2020.

Anulimi i dytë

Në 29 Maj 2020, vetëm pak ditë para datës së zhvillimit të tenderit, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendos të anulojë sërish procedurën.

Sipas argumentit zyrtar të ARRSH-së, “janë ka konstatuar mospërputhje të projektit me specifikimet teknike dhe preventivin e punimeve. Për këtë arsye, autoriteti do të vijojë me rishikim të projektit”.

Ky argument, në rastin më të mirë, tregon për dështimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar në procedurën për këtë tender.

Është jashtë logjikës normale që autoritetet publike të nisin procedurat e prokurimit publik, pa hartuar më parë, në mënyrë të plotë specifikimet teknike dhe preventivin e punimeve, në të gjithë llojet e kontratave dhe, sidomos në ato për punë publike.

Por nuk përfundon këtu. Autoriteti Rrugor Shqiptar, në njoftimin për anulimin e procedurës për herë të dytë, shënon se do të rishohë projektin.

Por, sipas dokumentave të siguruar nga “Boldnews.al” rezulton se, në të njëjtën ditë, ARRSH ripublikon procedurën e tenderit, në të cilën duket se nuk ka asnjë ndryshim në projekt.

Autoriteti Rrugor Shqiptar e shoqëron procedurën e re me një sqarim “Mbi procedurën e tenderit të objektit Ndërtim Rruga Porto Romano loti 3”.

Ky sqarim është kryer nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Autoritetin Rrugor Shqiptar, strukturë që nuk e ka tagrin ligjor për të ndërmarrë një iniciativë të tillë.

Rishpallja e tretë

Në datën 1 Qershor 2020 është publikuar për të tretën herë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar procedura e prokurimit me objekt Ndërtim Rruga Porto Romano Durrës Loti 3.

Nga konsultimi i dokumentacionit për anulimin e dy procedurave të mëparshme, rezulton se ato janë përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, nën dyshimet për fitues të paracaktuar dhe shkelje të barazisë në tendera.

Këto problematika, si edhe të tjera, janë konstatuar nga kompani pjesëmarrëse në tender, të cilat janë ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, pasi kërkesat ishin refuzuar paraprakisht nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) pranoi pjesërisht ankesat, duke i kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar për të ndryshuar specifikimet teknike, me qëllim krijimin e kushteve për një garë të barabartë.

Bazuar në vendimin e KPP-së, Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi për herë të katërt tenderin për ndërtimin e rrugës “Porto Romano Durrës, Loti 3”.