KPA i kërkon Komisionerit Publik të qartësojë shkaqet e ankimit ndaj prokurorit Elvin Gokaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, i la detyrë Komisionerit Publik që të përgatisë analizë financiare për të gjitha balancat negative që ai konstaton në ankimin kundër konfirmimit në detyrë të prokurorit të Apelit Shkodër, Elvin Gokaj dhe shtyu seancën kur palët do të paraqesin qëndrimin e tyre për kriterin e pasurisë.

Komisioneri Publik Dariel Sina deklaroi në seancën e të hënës se, edhe pasi ishte njohur me provat e reja të dorëzuara nga prokurori Elvin Gokaj, mbeteshin për të shqyrtuar të gjitha shkaqet e ngritura fillimisht prej tij.

Sina pretendon në ankim se prokurori Gokaj nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në Durrës në vitin 2009 dhe se rezulton në pamundësi për investimin në dy depozita dyemërore të bashkëshortes.

Prokurori Gokaj deklaroi se, për pagesën e këstit të parë për apartamentin në Durrës kishin shërbyer të gjitha kursimet nga pagat e tij e të bashkëshortes.

“Ku i çova gjithë ato lekë që kam tërhequr, kur nuk kam pasur shpenzime të tjera”, pohoi Gokaj dhe shtoi se kishte depozituar dokumentacion për tërheqjen e parave cash në vitin 2008.

Sipas subjektit, edhe në vitin 2009 kishte tërhequr një vlerë 500 mijë lekë që kishte shërbyer për shlyerjen e këstit të parë.

Komisioneri këmbënguli se prokurori Gokaj kishte pasur detyrimin të pasqyronte saktë në deklaratën veting situatën e shlyerjes së këstit të dytë në vlerën 10 mijë euro, kur kishte përdorur një hua. Sipas tij, duhej pasqyruar edhe huaja e marrë dhe e shlyer brenda vitit.

Gokaj u shpreh se kishte qenë shumë i qartë për burimin. Ai shpjegoi se kishte marrë 10 mijë euro hua nga një miku i tij, që e kishte shlyer brenda vitit. Sipas Gokajt, huanë e kishte marrë për shkak se kursimet i kishte në një depozitë që nuk ishte maturuar ende në periudhën kur duhej të paguante këstin.

Prokurori Gokaj këmbënguli se nuk kishte arsye ta rideklaronte marrëdhënien e huamarrjes, kur e kishte pasqyruar në deklarimet e mëparshme.

Sina i qëndroi edhe shkakut tjetër se prokurori Gokaj nuk ka deklaruar disa llogari dyemërore të bashkëshortes së tij për periudhën 2010-2016.

“Konstatojmë se bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit është bashkëpronare e këtyre llogarive bankare dhe duhej të ishin deklaruar. Subjekti nuk argumentoi të kundërtën lidhur me këto depozita”, pohoi Sina.

KPA vendosi më 6 tetor të çelë shqyrtimin gjyqësor lidhur me prokurorin e Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj – i pezulluar nga detyra për të ndjekur trajnimin 1-vjeçar të detyrueshëm në Shkollën e Magjistraturës. Prokurori Elvin Gokaj përbën rastin e parë kur KPK ka aplikuar nenin Ë të Kushtetutës, duke vendosur ndaj tij një masë disiplinore që merret për shkak të mangësive profesionale.Vendimi i KPK u ankimua në Kolegj si nga Komisioneri Publik ashtu edhe nga vetë Gokaj.

Avokatja Romina Zano e pyeti Komisionerin nëse kishte një qëndrim lidhur me shkaqet e tjera të ankimit. Sina shpjegoi se në këtë seancë paraqiti qëndrimin e tij lidhur me shkaqet kryesore. Ai shtoi se nuk kishte konstatuar se për krijimin e depozitave kishte pasur mungesë të burime të ligjshme, por se nuk ishin deklaruar.

Prokurori Elvin Gokaj tha se u qëndronte deklarimeve të mëparshme lidhur me depozitat bankare dyemërore të bashkëshortes dhe nënës së tij.

“Ato lekë nuk kanë qenë asnjëherë të miat dhe nuk janë përdorur prej meje”, tha Gokaj.

LEXO EDHE  Negociatat/ Mediu rrëfen takimin me Bashën: Ja sa vende na takojnë në listën e sigurtë

Ai shpjegoi se kur ishte thirrur nga ILDKPKI në vitin 2016 dhe kishte marrë dijeni për këto depozita, i kishte kërkuar nënës së tij që të vinte në Shqipëri dhe ti kalonte depozitat vetëm në emër të saj. “I kam deklaruar në rubrikën ‘të dhëna konfidenciale’. Kam qenë i saktë dhe i sinqertë. Nuk mund të penalizohem për të ardhurat e nënës dhe të babait nga puna e tyre në emigracion”, pohoi Gokaj.

Ai vijoi se kishte qenë i larguar për 20 vite për shkak të punës dhe se nuk mund të verifikonte gjithë veprimet e familjarëve të tij. Sipas Gokajt, tashmë ishte verifikuar se vlerat e depozitave të prindërve të tij ishin të ligjshme dhe se bashkëshortja kishte qenë e autorizuar vetëm për kryerjen e veprime për llogari të tyre, pasi jetonin jashtë Shqipërisë.

“Siguroj Komisionerin Publik dhe Kolegjin se veprimet e mia janë të drejta, se kam punuar me korrektësi dhe në zbatim të ligjit. Dhe të kisha një jetë tjetër kështu do veproja”, tha prokurori Gokaj.

Avokatja Romina Zano deklaroi se nuk kishte asnjë logjikë që këto depozita ti përkisnin subjektit apo bashkëshortes së tij. Sipas saj, nëna e Gokajt kishte deklaruar se bashkëshortja e tij nuk kishte qenë bashkëtitullare në këto depozita. “Këto janë veprime juridike familjare e njerëzore”, pohoi ajo dhe shtoi se i përfaqësuari prej saj nuk kishte pasur qëllim që t’i fshehë me anë të mosdeklarimit.

Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit nëpërmjet relatores Albana Shtylla, e pyeti Komisionerin Publik lidhur me qëndrimet e tij për mungesat e burimeve financiare të subjektit të rivlerësimit.

Shtylla e pyeti Sinën nëse i qëndronte konkluzionit se Gokaj dhe bashkëshortja e tij nuk mbulonin me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për periudhën 2010- 2016 me një diferencë negative në total 1 milionë e 999 mijë lekësh, periudhë kur janë krijuar edhe depozitat dyemërore.

Sina tha se u qëndronte gjithë shkaqeve të ankimit. “Kur flasim për burimin e ligjshëm referohesha tek llogaritë bankare të cilat ishin në emër të nënës dhe vjehrrit të S.R., pasi ne nuk kemi thënë në asnjë moment që ky burim është i pa ligjshëm. Subjekti duhej të shpjegonte veprimet që ka kryer me këto llogari”, tha Sina. Sipas tij, diferenca rezultuonte duke marrë parasysh se 50% e vlerave të depozitave i kalon bashkëshortes së subjektit.

Shtylla evidentoi se kishte nevojë për një qartësi të shkaqeve të ankimit dhe i kërkoi Komisionerit të përcaktonte se cilave iu qëndronte ekzaktësisht. Gjithashtu, Kolegji i kërkoi Sinës të argumentonte për të gjitha shkaqet me shkrim, pa bërë një dallim ndërmjet atyre që konsideronte të rëndësishme apo të parëndëisshme.

“Për Kolegjin nuk mund të ketë një ndarje të tillë ndërmjet shkaqeve të ankimit, përsa kohë ato janë të përfshira në ankim”, tha Shtylla.

Në fund, Kolegji i kërkoi Komisionerit Publik që të paraqiste analizën financiare për një apartament në Durrës si dhe për llogaritë dyemërore mes bashkëshortes së Gokajt, prindërve të tij dhe vjehrrës.

“Në ankim, tek parashtrimet e datës 6 tetor 2020, Komisioneri Publik është ndalur për analizë vetëm në vitet 2011, 2012, dhe 2013”, evidentoi Shtylla duke i lënë detyrë Komisionerit t’ë dorëzonte analizën më datë 4 nëntor.

Seanca e radhës u shty për më datë 6 nëntor, ora 10:00. /BIRN/