Qielli i mbarsur i politikës

Nga Ilir Kalemaj

Vetëtimat vetmimtare në qiellin e mbarsur të politikës shqiptare paralajmërojnë shi me rrebesh, ndonëse deri tani ndonjë vesë e lehtë verore më tepër ka paralajmëruar për thatësirën e madhe që do të vijë sesa për ndonjë breshër do të dëmtojë arat e mbjella me jonxhë dhe tërshërë. Këto vetëtima të tilla si heshtja e përgojuar e Europës së Bashkuar nga ana e kryeministrit tonë ndaj kandidaturës për nuse të Shqipërisë në BE, janë ogure jo fort të mira për fatin e mbramë të aspiratës shekullore të shqiptarëve për të përkitur në familjen europiane. Vënia në sedër e europianëve safi, ku në fakt ti si nuse e ardhshme nuk di apo nuk do të bësh detyrat e shtëpisë, as nuk i hedhin dot hi syve dhëndrit potencial dhe as shushasin ndonjë shqiptar me dy fije mend në kresë. Nuk ka qytetar të përgjegjshëm sot që nuk mendon se aty ku gjeografia dhe historia prej kohësh na kanë caktuar, janë politikanët sharlatanë që kanë bërë çmos me çdo kusht të na largojnë. Dhe ja kanë dalë. Fatkeqësisht.

Nga ana tjetër, opozita duket në proces organizimi dhe provash gjenerale. Por pa një fabul ende të kopsitur, një koalicion apo dy ende të pakolauduara plotësisht dhe pa një strategji të mirëfilltë sesi shkohet nga opozita si poezi në qeverisjen si prozë. Në fakt me nje proces demokratik të inicuar së brendshmi por pa një hapje reale që do të sillte qarkullim të shëndetshëm elitash, ende me një program të pakoordinuar dhe rafinuar plotësisht dhe të pambështetur në një komunikim politik dhe publik të besueshëm si me antarësinë ashtu dhe me qytetarët. Kësisoj, gjasat janë jo fort ngazëlluese dhe ngjitja e Sizifit do të jetë e mundimshme por jo e pamundur për të fituar mbështetje të gjerë popullore, për ta ngjallur besim te faktorët dhe aktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë dhe shpresë të shqiptarët që nuk kanë prerë ende biletën një-drejtimëshe si azilantë apo punë-kërkues rrugëve të Europës.

Nga ana tjetër, mosbesimi mes dy palëve politike, ku thikat nën dhe shpesh edhe mbi brez, kanë kohë që lëmohen jo vetëm natën si kusarë por edhe ditën për diell, ngjallin pak aspiratë se do të kemi një proces zgjedhor të besueshëm, ku vota të jetë e lirë dhe e drejtë, ku të kemi nje rezultat të shpejtë dhe të pakontestueshëm. Ky mosbesim që nisi me precedentin e bojkotit, vijoi me zgjedhjet monokratike dhe parlamentin një-ngjyrësh dhe po përfundon me barrikadimin e plotë të dy dy palëve në frëngjitë përkatëse, pa pranuar t’i hapin rrugë çfarëdolloj procesi që do të garantonte pranim të rregullave të lojës të barabartë për të gjithë. Natyrisht pala që ka pushtetin dhe madje abslut si rrallëherë në këto tre dekada pluralizëm, duhet t’i jepte me kohë provilegjin palës tjetër, të respektonte opozitën e vërtetë dhe të votuar duke dhënë garancitë minimale për zhvillim të një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe të besueshëm. Madje, mund të gjente forcë dhe kurajo të bënte zgjedhje të parakohshme, të binte dakord për një qeveri teknike që do të garantonte paqtimin e gjakrave, besueshmëri për moskapje shteti nga pushteti, do të rriste cilësinë dhe shpejtësinë e reformave për të avancuar me hapjen e negociatave etj. Por gjithçka nisi të marrë tatëpjetë me reformën zgjedhore që në fakt ishte i vetmi nga nëntë kushtet gjermane që kërkonte dhe një përfshirje aktive të opozitës. Kushtet e tjera ishin dhe janë detyra shtëpie për qeverinë.

LEXO EDHE  Parashikimi i motit/ Ja kur nisin reshjet e shiut dhe ato të dëborës

Në fakt qysh në krye të herës, fati i mbramë i reformës katërpalëshe u duk qartazi i destinuar për dështim pasi u pa fare qartë vullneti i shumicës për ta sabotuar qysh në start. Kësisoj, palët u nisën për reformë e bënë një vërë në ujë. Siç thotë populli qerrata, u mbars mali dhe polli një mi. Thjesht u dakordësuan për armëpushimin e radhës deri në pritje të rindezjes së ashpër të luftës. E cila nuk vonoi por erdhi bashkë me shirat e vjeshtës. Ndaj opsionet vijnë duke u ngushtuar ndërkohë që Rama qeveris kaluar, duke përhapur llafe lart e poshtë xhadesë me tellallët e tij mediatikë se në fakt po lufton për mandatin e katërt se atë të tretin nuk e diskuton hiç. Këmbanat bien për veshë që dëgjojnë dhe ka ende kohë për të reflektuar.

*Shkruar enkas për BoldNews.al