Nga Erl Kodra
Ndërsa dëgjoja fjalën e Edi Ramës në Asamblenë e Partisë Socialiste, padashur mendja më shkoi tek trashgimia e saj politike. Në të vertetë, me sytë e mendjes unë pashë gërmadhat e përjetshme që kjo parti terroriste ka mbjellë në trupin e historisë, prej të cilave nuk po mundemi të shkëputemi edhe pas 30 viteve të pluralizmit politik. Ky tekst mund të mos jetë shumë i ëmbël për ata lexues që kanë besuar dhe besojnë akoma në pallavrat luftës për liri, por ju siguroj se është një përpjekje e pakompromis për të thënë të vertetën nga këndvështrimi tjetër, domethënë, nga ajo anë që apriori nuk është parë ndonjëherë.
Gjatë një debati të fortë me një të afërm timin; një i majtë i pakorrigjueshëm ky, por edhe një burrë shumë i mirë; mes të tjerash i thash se me ju ka një problem serioz; ju jeni të gatshëm të justifikoni çdo krim të neveritshëm të kryer nga e majta, pavarësisht përmasave dhe pasojave, edhe nëse krimi është masiv dhe me karakter të thellë gjenetik. Dhe vazhdova:
Për ju është e moralshme të vrasësh për shkaqe pushteti, madje është e pranueshme të vrasësh me qëllime terrori, madje madje, është normale të përndjekësh popullin tënd në linja gjaku, për tre breza me rradhë. Në të vertetë, kjo është trashgimia juaj politike, madje kjo është e vetmja trashgimi, sepse pjesa tjetër e jetës tuaj është një mashtrim i madh, një iluzion i mjerë propagandistik, i ngritur fund e krye mbi pallavra dëshmorësh inekzistent, të përdorur neveritshëm prej jush. Për ju, vrasja mizore e 6000 shqiptarëve nga terroristi Enver Hoxha nuk do të thotë asgjë, sepse ju keni paracaktuar ata si armiq, jo thjeshtë si armiqtë tuaj, por si armiq të Shqipërisë, sepse ju identifikoni Shqipërinë me veten. Deviza juaj është e thjeshtë: terror i kombinuar me propagandë.
Ka diçka që nuk mund të anashkalohet – vazhdova unë – sepse kjo është bërë tashmë pjesë e karakterit tuaj pervers; ju vazhdoni të identifikoni veten me të mirën, me progresin, me lirinë dhe pavarësinë, me prosperitetin, me punën, me të varfërit; në një kohë kur ju nuk jeni asgjë tjetër përpos një bande me rrënjë terrori. Kaq është trashgimia juaj.
Asgjë më shumë.
A e dëgjove fjalimin e Edi Ramës në Asamblenë e PS-së? Çfarë ishte ai teatër gjigand, me vetëm dy protoganist? Cila ishte fabula, narracioni, ideja e prroit të tij ideologjik? Ne jemi të mirët, ndërsa të tjerët nuk vlejnë? Vetëm kaq?! A e kuptove thelbin se çfarë synonte Rama, ku gjuante? Po ta shpjegoj unë.
Ilir Meta është President, por me rrënjë të majta. Edi Rama është Kryeministër, por kryeministër nga e njëjta rracë. Duket se drama e tyre është e mbushur plot dashuri dhe urrejtje, por në thelb nuk është ashtu. Ata e kanë kuptuar se bota sillet rreth dramave, sidomos nëse ato janë të mbarsura nga protagonistët e pushtetit të përjetshëm. Prandaj shpikin fabula të tilla me dëshmorë, me themelet e luftës për liri, me shqiptarizma dhe heroizma imagjinare. Ata duan të jenë prezent me tema të rënda, ndaj në skenë kanë thirrur Margarita Tutulanin dhe Vojo Kushin. O Zot, çfarë teme sinjifikative për një audiencë të dërrmuar!
Nesër, këta dy korifej të shqiptarisë, do të mbledhin votat naive të qytetarëve, sepse Presidentit Ilir Meta ngjanë bukur kur bën shqiponjën me duar, ndërsa Kryeministri Edi Rama flet shkarazi për seksin e ëngjëjve, Berishën e tmerrshëm dhe Lulin gjumash, por ama, Ilir Meta është “armiku i synuar”, jo Luli i shkretë, jo Partia Demokratike. Çfarë fabule brilante për të rishpikur veten nga hiçi, edhe atëherë kur je i zhytur në mut.
***
E majta shqiptare duhet rithemeluar. Por për këtë temë do të shkruaj herë tjetër.