Zyrtare/ Kukësi blindon “xholin” e ekipit, rinovon për dy vite

Bruno Lulaj ka pranuar ofertën e Kukësit dhe ka nënshkruar një kontratë të re. Mbrojtësi ka firmosur për dy vite ndërsa lajmin e ka konfirmuar klubi verilindor në rrjetet sociale.

“Futboll Klub Kukësi njofton se ka arritur marrëveshjen me mbrojtësin Bruno Lulaj për rinovimin e kontratës edhe për dy sezone të tjera!

Mbrojtësit 25-vjeçar i përfundoi kontrata këtë verë dhe pas një diskutimi me drejtuesit e klubit, u vendos për rinovimin e saj edhe për 2 sezone të tjera.

Lulaj u afrua te Kukësi verën e shkuar ku zhvilloi 31 ndeshje në Kategorinë Superiore, nga të cilat 15 prej tyre si titullar. Në Kupën e Shqipërisë, Lulaj gjeti dy herë rrugën e rrjetës! Suksese Bruno”, shkruhet në njoftimin verilindorëve.

Kujtojmë që Lulaj  iu bashkua Kukësit verën e shkuar, pasi i kishte mbaruar kontrata me Skënderbeun. Në të shkuarën ai kishte spikatur me Laçin, ku hapësirat i kishte pasur të shumta.

Bruno Lulaj është një lojtar polivalent i cili fare mirë mund të luajë në qendër të mbrojtjes në mesfushë por edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.