Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u nda në qëndrime për gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Elona Toro, e cila u konfirmua me shumicë votash. Ndërsa kryesuesja Firdes Shuli dhe relatorja Pamela Qirko u bindën nga shpjegimet e Toros, anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja argumenton se gjyqtarja nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm për disa dhurime dhe një hua në vlera të konsiderueshme.
Elona Toro u konfirmua në detyrë më datë 17 qershor 2020, pasi shumica e trupit gjykues vlerësoi se gjyqtarja e Apelit Tiranë arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe në kontrollin e figurës, si dhe një nivel të mirë kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Por vendimi nuk ka kaluar pa debate.
Sipas anëtares Çiftja, gjyqtarja Toro ka kryer deklarim të pasaktë për burimet e ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 112.7 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2009 me vlerë 135 mijë euro si dhe “nuk ka përdorur burime të ligjshme për kryerjen e të gjitha pagesave”.
Çiftja shpjegon se Toro ka pasqyruar burime të ndryshme financiare në deklaratën veting, krahasuar me ato që ka specifikuar gjatë hetimit administrativ. Në deklaratën veting, ajo ka shënuar si burime shumën 5.8 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit në bashkëpronësi me të atin në vitin 2009; hua në vlerën 45 mijë euro të marrë nga miku i bashkëshortit në korrik 2008; 5 milionë lekë kredi të marrë në shkurt 2011 dhe 1.9 milionë lekë të përfituara nga nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor në mars 2006.
Gjatë procesit, subjekti kishte deklaruar si burim për pagesën e këstit të parë në shumën 12 mijë euro shumat 6.000 euro dhe 4.000 USD, të tërhequra nga llogaria bankare e babait të saj dhe shumën 3.200 euro nga kësti i parë i shumës 10 mijë euro të marrë hua.
Çiftja konsideron se Toro ka kryer deklarim të pasaktë për burimin e kësaj pasurie, ndërsa shumica vlerëson se pasaktësitë në deklarim janë pa pasoja dhe nuk i ka mbajtur në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit përfundimtar.
Një tjetër kontestim i anëtares në pakicë të trupës lidhet me mundësitë financiare të babait të gjyqtares për të krijuar vlerat prej 6 mijë euro dhe 4 mijë dollarë. Sipas Çiftjes, babai i subjektit nuk ka pasur mundësi financiare në vitin 2005, pasi sipas saj rezulton me balancë negative prej 3 milionë lekësh.
Gjithashtu, Çiftja konstaton mungesë të ardhurash të ligjshme të babait të subjektit për disa dhurime në favor të fëmijëve të saj në vlerën e 950 mijë lekëve.
Gjatë procesit, gjyqtarja Elona Toro ka kërkuar që Komisioni të ketë një qasje elastike ndaj të ardhurave të prindërve të saj, duke marrë parasysh edhe informalitetin e kohës.
“Kjo situatë duhet parë në këndvështrim të informalitetit të kohës, faktit se këta dy shtetas nuk kanë pasur ndonjëherë funksione shtetërore të tilla që mund t’i bënin subjekte deklarues në të ardhmen, si dhe faktit se legjislacioni fiskal në Shqipëri ngarkon punëdhënësin të kryejë rolin e agjentit tatimor për mbajtjen dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat nga pagat,” argumenton shumica në vendim.
Komisioni vlerëson se duke qenë se personat e tjerë të lidhur nuk janë subjekte rivlerësimi, analiza dhe vlerësimi i pasurisë së tyre duhet të bëhet në kufijtë e pasurisë së dhënë hua apo dhuruar dhe sipas një vlerësimi logjik e të arsyeshëm. Në fund, shumica arrin në përfundimin se babai i gjyqtares ka pasur të ardhura të mjaftueshme për dhurimet.
Komisioni i ka kërkuar gjyqtares Toro që të provojë ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrit, që kanë shërbyer për krijimin e një shume së dhuruar prej 8 mijë euro, si dhe të dhurimeve të tjera të vetëdeklaruara që në total arrijnë vlerën 3.3 milionë lekë.
Subjekti ka shpjeguar se në vitin 1992, familjes Toro i është kthyer nga Bashkia Tiranë, një nga vilat më me vlerë në Tiranë, ku bashkëpronar ka qenë edhe babai i bashkëshortit të saj. Ajo ka deklaruar se prej vitit 1992 deri në shitjen e kësaj pasurie ka pasur marrëdhënie qiraje në vlerën rreth 5,000 USD/muaj dhe se në dhjetor të 2001-it banesa është shitur për shumën 500 mijë USD.
E pyetur nga KPK, Toro ka shpjeguar se vjehrri ka përfituar 120 mijë USD nga shitja dhe të ardhurat e qirasë. Gjithashtu, ajo ka sqaruar se vjehrri ka përfituar 35 mijë USD edhe nga trashëgimia e motrës së tij.
Shumica konkludon se babai i bashkëshortit ka pasur burime financiare të ligjshme për të justifikuar shumat e dhuruara ndër vite, në favor të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur. I njëjti përfundim është arritur edhe për blerjen e një automjeti në korrik 2013 në vlerën e 11 mijë eurove, plus 409 mijë lekë detyrime doganore.
Por Çiftja e ka kontestuar edhe këtë përfundim.
“Unë, si anëtare në pakicë, vlerësoj se elementi thelbësor për një analizë të drejtë të mundësive të personit tjetër të lidhur, është koha se kur këto dhurime janë dhënë dhe aftësia financiare e dhuruesit në vitin respektiv. Analiza financiare për personin tjetër të lidhur/z. I. T., duhet të ishte kryer nga shumica e trupit gjykues, bazuar në vitin përkatës kur dhe janë deklaruar se janë bërë këto dhurime dhe jo në përgjithësi”, thekson Çiftja dhe konsideron se babai i bashkëshortit të subjektit nuk ka pasur burime të ligjshme për të kryer dhurimet.
Në deklaratën veting, subjekti ka pasqyruar një hua në vlerën 45 mijë euro që ka marrë në vitin 2008 nga miku i ngushtë i bashkëshortit, A. Ll., si dhe ka shpjeguar se qëllimi i marrjes së kësaj vlere ka qenë blerja e apartamentit. Po në deklaratën veting, ajo ka shënuar edhe detyrimin e mbetur në momentin e dorëzimit në vlerën 15 mijë euro.
Komisioni konstaton se megjithëse në kontratën e huasë parashikohej se shuma prej 45 mijë euro do të jepej plotësisht gjatë vitit 2009, subjekti ka deklaruar se një pjesë i është dorëzuar në vitin 2010. Komisioni nuk e ka mbajtur në konsideratë këtë pasaktësi gjatë vlerësimit përfundimtar.
Komisioni ka hetuar lidhur me mundësinë e A.Ll. për dhënien e huasë dhe për të ardhurat që janë deklaruar se janë përfituar prej babait të huadhënësit nga shitja e disa pasurive të paluajtshme ku shfaqet si bashkëpronar. Nga hetimi ka rezultuar se babai i A.Ll kishte përfituar në total 3.3 milionë lekë.
Nga verifikimet ka rezultuar se të ardhurat e realizuara ndër vite nga A.Ll. prej aktivitetit të tij privat për periudhën 1994-2007, janë në vlerën totale 11 milionë e 725 mijë lekë. Komisioni ka përllogaritur si fitim 20% të qarkullimit të deklaruar dhe për të cilin janë paguar detyrimet tatimore përkatëse. Ndërkohë, A.Ll. ka përfituar paga për periudhën 2005-2009 në vlerën totale 806 mijë lekë.
Shumica në Komision ka argumentuar se bazuar në parimin e proporcionalitetit, në vlerësim të informalitetit të kohës dhe të pretendimeve të huadhënësit për fitimin neto të realizuar nga aktiviteti i tij tregtar, ai duket se ka pasur burime financiare të ligjshme për të dhënë huanë. Gjithashtu janë pranuar shpjegimet se shpenzimet e huadhënësit janë mbuluar nga familjarët me të ardhurat nga shitja apo dhënia me qira e pasurive të patundshme.
Ndërsa anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja konsideron se huadhënësi A.Ll. nuk ka patur mundësi financiare për dhënien e vlerës 45 mijë euro. Sipas saj, nuk u vërtetuan me dokumentacion ligjor provues të drejtat e administrimit të të ardhurave dhe pasurive të babait të tij dhe për këtë arsye nuk duhet të merren në konsideratë si të ardhura të ligjshme të huadhënësit.
“Deklaratat noteriale të bëra gjatë hetimit edhe ato pas rezultateve të hetimit nga huadhënësi dhe familjarët e tij, ngelen vetëm në nivel deklarativ dhe nuk mund të marrin vlerë provuese”, konstaton Çiftja.
Konkluzionet për profesionalizmin
Shumica nuk i ka konsideruar penalizuese disa probleme që vetë i konstaton në kriterin e profesionalizmit.
“Në katër nga pesë dosjet e vëzhguara mungon vendimi për caktimin e seancës përgatitore… dhe në një rast mungon vendimi për caktimin e seancës gjyqësore…. Në rastin e dosjes nr. *** mungon gjithashtu akti për caktimin e gjyqtares për gjykimin e çështjes, si dhe akti i njoftimit të palëve, mangësi e cila nuk ka sjellë pasoja në gjykim, pasi palët kanë qenë të pranishme dhe seanca është zhvilluar normalisht,” thuhet në vendim.
“Gjithsesi, këto problematika të konstatuara duket se nuk përmbushin kushtet e përcaktuara për nisjen e procedimit disiplinor ndaj subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro”, konstaton shumica.
Lidhur me pretendimet e disa denoncuesve, Shuli dhe Qirko vlerësojnë se çështjet e ngritura kanë të bëjnë me aspekte të vendimarrjes që nuk mund të jenë objekt shqyrtimi nga Komisioni. Në fund shumica konkludon se gjyqtarja Toro ka arritur një nivel të mirë kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Çiftja në pakicë evidenton disa raste të tërheqjes së vëmendjes me shkrim për tejkalim të afatit të gjykimit, për shkak të mosmenaxhimit të mirë të gjykimit dhe shkelje formale e ligjit. Ajo kërkon që të vlerësohen tërheqjet e vëmendjes dhe shkeljet e tjera të konstatuara në kontekstin e përballimit të punës dhe të etikës.
“Në përfundim, nga shqyrtimi i këtyre ankesave dhe vlerësimi i tyre, rezulton se subjekti i rivlerësimit nuk ka treguar aftësi për të përballuar ngarkesën në punë dhe aftësinë për të administruar dosjet gjyqësore”, konstaton Çiftja.
Në përfundim, anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja vlerëson se gjyqtarja Elona Toro ka kryer deklarim të pamjaftueshëm e të pasaktë për kontrollin e pasurisë dhe se në bashkim me mangësitë profesionale, në vlerësimin tërësor të çështjes, duhej të ishte shkarkuar nga detyra. /BIRN/