Zbardhet vendimi i KPK: Flutura Skënderi u shkarkua për mungesë burimesh financiare

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mungesë burimesh financiare prej 1.8 milionë lekësh si dhe mosdeklarime dhe pasaktësi në deklaratat e pasurisë së gjyqtares së Apelit të Tiranës, Flutura Skënderi. Dy raste të dyshuara të konfliktit të interesit nuk u konsideruan ‘shkarkuese’.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 23 korrik të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Flutura Skënderi, pasi u konstatua mungesë burimesh të ligjshme për justifikimin e investimeve dhe shpenzimeve, si dhe mosdeklarime të disa veprimeve juridiko-financiare.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Skënderi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u evidentuan dy raste të konfliktit të interesit. Gjithësesi, Komisioni konkludon se problemet e evidentuara për profesionalizmin nuk janë shkarkuese dhe vlerëson se subjekti ka arritur nivel kualifikues për këtë kriter.

Procesi i vetingut për Skënderin u krye nga Pamela Qirko kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Një ndër problemet kryesore ishte pamundësia financiare për përfitimin e një apartamenti në Tiranë, i përbërë nga 57 m2 të përfituara nga shkëmbimi i një trualli 225 m2 dhe nga një shtesë ndërtimore 50 m2, që Skënderi i’a ka blerë shoqërisë ndërtuese për vlerën 40 mijë euro.

Në deklaratën veting, Skënderi ka pasqyruar pronësinë e apartamentit në fjalë, duke specifikuar se një pjesë ishte përfituar nga shkëmbimi i truallit që ajo e gëzonte si trashëgimtare me vendim të KKKP të vitit 2004 – ndërsa pjesën tjetër e ka blerë për shumën 40 mijë euro, nga të cilat nuk kishte shlyer ende 20 mijë euro. Si burim për blerjen e shtesës, Skënderi ka pasqyruar vlerën 5 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti në korrik të vitit 2006.

Komisoni ka gjetur se pagesa 20 mijë euro për shtesën e apartamentit është kryer në vitin 2006, nga pjesa e mbetur e shumës 5 milionë lekë e shitjes së apartamentit, pasi 1.8 milionë ishin përfituar si paradhënie në 2005-ën dhe me këtë shumë është shlyer një kredi.

Në vendim konstatohet mosdeklarim i të ardhurave financiare të përfituara nga kësti i parë në vlerën 1.8 milionë lekë në vitin 2005. Skënderi ka shpjeguar se përfitimi i shumës prej 1.8 milionë lekë nuk gjendet në deklaratën e vitit 2005, pasi ky veprim është formalizuar në mars të 2006.

Ndërkohë, në vitin 2006 ajo nuk e ka deklaruar detyrimin e mbetur ndaj shoqërisë ndërtuese dhe as pagesën e kryer në atë vit, prej 20 mijë eurosh. Gjyqtarja Skënderi ka shpjeguar para Komisionit se mungesa e deklarimit të detyrimit ndaj shoqërisë ndërtuese, ka ndodhur për shkak se punimet e brendshme nuk po kryheshin dhe se është rënë dakord verbalisht me shoqërinë sipërmarrëse që t’i kryente ajo vetë, në këmbim të shumës së pashlyer 20 mijë euro.

Në vendim konstatohet mospërputhje midis deklarimeve të Skënderit ndër vite dhe në atë veting lidhur me detyrimin 20 mijë euro të pashlyera shoqërisë; si dhe mospërputhje midis qëndrimit dhe pohimeve të administratorit të shoqërisë ndërtuese dhe shpjegimeve të subjektit, të dhëna përgjatë procesit të rivlerësimit lidhur me momentin dhe mënyrën e lidhjes së marrëveshjes, zotërimin e apartamentit, kohën e kryerjes së punimeve të brendshme dhe vlerës së tyre.

Sipas trupit gjykues, mbetet e paqartë se për çfarë arsye Skënderi ka pasqyruar në deklaratën veting detyrimin e mbetur 20 mijë euro ndaj shoqërisë së ndërtimit, duke ngritur dyshime për deklarim të rremë. Këto dyshime janë bazuar në faktin se, ndryshimi i çmimit të kontratës nuk është bërë me shkrim nëpërmjet një akti noterial, por vetëm verbalisht dhe se kjo dakordësi e vitit 2008 nuk është pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes, edhe pse hartimi i saj është kryer disa muaj më pas.

Gjithashtu, pikëpyetje ngrihen edhe për shkak të mosdeklarimit të shpenzimeve për punimet e brendshme të pretenduara nga subjekti se janë kryer në vitet 2008 dhe 2009. Trupi gjykues, i çmon shpjegimet e Skënderit të paprovuara dhe kontradiktore.

Sipas Komisionit, Skënderi ka dorëzuar dy deklarata noteriale të ndryshme të vitit 2006 lidhur me shitjen e apartamentit të mëparshëm – një e nënshkruar në mars dhe tjetra në korrik, ku blerësit janë të ndryshëm dhe pa lidhje me njëri-tjetrin.

Trupi gjykues konstaton kryerjen e disa deklarimeve të pamjaftueshme dhe të pasakta lidhur me transaksionet e shitjes së apartamentit të mëparshëm dhe të krijimit të atij që zotëron aktualisht.

Nga analiza financiare është konkluduar mungesë burimesh financiare për vitet 2005 dhe 2006, kur Skënderi pretendon se është krijuar vlera 5 milionë lekë e përfituar nga shitja e apartamentit të mëparshëm, e deklaruar si burim për shtesën e apartamentit të ri. Edhe pse KPK e ka konsideruar të gjithë vlerën 5 milionë lekë, për vitet 2005-2006 subjekti ka rezultuar sërish me mungesë burimesh prej 2.7 milionë lekësh.

Mosdeklarime e mospërputhje

Në vendimin e KPK renditen disa raste mosdeklarimi, mospërputhje e pasaktësi lidhur me kriterin e pasurisë.

Në deklaratën e pasurisë të vitit 2006, Skënderi ka deklaruar se zotëron gjendje cash shumën 4.2 milionë lekë, por nuk ka deklaruar burimin financiar dhe në vitin 2007 ka përsëritur të njëtat deklarime për pasurinë të kryera një vit më parë, që Komisioni e konsideron si mosparaqitje të situatës reale.

Një prej mospërputhjeve të konstatuara nga KPK është dekarimi i të ardhurave nga paga e vajzës si drejtore e një projekti të financuar nga Banka Boterore në vitet 2006, 2007 dhe 2008 në shumën 6 mijë USD për secilin vit. Kur është përballur me kërkesën e Komisionit për të paraqitur dokumentacion lidhur me pagesën e detyrimeve tatimore për të ardhurat e përfituara, Skënderi ka ndryshuar qëndrim duke u shprehur se përfitimet financiare nuk janë pasqyruar saktë në deklarimin vjetor të vitit 2007- që i përket vitit 2006 dhe në deklarimin vjetor 2008 që i përket 2007-ës.

Ajo ka pretenduar se detyrimet i takojnë punëdhënësit që t’i paguajë dhe se nuk ka gjetur dot dokumentacion, pasi fondacioni ishte shpërndarë.

Gjyqtarja Skënderi ka deklaruar deklaruar në vitin 2008 se kishte marrë një kredi në vlerën 800 mijë lekë, ndërkohë që shuma reale kishte qenë 885 mijë lekë. Gjithashtu, ajo nuk ka pasqyruar ecurinë e shlyerjes dhe të detyrimit të mbetur lidhur me këtë kredi. Ndërkohë, në vitin 2009 ka deklaruar se ka marrë një kredi në vlerën 4.4 milionë lekë, por që nga hetimi ka rezultuar të ishte në shumën 4 milionë lekë. Në 2010-ën, Skënderi ka deklaruar vazhdimin e shlyerjes së kredisë së marrë në vitin 2009, por nuk pasqyron shumën e shlyer, detyrimin e mbetur dhe burimin. Po në vitin 2009, ajo nuk ka deklaruar një kredi të marrë nga bashkëshorti në vitin në vlerën 103 mijë lekë dhe as shlyerjen e kësaj shume në 2010-ën.

Komisioni konstaton mospërputhje mes deklaratave periodike dhe asaj veting për të ardhurat e bashkëshortit nga administrimi i një palestre. Në vitin 2005 ajo ka deklaruar 1.2 milionë lekë të ardhura nga kjo punë shtesë e bashkëshortit, ndërsa në deklaratën veting 250 mijë lekë. Shpjegimet e Skënderit se është konfonduar me nocionin e shprehjes lekë të reja me lekë të vjetra dhe se në 2005-ën ka dashur të thotë 120 mijë lekë, nuk e kanë bindur trupin gjykues që shprehet se, edhe nëse do të pranohej versioni i paraqitur si një gabim material, do të rezultonte mospërputhja.

LEXO EDHE  Maliqi: Kryemafiozi Rama përdori edhe Komisionin e Sigurisë kundër Presidentit

Komisioni nuk i ka konsideruar të ardhurat e deklaruara prej Skënderit si të përfituara nga bashkëshorti i saj nga shërbime dhe kontratat e punës të lidhura me Universitetin e Sporteve në Tiranë gjatë viteve 2001-2009, pasi ka rezultuar se ato ishin kontrata për përdorimin jashtë orarit zyrtar të punës të ambjenteve të palestrës për të cilën është paguar detyrim financiar. Pretendimet e Skënderit se detyrimet tatimore duhej t’i kishte paguar universiteti, janë rrëzuar nga trupi gjykues që vlerëson se universiteti nuk ishte në rolin e punëdhënësit në këtë rast, por të qiradhënësit të palestrës dhe se bashkëshorti i subjektit, i gjeneronte të ardhurat nga aktiviteti i tij privat dhe autonom. Komisioni ka përfshirë në analizën financiare vetëm shpenzimet për pagesën e qirasë së palestrës.

Gjithashtu, subjekti është pyetur edhe lidhur me të ardhurat e bashkëshortit të deklaruara si të përfituara nga kontratat e punësimit të lidhura me klubin e futbollit të Tiranës gjatë viteve 2015 dhe 2016 − në të cilat specifikohet se sigurimet do të paguhen nga punonjësi. Kur Komisioni e ka ftuar që të paraqiste dokumentacionin provues lidhur me pagesën e detyrimeve tatimore për të ardhurat e përfituara nga këto kontrata, subjekti ka pretenduar se detyrimet tatimore duhej t’i paguante enti dhe jo bashkëshorti.

Komisioni ka gjetur se në vitin 2015, Skënderi ka deklaruar në mënyrë të pasaktë një vlerë financiare në masën ¼ pjesë e shumës prej 5.7 milionë lekësh të përfituar nga një vendim i AKKP, pasi nga hetimi ka rezultuar se bazuar në këtë vendim kishte marrë vetëm 350 mijë lekë.

Në vendim thuhet se Skënderi ka pasqyruar në deklaratën veting gjendje cash në shumën 10 mijë euro me burime nga të ardhurat familjare, pavarësisht se vitin 2008 ajo ka shënuar zerimin e gjendjes cash, ndërsa nga viti 2009 deri në 2016-ën, nuk ka deklaruar kursime jashtë sistemit bankar. Trupi gjykues konkludon se subjekti nuk ka patur burime të ligjshme për të kursyer vlerën 10 mijë euro në vitin 2017, si dhe ka kryer deklarime kontradiktore e të pasakta.

Gjithashtu, ka rezultuar se gjyqtarja Skënderi nuk ka pasur mundësi që të përballonte me burime të ligjshme financiare të gjitha shpenzimet e shkollimit të vajzës në Maltë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe investimet e shpenzimet e tjera gjatë viteve 2003, 2005 dhe 2006.

Nga analiza financiare e kryer mbi të ardhurat dhe shpenzimet prej vitit 2003 e në vazhdim, KPK ka konkluduar fillimisht një balancë negative në vlerën 2 milionë e 898 mijë lekë. Pasi është njohur me rezultatet e analizës financiare, Skënderi ka kërkuar që të përllogariten shpenzime jetike më të ulëta për periudhën e studimeve të vajzës si dhe të pasqyroheshin të ardhura shtesë lidhur me të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti jashtë orarit të punës, i zhvilluar në palestrën e Universitetit të Sporteve Tiranë, të ardhurat nga puna në “Tirana futboll klub”; si dhe të ardhurat e gjeneruara nga kontrata e konsulencës së vajzës me Këshillin e Evropës, me vlerë 1.500 euro në vitin 2016, për të cilën ka informuar se janë paguar detyrimet tatimore në maj 2020.

Në vendim thuhet se trupi gjykues ka analizuar të gjitha pretendimet e subjektit dhe ka marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat, për të cilat është provuar burimi i ligjshëm.

Pavarësisht se Komisioni ka marrë në konsideratë përfitimin e gjithë vlerës 5 milionë lekë nga shtija e apartamentit në vitin 2006, ka pranuar shpjegimet për shpenzimet e shkollimit të vajzës për studime jashtë shtetit si dhe ato të paguara nga bashkëshorti për qiramarrjen e palestrës në Universitetin e Sporteve Tiranë, Skënderi ka rezultuar përfundimisht me një balancë negative në shumën totale 1.8 milionë lekë, mungesë që ka qenë e përqëndruar në vitet 2005 dhe 2006.

Në përfundim KPK vlerëson se Skënderi, nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme, për të kryer të gjitha investimet e konstatuara dhe për të përballuar shpenzimet, apo për të realizuar kursimet e deklaruara, duke konkluduar se duhet shkarkuar nga detyra

Konflikti i interesit

Trupi gjykues konstaton se Skënderi është gjendur dy herë në kushtet e konfliktit të interesit, pasi rezulton të ketë qenë pjesë e dy trupave gjykuese ku palë ndërgjyqëse ka qenë shoqëria ndërtuese me të cilën ka pasur marrëdhënie kontraktuale për apartamentin.

Gjykata e Apelit Tiranë e ka informuar Komisionin se Skënderi ka shqyrtuar dhe është shprehur me vendim më datë 16 tetor 2015 për një çështje ku palë ka qenë shoqëria ndërtuese në fjalë. Gjithashtu, ka rezultuar se ka qenë anëtare në trupin gjykues që ka shqyrtuar një tjetër çështje me palë ndërgjyqëse shoqërinë ndërtuese, për të cilën Gjykata e Apelit Tiranë është shprehur me vendim më datë 12 shkurt 2014.

Komisioni vlerëson se, duke pasur parasysh faktin që subjekti i rivlerësimit ka një marrëdhënie civilo-tregtare të lidhur me shoqërinë ndërtuese me kontratën e porosisë të vitit 2009 dhe se ka pasur detyrim të mbartur edhe në vitet kur janë shqyrtuar çështjet gjyqësore, detyrim që e ka pasqyruar edhe në deklaratën veting. Gjithashtu, nga hetimi administrativ është konstatuar një kontratë për marrje kredie e marsit 2009 mes Alpha Bank dhe Skënderit për vlerën 4.4 milionë lekë, ku në cilësinë e dorëzanësit kundrejt bankës ka qenë shoqëria ndërtuese përfaqësuar nga administratori A.A..

“…Në rastin konkret, duke qenë se në vitet 2014 dhe 2016, nuk ishte shlyer ende as detyrimi financiar ndaj shoqërisë “***” sh.p.k. – sipas deklaratës “Vetting” – dhe as kredia në “Alpha Bank”, ekzistonin detyrimet e ndërsjella mes palëve − ato ende nuk ishin shuar − ç’ka ka bërë të mundur ekzistencën e marrëdhënieve të interesit midis palëve, të drejtat dhe detyrimet”, konstaton Komisioni.

Lidhur me aspektin profesional, trupi gjykues çmon se të dhënat e nxjerra nga disa prej dosjeve të administruara nga Komisioni, përfshirë edhe denoncimet nga publiku, janë konstatuar probleme që nuk përbëjnë në vetvete shkaqe të mjaftueshme për të konkluduar për papërshtatshmërinë profesionale të gjyqtares Flutura Skënderi, duke konsideruar se ka arritur nivel minimal kualifikues të kriterit profesional. /BIRN/